Kryetari Glauk Konjufca priti në takim kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme të parlamentit turk, Fuat Oktay

Aktuale

Kryetari Glauk Konjufca priti në takim kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme të parlamentit turk, Fuat Oktay

Më: 7 nëntor 2023 Në ora: 14:00

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Republikës së Turqisë, Fuat Oktay.

Në takim u diskutua për çështje të rëndësishme të interesit të përbashkët, bashkëpunimin ndërparlamentar, ekonomik e tregtar dhe në fushën e politikës së jashtme, si dhe u këmbyen pikëpamje rreth zhvillimeve të fundit rajonale dhe aktualiteteve në skenën ndërkombëtare.

Po ashtu biseda u fokusua në marëdhëniet e veçanta dhe miqësore, që karakterizojnë dy vendet tona, dhe u shpreh vullneti i dyanshëm për t'i intensifikuar ato në të gjitha fushat e mundshme të bashkëpunimit.

Kryetari Konjufca vlerësoi lart dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Turqia i ka dhënë Kosovës para dhe gjatë luftës, si dhe gjatë procesit të shtetformimit, shtetndërtimit dhe anëtarësimit në institucione e organizata ndërkombëtare. Njëherësh e njoftoi z. Oktay në lidhje me punën dhe prioritetet e legjislativit, zhvillimin e gjithmbarshëm dhe sfidat e shtetit tonë në rrugëtimin integrues.

Ndërsa, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme i parlamentit turk, i cili deri para pak muajsh ka shërbyer si Zëvendëspresident i Turqisë, Fuat Oktay e falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen dhe ritheksoi gatishmërinë për fuqizimin e raporteve të ndërsjella, si dhe vazhdimin e mbështetjes së shtetit të tij ndaj Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat