Haxhiu deklarohet pas dëshmisë për rastin Dehari: Po ta kisha emrin e kryerësve të veprës, s’do ta prisja ftesën e prokurorit

Aktuale

Haxhiu deklarohet pas dëshmisë për rastin Dehari: Po ta kisha emrin e kryerësve të veprës, s’do ta prisja ftesën e prokurorit

Më: 20 nëntor 2023 Në ora: 11:11 Përditësuar në ora: 15:22 më 20.11.2023
Albulena Haxhiu

Haxhiu thotë se prokurori po e mban peng rastin “Dehari”: Mundësitë për t’i ndjekur gjurmët e krimit kanë qenë dhe janë ende

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë për medie pas intervistimit në Policinë e Kosovës lidhur me rastin e Astrit Deharit, tha se prokurori Afrim Shefkiu po e mban peng rastin “Dehari”, ndërsa theksoi se veprimet e Prokurorisë në këtë rast kanë qenë minimale, përkundër që mundësitë për t’i ndjekur gjurmët e krimit kanë qenë dhe janë ende.

Haxhiu tha se gjatë intervistimit në Polici ka folur rreth një orë e gjysmë, ku ka përmendur shkeljet që janë hasur në këtë rast, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Haxhiu tha se prokurori special reagoi në shpejtësi ndaj deklaratës së saj. Por, theksoi se nuk ishte hera e parë që ka thënë diçka të tillë publikisht.

“Prokurori nuk ka treguar të njëjtin zell as ndaj reagimeve, ndaj  mosveprimeve apo veprimeve të gabuara”, tha Haxhiu.

Sipas saj, provë nuk është vetëm një emër i përveçëm.

“Prokurori duhet ta dijë që provë nuk është vetëm emri i përveçëm i personit të dyshuar për një vepër penale, por gjithçka tjetër që con te e vërteta”, tha Haxhiu.

“Po ta kisha emrin e kryerësit apo kryerësve të veprës penale, unë nuk do ta prisja ftesën e prokurorit për ta thënë emrin e personit që dyshohet. E kjo është puna e tij, për këtë paguhet nga taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, për këtë ai është prokuror të bëjë hetime, punën e tij unë s’mund ta bëj”, tha Haxhiu.

Ajo thekoi se shumë herë i thonë “nuk je prokurore” lidhur me reagimet për veprime apo mosveprime.

Haxhiu tha se ka arsye të mjaftueshme për t’u brengosur se nuk janë zhvilluar hetime të mirëfillta në rastin “Dehari”.

“Më lejoni t’i listoj disa, të gjitha këto i kam përmend gjatë dëshmisë time sot në Polici: deklaratat kundërthënëse nga ish-kryeprokurori Sylë Hoxha dhe ish-komandanti për Rajonin, Nexhmi Krasniqi që Astrit Dehari ka bërë vetëvrasje. A janë marrë në pyetje Sylë Hoxha dhe Nexhmi Krasniqi lidhur me atë pse kanë reaguar me aq shpejtësi që Astrit Dehari është vetëvrarë. Pra i kemi dy autoritete, një nga Prokuroria dhe një nga Policia, që kanë tentuar ta deformojnë drejtësinë, për ta pamundësuar zbulimin e krimit”, tha Haxhiu.

Ajo përmendi edhe publikimin e video-incizimeve dhe pyeti se a ka pasur hetim se kush i ka nxjerrë kamerat pa autorizim, kush ka planifikuar dhe kush ka ndihmuar të ndërmarrë diçka të tillë dhe se çfarë ka bërë prokuroria për këtë.

“Vdekja e dyshimtë e Astrit Makollit në Burgun e Lipjanit, a ka pasur hetime se për çfarë është ankuar i ndjeri Makolli në kuptimin shëndetësor dhe për çfarë arsye ka ndërruar jetë, edhe kjo është një provë. Adonis Gashi sa ishte në arrati, i njëjti përmes rrjeteve sociale deklaronte se e dinte çfarë ka ndodhur me Astritin dhe në rast se i jepej mundësia do të fliste. Pas arrestimit të serishëm të tij, i njëjti është marrë në pyetje sërish, por e ka kushtëzuar dhënien e deklaratave me rastin të cilin e vuan dënimin. Informatat e Adonis Gashit janë me peshë për procesin, si nuk gjendet mënyra për t’i pasur ato informacione”, deklaroi Haxhiu para medieve.Haxhiu theksoi se një shoku të dhomës së Deharit, i dënuar për vrasje i është hequr 3.5 vite të dënimit nga ish-Presidenti Hashim Thaçi.

“Ne raportin e fundit të Institutit Zviceran thuhet se trupi i Astrit Deharit është prova më e papërdorur në këtë rast.

“Çfarë ka bërë Prokuroria lidhur me këtë, a duhet të mbajë dikush përgjegjësi”, pyeti ajo.

Sipas saj, në raportin e parë thuhet se ka munguar mostra e thonjve, e këtë është dashur ta trajtojë prokurori i rastit se kush janë personat përgjegjës që kanë dërguar zarf në institut se kinse ka prova e brenda ka qenë i zbrazët.

“Në raportin e parë përmendet se një fije floku ka qenë në bluzën e Astrit Deharit por që e njëjta thuhet se asnjëherë nuk është trajtuar”, tha tutje Haxhiu, ndërsa theksoi se raporti ka konstatuar përfshirjen e personave të tretë, duke deklaruar se shkencërisht përjashtohet hipoteza e vetëvrasjes.

“Në raportin e fundit thuhet se janë dërguar prova të papërdorshme, që janë dëmtuar për shkak të ambalazhimit joprofesional”, thotë Haxhiu.

“Të nderuara media, kur jemi dëshmitarë të kaq shumë anomalive dhe nuk shohim as veprimin minimal të prokurorit që mban peng për më shumë që 5 vite rastin, patjetër që shtrojmë pyetjet përse nuk po zbardhet rasti Dehari. Pra, në drejtësi duhet dhënë llogari secili sipas përgjegjësisë”, tha Haxhiu.

Në këtë konferencë, ajo përmendi kompetencat që ka marrë MD lidhur me rastin dhe se për këto tha që është njoftuar edhe prokurori special.

“Veprimet e Prokurorisë kanë qenë minimale, ndonëse mundësitë për të ndjekur gjurmët e krimit kanë qenë dhe ekzistojnë ende. Prokurori Shefkiu, përveç që nuk e ka adresuar si duhet këtë rast, për më shumë se 5 vite, me arrogancë po i përgjigjet të gjithë atyre që duan drejtësi për Astrit Deharin” tha Haxhiu.

Ajo tha se prokrori me arrogancë reagoi edhe ndaj deklaratës së saj, të cilës tha se i qëndron prapa.

“Hetimet e mirëfillta janë domosdoshmëri, prokurori i rastit duhet të kryejë hetimet në mënyrë të ndërgjegjshme dhe të përpiktë dhe nëse kjo kërkesë për të është e pamundur që të realizohet, atëherë mos të bëhet personi që e pengon drejtësinë”, tha Haxhiu.

Ajo tha se nuk e kupton pse nuk u lejua avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi gjatë intervistimit të saj në Polici.

Haxhiu për rastin Dehari: Do ta ripërsëris atë që e kam thënë, le të më ftojnë sërish

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka folur pas intervistimit të saj nga Prokuroria Speciale për rastin Dehari.

Ajo e ka kritikuar prokurorinë që ka vepruar vetëm minimalisht për të ndjekur gjurmët në rastin në fjalë.

“Veprimet e prokurorisë kanë qenë minimale ndonëse mundësitë për të ndjekur gjurmët e krimit kanë qenë dhe ekzistojnë ende”, ka thënë Haxhiu në konferencë për media.

“Prokurori Shefkiu përveç se nuk e ka adresuar siç duhet këtë rast për më shumë se pesë vjet, me arrogancë po u përgjigjet të gjitha atyre që duan drejtësinë për Astrit Dehari”.

Haxhiu ka thënë që ajo do ta ripërsërisë atë që e ka thënë dhe është e gatshme të ftohet sërish nga prokuroria, mirëpo kërkoi nga prokurori që nëse nuk mundet ta trajtojë rastin si duhet, atëherë le t’ia kalojë rastin dikujt tjetër që sipas saj e do drejtësinë për Deharin.

“Prokurori Shefkiu asnjëherë nuk e ka marrë mundin që t’u përgjigjet thirrjeve të avokatit të familjes për të informuar më shumë familjen e Astritit lidhur me punën dhe hetimet që po bëhen, me arrogancë reagoi edhe ndaj deklaratës sime të cilës i qëndroj dhe e ripërsëris sa herë të jetë nevoja”

“Le të më ftojë sërish për të dëshmuar. Do t’i përgjigjem njësoj sa herë të jetë nevoja”.

“Hetimet e mirëfillta janë domosdoshmëri, dhe prokurori i rastit duhet t’i kryejë hetimet në mënyrë të ndërgjegjshme dhe të përpiktë, dhe nëse kjo kërkesë për të është e pamundur të realizohet, atëherë të mos bëhet personi që e pengon drejtësinë”.

“Le të kalojë kjo lëndë në duart e prokurorëve që e duan drejtësinë, edhe në Kosovë, por edhe drejtësinë për rastin Dehari”.

Haxhiu për dëshminë në rastin Dehari: Po ta kisha emrin e kryerësve të veprës, s’do ta prisja ftesën e prokurorit

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot ka dëshmuar para Prokurorisë Speciale në lidhje me rastin Dehari.

Ajo pas dhënies së kësaj dëshmie ka mbajtur një konferencë për media, duke thënë se po ta kishte emrin e kryerësve të veprës penale, s’do ta priste ftesën e prokurorit.

Haxhiu tutje u shpreh se prokurori është ai që duhet të bëjë hetime.

“Po ta kisha emrin e kryesit apo kryersve të veprës penale, unë nuk do ta prisja ftesën e prokurorit për ta thënë emrin e personit që dyshohet, e kjo është puna e tij, për këtë paguhet nga taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, për këtë ai është prokuror, që të bëjë hetime, punën e tij unë nuk mund ta bëjë”, u shpreh ajo.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat