Krasniqi: Statuti i Asociacionit duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës

Aktuale

Krasniqi: Statuti i Asociacionit duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës

Më: 14 nëntor 2023 Në ora: 18:11
Pamje nga vendi i ngjarjes

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka zhvilluar sot takime të ndara me kryesinë e partisë, me deputetët e Grupit Parlamentar të PDK-së dhe me kryetarët e degëve, ku kanë diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend.

Ai ka shprehur shqetësimin e tij, për siç tha, mungesën e transparencës nga ana e kryeministrit Kurti në raport me procesin e dialogut, përkatësisht me draft-statutin e Asociacionit, për të cilin nuk ka ndarë akoma asnjë detaj me deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe me qytetarët.

Nga kjo parti tutje njoftojnë se Krasniqi tha se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të njoftohen zyrtarisht nga kryeministri i Kosovës për përmbajtjen e dokumentit që e ka pranuar, si dhe duhet ta dinë se deri në çfarë mase drafti i statutit të Asociacionit do ta ndryshojë rregullimin e brendshëm dhe karakterin unitar të shtetit tonë.

“Kryetari Krasniqi ka ripërsëritur qëndrimin se për PDK-në është i papranueshëm çfarëdolloj statuti, i cili e parasheh formimin e Asociacionit me kompetenca që bien ndesh me idealet themeluese të Republikës së Kosovës”.

“Gjatë këtyre takimeve u tha se regresi ekonomik, sanksionet ndërkombëtare dhe përkeqësimi i mirëqenies së qytetarëve janë vetëm disa nga pasojat, krahas dështimit në dialog, të cilat vijnë si rezultat i keqqeverisjes, arrogancës dhe aferave të vazhdueshme korruptive të zyrtarëve qeveritarë”, thuhet në kumtesën për media të PDK-së.

Tutje bëhet e ditur se Krasniqi i ka njoftuar zyrtarët e PDK-së edhe për takimin me të dërguarin e posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak javën e kaluar, të cilit i ka kërkuar që Bashkimi Evropian të heqë sa më parë sanksionet e padrejta ndaj Republikës së Kosovës.

Kreu i PDK-së ka thënë se në takimet e këtyre ditëve, ka shprehur qëndrimin konsistent se statuti i Asociacionit duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, të mos krijojë një nivel të ri të pushtetit dhe të mos ketë kompetenca ekzekutive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat