​Kurti: Mbi një mijë operacione policore kundër krimit të organizuar dhe mbi 3600 të arrestuar

Aktuale

​Kurti: Mbi një mijë operacione policore kundër krimit të organizuar dhe mbi 3600 të arrestuar

Më: 15 nëntor 2023 Në ora: 16:07
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Të gjitha komunitetet që janë në Kosovë duhet të jenë të përfaqësuara e të kontribuojnë në institucionet tona, u tha me rastin e shënimit të “Ditës së informimit për komunitetet” nga Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP).

Kryeministri Albin Kurti tha se profesionalizimi i kësaj akademie është rëndësishëm për mbrojtjen e kufijve tanë, në mënyrë që mallrat të jenë kontrolluara dhe kriminelët të ndëshkohen.

Ai shtoi se qe nga fillimi i mandatit të qeverisë, janë zhvilluar mbi një mijë operacione policore kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar, si dhe janë arrestuar mbi 3.600 persona.

Kurti: Policia janë populli dhe populli është policia

"Po angazhohemi që të ndërtojmë një shoqëri dhe shtet të sigurt, të ngremë dhe forcojmë kapacitetet tonë për të mbrojtur vendin dhe popullin tonë...Nga fillimi i mandatit tonë qeverisës janë zhvilluar mbi një mijë operacione policore kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës, janë shkatërruar 100 grupe kriminale dhe 16 laboratorë të drogës, si dhe janë arrestuar mbi 3.800 persona...Policia janë populli dhe populli është policia...Kjo vlen jo vetëm për policinë, por edhe për doganat, shërbimin korrektues, shërbimin sprovues, inspektoratin, si dhe për ata që menaxhojnë raste emergjente...Është e domosdoshme që të gjitha komunitetet të cilat janë në Kosovë të jenë të përfaqësuara e të kontribuojnë në institucionet tona. Në dogana 15 për qind e stafit janë nga komunitetet", tha Kurti.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla potencoi se institucionet e sigurisë kanë gjithmonë dyert e hapura për të gjithë ata që duan të ofrojnë siguri në sundimin e rendit dhe ligjit për qytetarët.

Sveçla: Kemi dyert e hapura për të gjithë që duan të kontribuojnë në siguri

"Institucionet tona të sigurisë i kanë gjithmonë dyert hapura për të gjithë ata e ato që duan të jenë faktorë në ofrimin e sigurisë në sundimin e rendit dhe ligjit për të gjithë qytetarët tanë e Republikën tonë të përbashkët...Në historinë e themelimit të institucioneve tona, në ngritjen dhe forcimin e përditshëm të tyre, pjesë e pandashme është kontributi i zyrtarëve tanë nga të gjitha komunitetet, të cilët në çdo ditë të punës së tyre, janë në shërbim të qytetarëve tanë pa dallim...Diversiteti është vlerë, andaj nisur nga ky parim i yni jam i lumtur që sot kemi në shërbim në uniformën e Policisë së Kosovës pjesëtarë nga të gjitha komunitete në të gjitha nivelet organizative të saj", potencoi Sveçla.

Ministri për Komunitete dhe Kthim (MKK) Nenad Rashiq, ka thënë se kjo akademi për të simbolizon një fillim dhe bashkëpunim për të gjithë. Ai theksoi se MKK-ja është në proces të strategjisë për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve.

Rashiq: Kjo akademi për mua simbolizon një bashkim për të gjithë

"Kjo shkollë, kjo akademi mua më simbolizon një fillim, një bashkim për të gjithë...Për një përparim, për një zhvillim, dhe për të ardhmen...Çfarë do të thotë për mua? Kjo akademi është besueshmëri, zgjedhje dhe ardhmëri...Edhe ne si Ministri për Komunitete dhe Kthim jemi në zgjedhjen e një dokumenti që është jashtëzakonisht i rëndësishëm... Ai dokument quhet 'Strategjia për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve'. Kjo më jep rast që t’ju ftoj të gjithë që të jeni pjesë e kësaj strategjie. Dokumenti apo strategjia është e rëndësishme sa edhe vetë njeriu”, tha Rashiq.

Ndërkaq, zëvendësues drejtori i Përgjithshëm i AKSP-së, Kastriot Jashari potencoi se kjo akademi e ka kultivuar frymën e bashkëpunimit me komunitete duke i bërë pjesë integrale në të gjitha proceset e kësaj akademie. Ai konsideroi se AKSP-ja tashmë e një kohë të gjatë e ka të natyralizuar bashkëpunimin e komuniteteve.

Jashari: AKSP-ja e ka kultivuar frymën dhe bashkëpunimin me komunitete

"Akademia tash e 23 vite, gjen një bashkëpunim me agjencitë e sigurisë publike dhe partnerët tanë ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë...E ka kultivuar frymën e bashkëpunimin me komunitete duke i bërë pjesë integrale të gjitha proceset tona në akademi, në fushën e trajnimeve, arsimit të lartë, dhe të gjitha aktiviteteve performuese që ne organizojmë në akademi. Konsideroj që akademia, si shtëpi e përbashkët e institucioneve të sigurisë publike, tashmë një kohë të gjatë e ka të natyralizuar bashkëpunimin dhe integrimin e komuniteteve në jetën tonë të përditshme", tha Jashari.

Ndryshe, Akademia e Kosovës për Siguri Publike është themeluar në shtator 1999. Fillimisht është quajtur Shkolla e Shërbimit Policor të Kosovës, më pas nga 2006 është quajtur Qendra e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim. Më 26 mars 2008, Akademia e Kosovës për Siguri Publike funksionon si agjenci ekzekutive e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ndërsa që nga dhjetori i vitit 2011 me miratimin e ligjit, bartë emrin Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP).

Sipas këtij Ligji, AKSP është institucion përgjegjës për ofrimin e trajnimeve dhe arsimit të lartë, zbatimin e politikave si dhe zhvillimin e kapaciteteve në fushën e sigurisë publike.

Akademia ofron trajnime dhe arsim të lartë për të gjitha institucionet e sigurisë publike, por pa u kufizuar vetëm në Policinë e Kosovës (PK), Shërbimin Korrektues të Kosovës (SHKK), Shërbimin Sprovues të Kosovës (SHSK), Doganën e Kosovës (DK), Agjencinë e Menaxhimit Emergjent (AME) dhe Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK).

Brenda vitit në AKSP trajnohen nga 12.000 deri në 13.000 zyrtarë të sigurisë publike në trajnime bazë, të avancuara dhe të specializuara. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat