Pozitë e opozitë bashkë - Miratohet deklarata për sulmin në Banjskë, dështon propozimi për policët

Aktuale

Pozitë e opozitë bashkë - Miratohet deklarata për sulmin në Banjskë, dështon propozimi për policët

Më: 9 nëntor 2023 Në ora: 08:00 Përditësuar në ora: 17:16 më 09.11.2023
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi e përfundon seancën disaorëshe

Kuvendi i Kosovës pas disa orësh e ka përfunduar seancën e sotme.

Seancën e mbyllur e ka shpallur nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci.

Pika e fundit e kësaj seance ishte zgjedhja e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit serb.

Mirëpo, nuk u zgjodh asnjëri prej kandidatëve pasi votat ishin të pavlefshme të gjitha.

​Miratohet Projektligji për promovimin e përdorimit të burimeve të ripërtërishme të energjisë

Kuvendi i Kosovës sot ka miratuar më 64 vota Projektligjin për promovimin e përdorimit të ripërtërishme të energjisë.

Në seancën plenare, deputetët nga mazhoranca miratuan edhe raportin e Auditorit të Përgjithshëm për Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Kosovës, për vitin 2022.

Deputetët kanë hyrë në proces të votimit të fshehët për zgjedhjen e dy anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave.

Si dhe zgjedhjen e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit serb.

Miratohen rekomandimet e Auditorit për Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit 2022

Në Kuvendin e Kosovës janë miratuar rekomandimet lidhur me Raportin e Auditorit të Përgjithshëm për Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Kosovës, për vitin 2022.

Në favor të këtyre rekomandimeve kanë votuar 63 deputetë.

Asnjë nuk ka qenë kundër dhe nuk ka pasur asnjë abstenim, raporton Klan Kosova.

Ndërsa të pranishëm në sallë kanë qenë 66 deputetë.

Dështon propozim-rezoluta për mbështetjen urgjente financiare të Policisë

Ka dështuar që të miratohet në Kuvend propozim-rezoluta për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës.

Të pranishëm në sallë ishin 84 deputetë. 25 prej tyre kanë votuar për, kundër asnjë.

Kurse 59 deputetë kanë abstenuar.

“Nuk i merr shumicën e votave kjo rezolutë, kështu që nuk kalon”, ka thënë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Pozitë e opozitë bashkë – Miratohet deklarata në mbështetje të Rezolutës së PE-së për sulmin në Banjskë

Me 86 vota për, Kuvendi i Kosovës ka miratuar deklaratën në mbështetje të rezolutës të Parlamentit Evropian për sulmin në Banjskë. Ky votim erdhi pas rreth 40 minutave konsultime të shefave të Grupeve Parlamentare.

Shefi i GP të AAK-së Besnik Tahiri, e ka prezantuar para deputetëve Rezolutën, e cila përmban 8 pika.

“Në respekt të vlerave dhe parimeve demokratike, fuqizimit të partneritetit me vendet anëtare të BE-së, bashkëpunimit dhe me mekanizmat e vendeve të NATO-së, duke çmuar lartë mbështetjen e lartë të Parlamentit Evropian”.

“Kuvendi i Kosovës vlerëson lartë të gjitha qëndrimet politike të PE në lidhje me kërcënimet e integritet territorial të Kosovës nga Serbia. Nën dy, mbështet fuqishme thirrje e PE për ta mbajtur përgjegjëse Serbinë për sulm”, tha ai.

Më 24 shtator, një formacion ushtarako-policor serb kreu një sulm të armatosur në Banjskë të Zveçanit, ku si pasojë një rreshter i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë dhe një tjetër i plagosur.

Formohet Komisioni Ad-hoc për përzgjedhjen e dy anëtarëve të Bordit për Ankesa të Mediave

Është formuar Komisioni Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Bordit për Ankesa të Mediave.

Kryetare e këtij Komisioni është zgjedhur Blerta Deliu Kodra nga PDK-ja, ndërsa zëvendëskryetare në këtë Komision u caktuan Tinka Kurti nga VV-ja dhe Fidan Zhilta grupi multietnik.

Ndërkaq anëtarët janë:

Valon Ramadani- VV

Besmim Muzaqi- VV

Nijazi Izaku – VV

Fitim Haziri- VV

Floreta Zejnullahu -PDK

Agim Veliu -LDK

Armend Zemaj- LDK

Time Kadrijaj- AAK

Tahiri kërkon miratimin e një Rezolute, VV-ja zotohet se do të votojë pas konsultimeve

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka kërkuar sot për mbështetjen e miratimit të deklaratës në mbështetje të Rezolutës së Parlamentit Evropian të datës 19 tetor 2023 mbi zhvillimet e fundit në dialogun Serbi-Kosovë, përfshirë situatën në komunat veriore të Kosovës.

Ai tha se është e rëndësishme që të gjithë ta miratojnë këtë Rezolutë.

“ne kemi pasur një diskutim pas miratimit të Rezolutës së Parlamentit Evropian, rezolutë kjo që me 28 pika e dënon sulmin më 24 shtator dhe rrjedhimisht kërkon që të ketë një hetim ndërkombëtar për involvimin e shtetit serb më këtë temë dhe poashtu në shumë pika e sqaron rolin destabilizues të Serbisë në Ballkanin Perëndimor, lidhjet e saj me Rusinë dhe mbi të gjitha kërkon edhe nga vendet mosnjohëse të BE-së të marrin një vendim dhe të njohin Kosovën”, tha Tahiri.

E shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se kërkojnë një mbledhje për t’u koordinuar për përmbajtjen e kësaj Rezolute e më pas shprehi zotimin se do ta votojë edhe mazhoranca.

“Ne si grup i mazhorancës në parim jemi në mbështetje të asaj Rezolute, vetëm kërkojmë mirëkuptimin eedhe të z.Tahiri dhe tre shefave të grupeve tjera parlamentare dhe vetëm kërkojmë edhe një herë që të bëjmë një rishikim të përbashkët dhe që të kthehemi gjatë ditës dhe ta miratojnë. Nuk ka ndonjë çështje parimore që nuk pajtohemi vetëm duam që të jemi të gjithë në një vijë dhe të pajtohemi në tërësi me tekstin që është në përmbajtje të Rezolutës”, ka thënë ajo.

Nis seanca e Kuvendit

Ka nisur seanca e Kuvendit.

Në seancë është paraparë miratimi i deklaratës në mbështetje të rezolutës së Parlamentit Evropian të datës 19 tetor 2023, mbi zhvillimet e fundit në dialogun Serbi-Kosovë, përfshirë situatën në komunat veriore të Kosovës.

Kuvendi vazhdon seancën me 13 pika të papërfunduara

Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë sot (e enjte) seancën plenare.

Në seancën e cila pritet të nisë nga ora 10:00, është paraparë miratimi i deklaratës në mbështetje të rezolutës së Parlamentit Evropian të datës 19 tetor 2023, mbi zhvillimet e fundit në dialogun Serbi-Kosovë, përfshirë situatën në komunat veriore të Kosovës.

Në këtë seancë është paraparë edhe shqyrtimi i pikave të papërfunduara nga seancat plenare, të mbajtura më 19 tetor dhe 2 e 3 nëntor.

“Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Bordit për Ankesa të Mediave. Votimi i Propozim-Rezolutës për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës, votimi i Projekt-Rezolutës nga debati parlamentar në lidhje me nevojën për ngritjen e koeficientit të pagave, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-208 për Parqet Industriale dhe Teknologjike, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-237 për kadastër të pronës së paluajtshme, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-257 për Administrimin e Procedurave Tatimore, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-258 për promovimin e përdorimit të burimeve të ripërtërishme të energjisë, shqyrtimi i rekomandimeve lidhur me Raportin e Auditorit të Përgjithshëm për Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës, për vitin 2022, zgjedhja e dy anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave, zgjedhja e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit serb, miratimi i buxhetit të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje dhe shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat