Gashi: Mungesa e të dhënave rreth diasporës mbetet sfidë për shtetin e Kosovës

Aktuale

Gashi: Mungesa e të dhënave rreth diasporës mbetet sfidë për shtetin e Kosovës

Më: 17 nëntor 2023 Në ora: 18:38
Zëvendësministrja në Ministrinë për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Liza Gashi

Zëvendësministrja në Ministrinë për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Liza Gashi, ka thënë se mungesa e të dhënave për diasporën mbetet sfidë për shtetin e Kosovës.

Kështu ka thënë ajo në një intervistë në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, me rastin e dytës së dytë të “Ulpiana Forum” e cila është organizuar nga MPJD.

“Jo vetëm në këtë forum, por në çdo analizë që ne kemi bërë janë shumë të rëndësishme të dhënat. Kështu që të dhënat janë mungesa jonë kryesore si Republikë e Kosovës ndër vite në mënyrë që të dihen saktë detajet e qytetarëve tanë”, ka thënë Gashi.

Sipas saj, kjo nuk ndërlidhet vetëm me angazhimin e diasporës, por ndërlidhet edhe me ndërtimin e celulave të Kosovës jashtë vendit.

“Për t’u hapur një ambasadë apo konsullatë duhet të kemi një analizë të thuktë se pse po e hapim konsullatën në Dyseldorf apo në ndonjë qytet tjetër. Cila është kërkesa?. Kështu që  në këtë drejtim normalisht që numrat mbesin sfidë sepse për ta ndërtuar politika që janë të qëndrueshme, duhet të zhvillohen politika të bazuara në evidencë”, ka shtuar ajo.

Tutje, ajo ka theksuar se mungesa aktuale në të gjitha fushat ndërlidhet me bazën e dobët të të dhënave që ka ndërtuar ndër vite shteti i Kosovës.

“Këtu është hapi ynë i radhës ku duhet të fokusohemi, duhet të shohim mundësitë e inkuadrimit të mërgatës”, ka potencuar Liza Gashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat