Mishetiq-dëshmitarit: Në deklaratën e dhënë në polici me 1999 nuk keni thënë që keni parë emblemë të UÇK-së tek personat që të rrëmbyen

Aktuale

Mishetiq-dëshmitarit: Në deklaratën e dhënë në polici me 1999 nuk keni thënë që keni parë emblemë të UÇK-së tek personat që të rrëmbyen

Më: 9 nëntor 2023 Në ora: 07:36 Përditësuar në ora: 13:35 më 09.11.2023
Dragan Ivanisheviq

Mishetiq-dëshmitarit: Në deklaratën e dhënë në polici me 1999 nuk keni thënë që keni parë emblemë të UÇK-së tek personat që të rrëmbyen

Gjatë marrjes në pyetje nga mbrojtësi i Hashim Thaçit, avokati Luka Mishetiq e ka pyetur dëshmitarin lidhur me një deklaratë që ky i fundit e ka dhënë në polici në vitin 1999 pas rrëmbimit për të cilin pretendon.

Mishetiq i ka thënë dëshmitarit se në këtë deklaratë nuk ka përmendur se ka parë emblemë të UÇK-së në uniformat e personave që e kanë ndalur.

“Po deklarata që i keni dhënë policisë, në deklaratë nuk thuhet që personat që kishin veshur uniforma me lara kishin emblemë të UÇK-së në uniformë. Pse kjo nuk thuhet në deklaratën tuaj të 1999. Keni nënshkruar një deklaratë që nuk përmend asnjë simbol ose emblemë identifikuese të UÇK-së, kështu?”, pyeti avokati Luka Mishetiq.

Dëshmitari tha se nuk e ka vlerësuar të rëndësishme këtë deklaratë në atë kohë.

“Nuk e kam vlerësuar si të rëndësishme këtë deklaratë në atë kohë”, tha dëshmitari.

Mishetiq pyeti dëshmitarin a ka pasur mundësi që fakti se ka parë emblemë nuk është thënë nga dëshmitar gjatë marrjes së dëshmisë apo ka mundur të ndodhë e kundërta që kjo hollësi të mos mbahet si shënim.

“Dëshmia juaj është që i keni thënë policisë që ka pas emblemë UÇK-ja, por fakti është që kjo si hollësi nuk përmbahet ose nuk përfshihet në deklaratën tuaj i takon që nuk ia keni thënë policisë, apo e kundërta që ju ja keni thënë por ata nuk e kanë vënë si shënim”, tha Mishetiq.

Ndërsa, dëshmitari insistoi se e ka thënë dhe nëse nuk është përfshirë kjo pjesë në deklaratë nga policia nuk e di.

“Unë thash që ata e kishin emblemën identifikuese, në qoftë se e ka përfshi policia a po jo në deklaratën që kam dhënë unë, këtë nuk e di”, tha dëshmitari.

Dëshmitari tha se nuk ishte e zakonshme që në territoret ku kontrollonte Qeveria të shihje njerëz me emblema të UÇK-së.

“Nuk ishte e zakonshme. Deri në atë moment unë nuk kisha parë. Deri në momentin që me rrëmbyen, vetëm në televizion i kam parë”, tha ai.

Mishetiq u ndal edhe tek rrëmbimi i Velko Markoviqit që sipas dëshmitarit vepër kjo e kryer nga UÇK-ja.

“Siç keni dëshmuar para trupit gjykues ju keni thënë se Zoti Markovic është marrë se pari në Fushë Kosovë dhe nga aty u e keni parë në Maxhunaj. A e ke thënë këtë gjë apo jo?”, tha Mishetiq.

Ndërsa, Ivanisheviq tha se nuk ka thënë që Markoviqi është rrëmbyer në Fushë Kosovë.

“Nuk e thash se Markovicin e kanë rrëmbyer në Fushë-Kosovë. Unë e kam parë ata kur me rrëmbyen mu vet, e pashë në makinë, afër Novoselës, nuk e kam parë se ku ka qenë ai ku e kanë ndaluar”, tha dëshmitari.

Ndryshe, mbrojtja e Thaçit, përmes avokatit Luka Misteic ka përfunduar pyetjet për dëshmitarin Dragan Ivanisheviq.

Ndërsa, pyetjet për dëshmitarin i ka filluar mbrojtja e Jakup Krasniqit përmes avokatit, Victor Baiesu.

Mbrojtja e Thaçit e pyet dëshmitarin për vrasjen e 1 mijë civilëve në Vushtrri më 2 maj të 1999-ës

Gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit Dragan Ivanisheviq, mbrojtja e Hashim Thacit, Luka Misetic e pyeti nëse ai ka dëgjuar për vrasjen e 1 mijë civilëve të vrarë më 2 maj të 1999-ës në Vushtrri.

“Jo është herë e parë që e dëgjoj këtë. Është hera e parë që dëgjoj për këta 1 mijë persona”, tha dëshmitari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht pyetja u kundërshtua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ndërsa avokati Misetic tha se po përpiqet që të kuptoj se çfarë pjesëmarrje ka pasur dëshmitari në ngjarjet e 2 majit 1999-ës.

Mirëpo pyetja u lejua nga kryetari i trupit gjykues, ku Misetic pyeti dëshmitarin nëse është në dijeni për vrasje të civilëve në zonën e Vushtrrisë.

“Jo. Kam dëgjuar që janë vrarë civil dhe datën nuk e di dhe nuk e di sa persona. Kam dëgjuar që ka ndodhur vrasje individuale.”, tha dëshmitari, duke theksuar se ka dëgjuar me njerëz të cilët është shoqëruar, por jo persona nga njësiti i tij.

“Nuk mund të ua them me saktësi a kam dëgjuar nga personat që i njihja. Personat me të cilët shoqërohesha”, tha dëshmitari.

Dëshmitari Ivanisheviq: Burri që ishte në makinë me mua më tha se do të më ndodhë e njëjta gjë si Misho Begoviqit

Gjatë dëshmisë së tij, dëshmitari Dragan Ivanisheviq tha se pjesëtari i UÇK-së i cili ishte në makinë me të i kishte thënë që të mos ketë frikë sepse do t’i ndodhë e njëjta gjë sikur personit Misho Begoviq.

“Ndërsa unë po vozitja makinën time, ishte ulur pran meje. Ndër pyetjet që ai me beri me tha që ‘mos ki frikë’ do të ndodhi siç ndodhi me Misho Begoviqin”, tha Ivanisheviq.

Ndërsa, për Begoviqin, Ivanisheviq tha se ishte rrëmbyer nga UÇK-ja dhe ishte liruar me ndihmën e OSBE-së.

“E di, e dija që ai ishe liruar me ndihmën e OSBE-së. 3 ditë ose 4- 6 ditë pasi ishte rrëmbyer. Kjo ishte edhe në televizion”, tha Ivanisheviq.

Dëshmitari tha se me Begoviqin ishin takuar pasi ai ishte liruar.

“Nga çfarë tha ai më vonë kur u takuam, ajo se çfarë mu krijua mua si përshtypje ai nuk e dinte se ku ishte ndaluar vetëm se kur e kishin liruar e kishin sjellë diku afër fshatit të vetë, afër Qyqavicës”, tha ai.

Tutje, dëshmitari tregoi se çfarë i kishte thënë Begoviq pasi ishte liruar nga UÇK-ja.

“Po. Ai tha që e kishin marrë disa burra nga UÇK-ja, madje e njihte dikë që e kishte marrë atë në pyetje, në bazën e UÇK-së nga Vushtrria. Nuk ma ka përmendur emrin, ndoshta edhe ma ka përmendur, por mua nuk me kujtohet ky person. Misho duhet të jetë ndonjë shkurtim emri ose një nofkë. Neve i drejtohemi dikuj si ‘Misho’ në qoftë se e ka emrin e plotë Millosh ose Milovan, nuk ia di emrin e plotë. Ia njohë të birin e njoh atë nga pamja, nga fytyra,  njoh gjithashtu edhe të afërmit e tij”, tha tutje dëshmitari.

Ai tha se në kohën kur ishte në makinë me këtë pjesëtarin e UÇK-së, iu krijua përshtypja që ky i fundit nuk kishte asgjë në dorë.

“Ai me pyeti ndër të tjera për kushëririn tim. Me dha përshtypje se kishin punuar diku bashkë. Me pyeti se ku po punon ai tani. Më pas ai donte të me qetësonte, me tha mos u shqetëso, do të bëjmë të njëjtën gjë si Begoviqi. Mua mu kriju përshtypja sikur ai nuk kishte asgjë në dorë, këtë e thash duke u mbështetu në zërin që kishte apo tonin që përdorte deri sa fliste me mua”, tha ndër tjerash dëshmitari.

Dëshmitarit i prezantohet lista e vitit 2001 e personave të zhdukur në Kosovë, aty figuron emri i Velko Markoviq dhe ai i Nebojsha Gjuriq

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ia ka prezantuar dëshmitarit një listë të personave të zhdukur në ngjarjet në Kosovë, e cila ishte krijuar në mars të vitit 2001, ku figuron emri i Velko Markoviq dhe ai i Nebojsha Gjuriq.

Sipas ZPS-së, personat e zhdukur në këtë listë janë vendosur në mënyrë kronologjike sipas ditës së zhdukjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Është një listë e personave të zhdukur lidhur me një ngjarje në Kosovë e prodhuar në mars të 2001. Personat e zhdukur në këtë listë janë vendosur në formë kronologjike në bazë të datës së zhdukjes. Ivanisheviq janë vetëm dy shënime në këtë dokument që mbajnë datën 9 shkurt 1999 dhe është për Nebojsha Gjuriq dhe tjetri për Velko Markoviq dhe thuhet se secili prej tyre është parë për herë të fundit në Fushë-Kosovë”, tha prokurori.

Mirëpo, para se të prezantohej kjo listë, dëshmitari ishte pyetur se kur dhe në çfarë kohe Markoviq dhe Gjuriq janë parë për herë të fundit.

“E keni mësuar ndonjëherë se kur dhe në çfarë kohe, Markoviq dhe Nebojsha janë parë për herë të fundit?”, pyeti prokurori.

Ndërsa, dëshmitari ishte përgjigjur se për herë të fundit janë parë më 9 shkurt në një mbrëmje kur u larguan nga një kafene në Fushë-Kosovë.

“Për herë të fundit në një mbrëmje ishin në kafene dhe kur u larguan nga kafeneja rreth orës 4-5. Kafeneja ishte në Fushë-Kosovë. Më 9 shkurt”, tha dëshmitari.

Dëshmitari tha se në kohën kur ishte në makinën e UÇK-së, me Markoviqin, ai dukej si të ishte 35-vjeç.

“Ishte terr, por do të thosha se ishte rreth moshës 35 vjet, nuk jam i sigurt se ishte i vështirë të shikoja. Përafërsisht do të thoja që ishte 35 vjet”, tha dëshmitari.

Ndërsa, për rrëmbimin e tij, dëshmitari kishte thënë se janë marrë nga Prishtina dhe janë dërguar në Vushtrri pranë një vendi të quajtur Novosellë. Sipas dëshmitarit, Novosella ishte rreth 30 kilometra larg Prishtinës.

Sipas ZPS-së, Dragan Ivanisheviq kishte deklaruar se ai dhe Velko Markoviq ishin rrëmbyer nga UÇK-ja më 1999

(Përditësuar, ora 10:47)-  Zyra e Prokurorit të Specializuar gjatë seancës së të enjtes lexoi përmbledhjen e deklaratave që dëshmitari Dragan Ivanisheviq i kishte dhënë, ku thuhet se kishte deklaruar që më 9 shkurt 1999 së bashku me një person të quajtur Velko Markoviq ishin rrëmbyer nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

“Dëshmitarit Dragan Ivanisheviq po vinte nga Prishtina me makinë në mbrëmjen e 9 shkurtit 1999 kur e rrëmbyen disa burra të armatosur me uniformë të UÇK-së. Brenda një ore apo diçka e tillë, UÇK-ja e transportoi dëshmitarin nga një vend në tjetrin me një “Lada” të bardhë. Rrëmbimi i dëshmitarit përkoi me rrëmbimin nga UÇK-ja të Velko Markoviq. Dëshmitari e pa Markoviqin atë ditë disa herë dhe kur i mbajtën bashkë mbrapa një makine “Lada”, duke i çuar nga një vend tek tjetri”, tha prokurori.

Prokurori tha që sipas deklaratave, dëshmitari kishte arritur që të ikte, ndërsa Markoviq kishte mbetur i ndaluar, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Gjatë kësaj kohe, Markoviq i tha dëshmitarit ndër të tjerash se ishte polic, por se do t’iu thoshte kidnapuesve se do të punonte në hekurudhë. Z. Markoviq dhe dëshmitari arritën që ta hapin bagazhin dhe dëshmitari iku, ndërsa Markoviq vazhdoi të ishte i ndaluar nga UÇK-ja”, tha prokurori.

Tutje, ZPS-ja tha se dëshmitari kishte mësuar nga të tjerët se Markoviq ishte parë për herë të fundit më 9 shkurt 1999 dhe se nuk ishte kthyer më në shtëpi.

“Pasi iku, dëshmitari mësoi nga të tjerët, përfshirë edhe nga familja e Markoviq se Markoviqi ishte parë për herë të fundit po atë ditë që dëshmitari ishte rrëmbyer kur i ndali një makinë “Lada” e bardhë. Dëshmitari mësoi se Markoviq punonte si polic për hekurudhën, i njëjti informacion që i kishte treguar vetë Markoviq kur i mbanin bashkë në bagazhin e një makine “Lada”. Dëshmitari mësoi se Markoviq nuk ishte kthyer në shtëpi”, u tha nga ZPS.

Fillon dëshminë serbi Dragan Ivanisheviq në çështjen ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar dëshminë dëshmitari i 34-të, Dragan Ivanisheviq me kodin (W04043) në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Dëshmitari i 34-të është dëshmitar i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, të cilin ka filluar ta marrë në pyetje kjo e fundit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari do të zgjasë tërë ditën.

Sipas trupit gjykues, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka paraparë 1 orë kohë për t’a marrë në pyetje këtë dëshmitar, mbrojtja e të akuzuarve ka paraparë dy orë e gjysmë, ndërsa mbrojtja e viktimave nuk do të parashtrojë pyetje.

Disa deklarata të dëshmitarit, të dhëna pranë ZPS-së u pranuan si prova materiale të cilat u klasifikuan si publike.

Seanca e sotme në çështjen ndaj Thaçit dhe të tjerëve është duke vazhduar herë pas herë me mungesë të përkthimit në gjuhën shqipe.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Dragan Ivanisheviq dëshmon në rastin e Thaçit dhe të tjerëve

Të enjten po vijon seanca gjyqësore ndaj ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Para trupit gjykues po dëshmon serb Dragan Ivanisheviq, i propozuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS).

Ai është dëshmitari i 34-të.

Të mërkurën e ka përfunduar dëshminë ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj.

Për tri ditë rresht, në dëshminë e tij Dedaj i ka hedhur poshtë deklarimet e tij të mëparshme mbi pretendimet se ishte keqtrajtuar nga pjesëtarë të UÇK-së në fshatin Qirez, gjatë viti 1998.

Në Hagë vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, sot vazhdon gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve.

Ndryshe, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, dje (më 8 nëntor), Gjykata Speciale përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se Gjergj Dedaj ka përfunduar dëshminë e tij në Hagë.

Sipas njoftimit, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të rifillojë sot në orën 09:00 të mëngjesit ku edhe pritet të nisë edhe dëshmia e dëshmitarit tjetër të Prokurorisë.

“Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit Gjergj Dedaj, seanca e sotme në gjykatën Thaçi etj. gjykimi është shtyrë. Gjykimi do të rifillojë të enjten, më 9 nëntor 2023, në orën 09:00, kur pritet të nisë edhe dëshmia e dëshmitarit të radhës të SPO-së”, thuhet në njoftim.

Në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët, për këtë javë janë paraparë të mbahen katër seanca.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill kurse të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

Aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020. Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat