KDI: Pavarësisht ndërrimit të qeverive, Kosova po ballafaqohet me probleme të përsëritura

Aktuale

KDI: Pavarësisht ndërrimit të qeverive, Kosova po ballafaqohet me probleme të përsëritura

Më: 11 nëntor 2023 Në ora: 14:07
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë se stagnimet e evidentuara në Raportin e Progresit shpërfaqin një problematikë serioze të Kosovës – e cila pavarësisht ndërrimit të qeverisjeve, po ballafaqohet me probleme të përsëritura në raport me vlerat e qeverisjes demokratike, sundimit të ligjit dhe integritetit publik.

Eugen Cakolli, nga KDI theksoi se stagnimi në raport me luftimin e korrupsionit buron drejtpërdrejt nga performanca dhe efikasiteti shumë i dobët i gjyqësorit.

“Kultura e mosndëshkueshmërisë për vepra korruptive ka bërë që edhe zyrtarë të lartë publik – përfshirë ministra, zëvendësministra, deputetë, ambasadorë e udhëheqës të ndërmarrjeve publike – të dyshuar për korrupsion, të vijojnë të mbajnë pozitat e tyre, në kundërshtim me parimet themelore të integritetit të qeverisjes, që janë proklamuar vazhdimisht nga vet qeveria aktuale”, tha ai në konferencë për media.

Cakolli theksoi që Qeveria ende nuk ka një vizion të qartë për luftimin e korrupsionit, me faktin që edhe pse kanë kaluar dy vite qeverisje, ende nuk ka një Strategji kombëtare Kundër Korrupsionit. Ai shtoi se çalime serioze ka në zbatimin e Strategjisë për Sundimin e Ligjit dhe Deklaratës së përbashkët mes Ministrisë së Drejtësisë dhe krerëve të institucioneve të drejtësisë për reformën në drejtësi.

“Ky vit është karakterizuar nga ndërhyrje dhe sulme të vazhdueshme të ekzekutivit ndaj institucioneve të drejtësisë që janë bërë në forma e për arsye të ndryshme, duke përfshirë uljen e pagave, atakimin e procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, si dhe sulmeve ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve për raste gjyqësore”, tha Cakolli.

Sa i përket luftimit të korrupsionit në shpenzimin e parasë publike, Diana Metushi-Krasniqi, nga KDI shtoi se, raporti i BE-së për Kosovën konfirmon për disa vite me radhë stagnime serioze në fushën e prokurimit publik duke theksuar se nuk ka progres në përmbushjen e rekomandimeve nga viti në vit.

“Kapaciteti i dobët i institucioneve për të administruar prokurimin publik, monitorimin dhe zbatimin e kontratave, si dhe sistemet e dobëta të mjeteve juridike, vazhdojnë të theksohen si një problem për vite me radhë. Për më shumë, raporti ngrit shqetësime për rritjen e theksuar të përdorimit të procedurave të mbyllura. Një theks i veçantë i është vënë shpenzimeve të parave publike përmes procedurave të negociuara pa publikim paraprak në vlerë prej 78.56 milion”, tha ajo.

Duke iu referuar rëndësisë së sinjalizimit në luftimin e korrupsionit, Albesa Humolli-Geci, tha se në 2023 ka pasur avancim të kornizës ligjore për mbrojtjen e sinjalizuesve por që zbatimi praktik i këtij ligji është shumë i mangët, edhe nga institucionet publike edhe nga ato private.

“Nga monitorimet dhe intervistat e zhvilluara me zyrtarët e institucioneve publike, KDI ka gjetur se zbatimi i këtij ligji në institucionet publik është më tepër i orientuar në drejtim të përmbushjes së kërkesave formale ligjore për caktimin e zyrtarit përgjegjës për sinjalizim në institucione sesa që njëmend ka për qëllim të promovojë sinjalizimin si vlerë për luftimin e korrupsionit në institucionet publike në Kosovë”, tha ajo.

Humolli theksoi se mungesat pajustifikuara të deputetëve në seancat parlamentare dhe mbledhjet e komisioneve mbeten problematika kryesore, që po minon efikasitetin e këtij institucioni. Në rastet kur deputetët mungojnë pa arsye në seanca Kryesia duhet të zbatojë Ligjin për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit për ndalim të kompensimit dhe shpenzimet mujore të deputetëve. Ajo shtoi se Kuvendi sa më parë duhet të rikthejë votimin elektronik i nevojshëm për fuqizimin e transparencës dhe llogaridhënies.

Haxholli vijoi tutje edhe me vlerësimet për dialogun Kosovë-Serbi, për të cilat tha se nuk është ofruar transparencë nga ana e Qeverisë.

“Qeveria duhet të ofrojë transparencë ndaj publikut dhe Kuvendit, dhe konferencat për shtyp pas takimeve te dialogut e takimet me liderët politik nuk mund të jenë zëvendësim për obligimet kushtetuese që Qeveria i ka ndaj Kuvendit si institucioni më i lartë mbikëqyrës. Mungesa e informacioneve krijon hapësirën për informacione jo zyrtare duke rritur kështu ndjenjën e pasigurisë te qytetarët”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat