​Kërkohet konsensus politik për Asociacionin

Aktuale

​Kërkohet konsensus politik për Asociacionin

Më: 12 nëntor 2023 Në ora: 08:41
Foto ilustrim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duhet të koordinohet me partitë opozitare para se të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, mbi bazën e draft-statutit të modernizuar nga emisarët euro-amerikanë, thonë analistët politik. Sipas tyre është e domosdoshme që të arrihet një konsensus politik dhe shoqëror në Kosovë për parimet e themelimit të kësaj trupe institucionale brenda sistemit kushtetues të vendit.

Analisti politik, Artan Muhaxhiri thotë për KP se kryeministri Kurti e ka obligim të koordinohet me partitë opozitare para se të ndërmarrë hapa konkret për themelimin e Asociacionit.

Përveç kësaj, ai e sheh të nevojshme edhe diskutimin me shoqërinë civile dhe juristë të shquar vendor dhe ndërkombëtar për statutin e Asociacionit, pavarësisht se filtri i fundit për kushtetutshmërinë e tij do t’i takojë Gjykatës Kushtetuese.

Muhaxhiri: Kurti e ka obligim të koordinohet me opozitën para se të themelojë Asociacionin

“Asociacioni është një etapë jetike për shtetin e Kosovës sepse do të fuqizojë raportin e procesit të dialogut, por në anën tjetër do t’i ofroj edhe garancisë për serbët e Kosovës pas një lloj njohje që do të vjen nga ana e Serbisë me përfundimin e procesit të dialogut. Prandaj do të jetë pjesë e strukturës së re shtetërore të Kosovës, prandaj kjo është arsyeja pse kryeministri Kurti e ka obligative që në aspektin politik dhe moral që të koordinohet me opozitën dhe shoqërinë civile dhe ekspertë të ndryshëm që t’i harmonizojë qëndrimet e tij. Pa një validitet të përgjithshëm social dhe të diskursit publik në Kosovën nuk mendoj se mund të marrë vendimin final për Asociacionin”, thekson Muhaxhiri.

Nevojën për konsensus politik e thekson edhe Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

AI thotë, se parimet për Asociacioni duhet të jetë të përcaktuara qartë nga i gjithë spektri politik në Kosovë.

Fetahu: Duhet të ketë konsensus politik për Asociacionin

“Nëse diçka na ka mësuar dialogu Kosovë-Serbi është që këto 12 vite prej që ka filluar konsensusi ka qenë pika më e dobët e dialogut, pasi thuajse në të gjitha fazat nuk ka pasur konsensus të madh...Në këtë pikë kritike të dialogut Kosovë-Serbi është opsion ideal dhe racional që të tentohet të krijohet një konsensus minimal mbi këtë çështje. Ky konsensus minimal do të ishte që të dakordohet se mbi të cilat vija duhet të draftohet stauti i Asociacioni dhe si të shkohet në implementim. Kundërshti mund të ketë në aspekte të caktuara por duhet një konsensus në parime dhe pozicionet e Kosovës në këtë temë dhe deri kur do të jetë limiti në këtë temë. Kjo duhet të jetë mirë e përcaktuar nga i gjithë spektri politik në Kosovë pasi dialogu nuk është çështje vetëm i kësaj qeverie”, thotë Fetahu.

Më 21 tetor, emisarët euro-amerikanët paraqitën një plan të ri për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit, ku mes tjerash prezantuan një draft për zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes, që flet për vetëmenaxhimin e serbëve në Kosovë, rrjedhimisht themelimin e Asociacionit, të cilin kryeministri Kurti tha se është i gatshëm të nënshkruajë, krahas marrëveshjes bazë dhe aneksit, por që u tha se presidenti serb Aleksandër Vuçiq e refuzoi.

Gjatë kësaj jave në Kosovë qëndroi emisari i posaçëm i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, ku u dakordua që të ketë takim më 16 nëntor në Bruksel, në nivel të kryenegociatorëve.

Lajçak takoi edhe liderët opozitarë, të cilët thanë se janë njoftuar vetëm në terma të përgjithësuar për draft-statutin e Asociacionit dhe se nuk e kanë lexuar në tërësi, ku sipas tyre emisari evropian ka thënë se i njëjti është në përputhje me Kushtetutën e vendit.

Mbështetje më të madhe kryeministrit Albin Kurti për themelimin e Asociacionit mbi bazën e propozimit të modernizuar evropian i ka dhënë lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat