​Abdixhiku shpalos Rrugën e Re: 5 miliardë euro për 4 vjet

Aktuale

​Abdixhiku shpalos Rrugën e Re: 5 miliardë euro për 4 vjet

Më: 19 nëntor 2023 Në ora: 19:35
Foto nga vendi i ngjarjes

Kryetari i sapozgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lumir Abdixhiku, ka shpalosur programin "Rruga e Re" para simpatizantëve të partisë.

Ai tha se Kosova shtet i pavarur dhe sovran, i anëtarësuar në NATO dhe BE, në miqësi të përhershme me SHBA-në është projekti i sotëm dhe do të jetë projekti i nesërm i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Abdixhiku tha se programi i tij ofron zotime dhe ambicie serioze për të mirën e jetës së qytetarëve dhe për një vend krenar.

Abdixhiku: Qytetarët të besojnë në Republikën e Kosovës

“Sot, mbi të gjitha nuk qëndroj para jush të them se jemi të varfër. Sot qëndroj para jush, me zotimin për një ambicie të madhe. Një zotim dhe ambicie, që ju fton, juve dhe secilin tjetër, të besojnë në Republikën e Kosovës”, tha Abdixhiku.

Ai premtoi se ambicia e madhe e partisë do të fillojë me plot pesë miliardë euro për katër vjet.

Abdixhiku: 5 miliardë euro për 4 vjet

Kjo ambicie e madhe e jona nis me pesë miliardë euro për 4 vjet... Për shëndet, për arsim, për zhvillim e mbrojtje, pra për rrugë, centrale, spitale e për shkolla. Pesë miliardë euro projekte që përcaktojnë Kosovën jo si një vend i zymtë, por si një vend shprese me hov ekonomik. Ky hov ekonomik mban emrin e rritjes prej 4 deri në 5 për qind çdo vit, mban emrin e një buxheti 4.5 miliardë euro si përfundim”, tha Abdixhiku.

Ai tha se e ardhmja e LDK-së mban emrin e rritjes së pagave që në ditën e parë, duke rritur koeficientin në 125.

Abdixhiku: Puna jonë mban emrin e rritjes së pagave që në ditën e parë

Puna jonë mban emrin e rritjes së pagave, prandaj, si zotim të parë, në këtë Konventë, jap rritjen e koeficientit, në 125 që në ditën e parë e 135 në atë të fundit. Ky zotim është real, ky zotim është i lehtë për ne. Por ndryshimi është i madh, është i vërtetë. Paga e mësuesit do të rritet nga 550 në 750, e mjekut të përgjithshëm nga 770 në një mijë, e policit nga 520 në 700, e ushtarit nga 550 në 750”, tha Abdixhiku.

Duke folur për vendimet që LDK-ja do t’i merr në ditën e parë të qeverisjes, Abdixhiku premtoi heqjen e TVSH-së për të gjitha produktet bazike.

Abdixhiku: Jemi më të pasur se kaq

Si shtet, nuk na duhet taksa nga sofrat familjare. Jemi më të pasur se kaq, jemi më të denjë se kaq. Në Rrugën e Re, pasuritë e Kosovës të dhuruara nga natyra e vetë Zoti, do të marrin vëmendjen tonë”, tha Abdixhiku.

Ndër tjera, Abdixhiku u zotua edhe për investime në ndërtimin e centralit me gaz me 500 milionë euro, 120 milionë euro investim në linjën e gazit Shkup-Prishtinë-Mitrovicë, një plan kombëtar për vetura elektrike, trajnimi i 40 mijë të rinjve në teknologji, kodimi si lëndë obligative në çdo shkollë, përfundimi i rrugëve dhe magjistraleve, si dhe unazën e kryeqytetit, e cila do të kushtojë 350 milionë euro.

Ai, po ashtu, ka premtuar edhe ndërtimin e një qendre të skijimit në Brezovicë dhe një tjetër në Dukagjin, duke thënë se nga 130 milionë euro investime gjithsej në turizëm, sikurse Borea, ashtu edhe Brezovica, do të bëhen shtëpi mikpritëse e mijëra turistëve çdo vjet, duke e bërë Kosovën një vend me të cilën mburren gjithherë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat