​Bislimi: Takimi i radhës mes kryenegociatorëve do të mbahet të enjten

Aktuale

​Bislimi: Takimi i radhës mes kryenegociatorëve do të mbahet të enjten

Më: 8 nëntor 2023 Në ora: 20:28
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi deklaroi se takimi në Bruksel mes kryengociatorëve do të mbahet të enjten e ardhshme. Ai theksoi se ky është dakordimi i vetëm që kanë arritur në takimin me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak. Tutje, theksoi se nuk ka më kompromise në negocim, por vetëm zbatim të marrëveshjeve.

Kështu u shpreh ai pas pranimit të raportin për Kosovën nga ambasadori i BE-së, Tomas Szunyog.

Ky i fundit u pyet edhe për masat ndëshkuese të BE-së, ku theksoi se deklarata e 27 vendeve anëtare përfshin edhe themelimin e asociacionit.

Szunyog: Hapat të ndërmerren sa më shpejt që masat të mund të hiqen

"Masat janë implementuar bazuar në deklaratën e 27 vendeve anëtare me 3 qershor dhe ka qenë një reagim ndaj zhvillimeve në fund të majit, duke përfshirë sulmin kundër ushtarëve të KFOR-it. Në fakt kjo deklaratë është mjaft specifike për atë se çka pritet nga Kosova. Dhe fokusohet në tri fusha, një është deeskalimi në veri, e dyta është zgjedhjet lokale të parakohshme në veri dhe e treta angazhimi në dialog, duke përfshirë themelimin e Asociacionit. Prandaj këto janë tri fushat ku ne presim hapat të ndërmerren. Raporti e njeh që ka një progres të caktuar në disa prej çështjeve duke përfshirë themelimin e kornizës ligjore për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe disa çështje që lidhen me de përshkallëzimin në ndërtesat komunale. Por raporti po ashtu thotë që ne duhet të shohim më shumë hap të tillë. Prandaj, sërish shpresoj që hapat të ndërmerren sa më shpejt që është e mundur dhe që ne në fakt, që edhe masat të mund të hiqen dhe që Kosova që të mund të gëzojë potencialin jo vetëm nga mekanizmat ekzistues, por edhe nga plani i ri i rritjes", deklaroi ai.

Teksa u pyet për kompromiset e përmendura në raport, ai shtoi se progres është implementimi i marrëveshjes së arritur.

Szunyog: Progresi në dialog është implementimi i marrëveshjes

“Nga perspektiva ime është shumë e thjesht, kemi marrëveshjen nga 27 shkurti që është e detyrueshme ligjërisht, është po ashtu edhe aneksi i implementimit. Për ne progresi ne dialog është implementimi i atyre dy dokumenteve. Kjo është me të vërtetë e rëndësishme", deklaroi Szunyog.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se Kosova nuk është në fazën e negocimit në Bruksel.

Bislimi: Ne nuk jemi në fazën e negocimit në Bruksel

“Ne nuk jemi në fazën e negocimit në Bruksel, jemi në fazën e zbatimeve të marrëveshjeve. Nuk ka më kompromise në negocim, negocimet kanë përfunduar dhe jemi në fazën e zbatimi të marrëveshjeve. Ku Kosova insiston që marrëveshjet të zbatohet në plotëni dhe pa parakushte dhe vonesa dhe për të siguruar që marrëveshjet na çojnë drejt normalizimit e jo drejt eskalimit të konfliktit. Ne kemi parë nënshkrimin e marrëveshjes si rrugën më të mirë për të garantuar zbatimin e tyre të plot”, deklaroi ai.

Bislimi konfirmoi se javën e ardhshme do të ketë takime mes kryenegociatorëve në Bruksel.

Bislimi: Takimi i radhës mes kryenegociatorëve do të mbahet të enjten

“Takimi i radhës mes kryenegociatorëve mbahet të enjten e ardhshme në Bruksel dhe ky është dakordimi i vetëm që kemi arritur. Ky është hapi i radhës për të cilin jemi dakorduar që të mbahet takimi i radhës në Bruksel me 16 nëntor”, deklaroi zëvendëskryeministri Bislimi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat