Profesori nga Georgetown University: Nacionalizmi serb kërcënim për Bosnjën dhe Kosovën

Aktuale

Profesori nga Georgetown University: Nacionalizmi serb kërcënim për Bosnjën dhe Kosovën

Më: 15 nëntor 2023 Në ora: 20:34
Charles Kupchan

Rajoni i Ballkanit nuk po gjen qetësi për shkak të nacionalizmit serb.

Situata politike mbetet veçanërisht e brishtë në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku Presidenti i entitetit të Republikës Sërpska, Milorad Dodik, po kërkon shkëputjen nga Bosnja në mënyrë që të bashkohet me Serbinë.

Këto zhvillime politike në Bosnjë e Herzegovinë po i sheh si dramatike, profesori nga Georgetown Univeristy, Charles Kupchan.

Sipas tij nuk është vetëm Bosnja që po rrezikohet nga nacionalizmi serb por edhe Kosova.

“Padyshim që nacionalizmi serb ka qenë dhe vazhdon të jetë një kërcënim për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Pikërisht nacionalizmi serb në krye me Slobodan Millosheviqin i vuri flakën rajonit të Ballkanit gjatë viteve të 90-ta. Edhe tani e kemi një situatë të rrezikshme ne rajon, ku Presidenti i entitetit të Republikës Sërpska, Milorad Dodik, po luan rrezikshëm me karta nacionaliste. Ai konsideron se Republika Serbe duhet të jetë e pavarur në të ardhmen dhe se ai duhet të jetë presidenti i saj. Por dua ta them edhe një gjë, nacionalizmi serb nuk përbën shqetësim të madh vetëm për Bosnjën por edhe për Kosovën” , ka thënë ai.

Kupchan, thotë se Rusia është e interesuar ta destabilizoj rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Rusia është e interesuar që në rajonin e Ballkanit të mos ketë qetësi dhe prandaj e shtynë përpara nacionalizmin serb. Ka dëshmi të qarta kur Rusia tentoi ta pengonte anëtarësimin e Malit të Zi në strukturat e NATO-s. Moska është në kërkim të hapësirave për ta destabilizuar rajonin e Ballkanit sërish, prandaj është shumë e rëndësishme që Kosova ta mbyll njëherë e përgjithmonë kapitullin me Serbinë. Kësaj të fundit po i afrohen ditët kur do të duhet të zgjedh se në cilën rrugë do të vazhdojë, me Rusinë e Kinën apo me Perëndimin. Vuçiqit po i ngushtohen rrugët dhe do ta ketë të pamundur të vazhdojë të luajë me disa karta”, thotë ish-drejtori i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA – së.

Presidenti i Republikës Sërspka, Mirolad Dodik, është në listën e personave të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për korrupsion dhe shkelje të legjitimitetit dhe funksionalitetit të shtetit të Bosnje e Hercegovinës.

Në listën e sanksioneve amerikanë është futur edhe ish-Drejtori i Agjencisë për Siguri dhe Informacion i Serbisë, Aleksandar Vulin.

Vulin dhe Dodik kanë thënë hapur se synojnë ta krijojnë të ashtuquajturën “bota serbe” ku do t’i bashkojnë serbët kudo që jetojnë ata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat