ATK: Raporti i Progresit e ka vlerësuar lartë luftimin e evazionit fiskal

Aktuale

ATK: Raporti i Progresit e ka vlerësuar lartë luftimin e evazionit fiskal

Më: 9 nëntor 2023 Në ora: 15:33
Foto ilustrim

Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se është vlerësuar lartë në arritjet e luftimit të evazionit fiskal nga Raporti i Progresit i publikuar një ditë më parë.

Sipas një komunikate për medie të ATK-së, Raporti i Progresit, i cili u publikua dje nga Komisioni Evropian, e ka nxjerrë Administratën Tatimore të Kosovës në pozicionin jashtëzakonisht progresiv, duke vlerësuar lartë arritjet e bëra në fushat, të cilat kanë reflektuar në sistemin tatimor.

“Në kapitullin 16, në pjesën e tatimeve thuhet se Kosova ka një nivel të përgatitjes në fushën e tatimeve. Ajo ka arritur progres në zbatimin e inspektimeve tatimore të bazuara në rrezik në disa sektorë me rrezik të lartë dhe në digjitalizimin e shërbimeve. Rritja e masave për përmbushjen dhe formalizimin kanë çuar në rritjen e të ardhurave tatimore”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

“Vlerësim i jashtëzakonshëm në këtë raport i jepet rritjes dhe tejkalimit të mbledhjes së të hyrave, ku theksohet se “Progres i mirë është bërë gjatë periudhës raportuese në lidhje me mbledhjen e tatimeve, (mbledhjen e detyrueshme dhe përmbushjen). Gjatë periudhës qershor 2022 dhe prill 2023, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka mbledhur të hyra prej 728.7 milionë euro, 16.7% më të larta se e njëjta periudhë e një viti më parë”. Përveç të hyrave vend të rëndësishëm në vlerësim ka zënë edhe pjesa e luftimit dhe parandalimit te ekonomisë jo-formale, në të cilin specifikohet se gjatë periudhës raportuese ATK ka rritur aktivitetet për të luftuar ekonominë joformale, duke rritur numrin e vizitave përmbushëse, kontrollave dhe hetimeve të rasteve të dyshuara për evazion fiskal. Raporti vlerëson se këto aktivitete rezultuan me të ardhura shtesë prej 181.5 milionë euro për periudhën qershor 2022 – maj 2023, 17% më të larta se e njëjta periudhë e një viti më parë””, thuhet në komunikatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat