​Opozita pas takimit me Lajçak: Duhet kujdes për Asociacionin, “dreqi fshihet në detaje”

Aktuale

​Opozita pas takimit me Lajçak: Duhet kujdes për Asociacionin, “dreqi fshihet në detaje”

Më: 7 nëntor 2023 Në ora: 14:38
Opozita e vendit

Liderët opozitarë në Kosovë kanë takuar të martën përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Për gjatë dy orëve sa zgjati takimi opozitarët shfaqën qëndrime të ndryshme për përmbajtjen e tij. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi dhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri thanë se Lajçak ka paraqitur në terma të përgjithësuar dokumentin për Asociacionin dhe se nuk e kanë lexuar të njëjtin. Ata kritikuan edhe kryeministrin Albin Kurti, për siç thanë mungesën e transparencës në proces të dialogut. Mirëpo, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se e ka lexuar draftin dhe se i njëjti i referohet Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Lideri opozitar, Memli Krasniqi para mediave tha se emisari i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak iu ka thënë se Asociacioni që i është propozuar qeverisë është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe se nuk shkon përtej vijave të kuqe të vendit.

Por ai tha se nuk pati mundësi të lexojë në tërësi dokumentin për t’u njoftuar me detajet e tij, prandaj shprehu shqetësimet e tij për të njëjtin pasi tha se “dreqi fshihet në detaje”.

Krasniqi: Lajcak tha se Asociacioni është në pajtim me Kushtetutën, por shqetësimet janë prezente

Në terma të përgjithësuar shprehi qëndrimin e shteteve të Bashkimit Evropian dhe përfaqësueseve të tjerë që drafti i Asociacionit që i është propozuar qeverisë është një draft që është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe që nuk shkon përtej vijave të kuqe. Por fatkeqësisht ne nuk patëm mundësi të konsultojmë tekstin integral... Shqetësimet tona vazhdojnë të jenë prezent për arsye se nuk jemi të njoftuar në detajet dhe siç thotë një shprehje ndërkombëtare dreqi fshihet në detaje. Neve na duhet të shohim detajet e tekstit për të qenë të sigurt se një themelim i Asociacionit nuk do të ndryshojë për të keq karakterin unitar të shtetit tonë dhe nuk do të transformojë Republikën e Kosovës nga idealet e themeluesve të këtij shteti”, tha Krasniqi.

Detaje për draftin e modernizuar të euro-amerikanëve për Asociacionin nuk dha as nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.

Ai pas takimit me Lajçak tha se draftin e kanë parë në mënyrë të përgjithshme, pasi sipas tij i njëjti është në kopje të limituara dhe në duart të pakta.

Haziri nënvizoi se LDK-ja ka analizuar dhe studiuar të gjitha 15 modelet evropiane për Asociacionin dhe se elemente të tyre ka në draftin e paraqitur nga diplomatët ndërkombëtare.

Haziri: Drafti është në kopje shumë të limituara dhe në duar të pakta

Ne i kemi pa i kemi studiuar dhe analizuar të gjitha modelet evropiane të cilat i janë referuar edhe modeli i moderuar evropian për Kosovën. Natyrisht në detaje i dimë ato çështje por ajo çka është e rëndësishme është që drafti të shihet në detaje pasi duhet lexim dhe analizim. Atë mundësi besoj se do të kemi kur të vlerësojnë të tjerët...Tani janë disa drafte në qarkullim por unë besoj se asnjëri nuk është në plotëni të saj dokumenti kryesor. Mund të ketë pika të caktuara. Drafti është në kopje shumë të limituara dhe në duar të pakta dhe është në përgjegjësinë e atyre me nda”, theksoi Haziri.

Megjithëse ishin në takim të njëjtë, tjetër qëndrim paraqiti kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Haradinaj tha se draftin e ka lexuar në tërësi dhe se i njëjti i shpjegon të gjitha mundësitë që Asociacioni iu jep komunave me shumicë serbe, por që nuk i merr përgjegjësi shtesë atyre.

Sipas tij, Kosova me themelimin e Asociacionit e bënë një hap të madh përpara, andaj duhet të kërkohet anëtarësimi me procedura të përshpejtuara në NATO.

Haradinaj: E kam lexuar draftin, i referohet Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës

E kemi lexuar draftin në tërësi. Drafti e shpjegon të gjitha mundësitë që Asociacioni iu jep komunave me shumicë serbe. Kuptohet çdo herë i referohet Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, në këtë draft nuk ndryshohen përgjegjësitë e komunave dhe Asociacioni nuk merr nga këto përgjegjësi. Por janë edhe shumë lehtësira që iu krijohen në arsim, shëndetësi dhe funksionimit dhe mundësive që jep Asociacioni. Komentet tona se a pajtohemi me këtë draft do t’i bëjmë pas shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese për shkak se që në hyrje të dokumentit shpjegohet se drafti duhet të shqyrtohet nga Kushtetuesja dhe të gjitha aktet të tjera duhet shqyrtohen nga MAPL dhe të konfirmohet nga Gjykata Kushtetuese. Ajo çka për mua është me rëndësi është që pas implementimit të Asociacionit, Kosova e bënë një hap të madh përpara, një kompromis i madh që buron nga një obligim vite më herët. Prandaj Kosova me të drejtë kërkon një anëtarësim të shpejtë në NATO”, deklaroi Haradinaj.

Krahas këtyre, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi kritikoi ekzekutivin për mungesë të transparencës sa i përket dialogut në përgjithësi por edhe draftit të Asociacionit në veçanti.

Krasniqi: Është për t’u kritikuar qasja e qeverisë së Kosovës me mungesën e plotë të transparencës

Është për t’u kritikuar qasja e qeverisë së Kosovës me mungesën e plotë të transparencës ndaj qytetarëve por edhe ndaj përfaqësuesve politik. Në fund të fundit është e pamjaftueshme të thuhet se ky draft është në pajtim apo jo me Kushtetutën pa i lexuar nga një perspektivë e ekspertizës kushtetuese të gjitha nenet dhe tekstin integral të marrëveshjes”, tha ai.

Kritik u shfaq edhe i dyti në LDK, Lutfi Haziri, për siç tha terrin informativ që qeveria po i mban opozitarët për Asociacionin.

Haziri: Po mbahemi në terr informativ për draftin e Asociacionit

Po vazhdojmë të mbahemi në një formë apo tjetër në terr për shkak të mos zbardhjes së dokumentit së paku në parime dhe angazhime që kryeministri duhet me iu ofruar deputetëve dhe popullit të Kosovës”, theksoi Haziri.

Përkitazi me këtë opozitarët thanë se kanë kërkuar nga Lajçak largimin e masave ndaj Kosovës.

Krahas opozitarëve, Lajçak ka pritur në takim sot edhe disa nga ambasadorët e akredituar në Kosovë.

Lajçak po qëndron në Kosovë që nga dita e hënë. Ai është takuar me kryenegociatorin Besnik Bislimi, ku ka thënë se është pajtuar për hapat e radhës në dialog

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat