​Stoltenberg: Sulmet në veri të papranueshme, mbështesim dialogun

Aktuale

​Stoltenberg: Sulmet në veri të papranueshme, mbështesim dialogun

Më: 20 nëntor 2023 Në ora: 18:15
Jens Stoltenberg

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku u vra rreshteri policor, Afrim Bunjaku, është i papranueshëm dhe po ashtu arsyeja pse KFOR-i ka rritur praninë në Kosovë. Ai ka nënvizuar nevojën që përgjegjësit për këtë sulm dhe po ashtu sulmin ndaj 93 ushtarëve të KFOR-it, në maj të mbajnë përgjegjësi.

Stoltenberg gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, tha se aleanca po shqyrton nëse duhet të ketë një shtim të përhershëm të pranisë së saj ushtarake në Kosovë, pas shpërthimit të dhunës në shtator.

Stoltenberg: Sulme të tilla të dhunshme janë të papranueshme, përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi

“Në shtator ne pamë një shpërthim serioz dhune në veri të Kosovës, duke ngritur shqetësime se konflikti i gjerë mund të kthehet në Ballkanin Perëndimor. Dhe në maj trupat tona të KFOR-it u sulmuan dhe lanë 93 ushtarë të NATO-s të plagosur, disa rëndë, disa të plagosur përjetë. Sulme të tilla të dhunshme janë të papranueshme. Ata që janë përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi. NATO u përgjigj me shpejtësi. Ne kemi dislokuar një mijë trupa shtesë në Kosovë. Ne dërgojmë armaturë më të rëndë dhe kemi shtuar patrullimet në veri. Këto janë hapa të dëshmuar që sigurojnë që KFOR-i të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij të OKB-së në çdo kohë”, tha ai.

Në konferencën e përbashkët për medie me presidenten Osmani, Stoltenberg përmendi edhe marrëveshjen e vitit 2013 mes Kosovës dhe NATO-s, në bazë të së cilës Forca e Sigurisë e Kosovës nuk duhet të vendoset në veriun e banuar me shumicë serbe të Kosovës, pa pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it. Ai madje tha se presin konsultim paraprak edhe për çdo veprim të policisë në veri.

Stoltenberg: FSK-ja në veri kërkon pëlqimin e NATO-s, presim konsultimin dhe për çdo veprim të policisë

“Ne të gjithë bëjmë atë që është e nevojshme për të ruajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë. Stabiliteti në rajon varet nga të gjitha palët që zgjedhin diplomacinë në vend të dhunës dhe respektimin e angazhimeve ekzistuese. Çdo dislokim i Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri të Kosovës kërkon pëlqimin e KFOR-it dhe presim konsultime me kohë për çdo veprim të Forcës së Sigurisë së Kosovës, apo Policisë së Kosovës që mund të ndikojë në sigurinë rajonale. Dekada të paqes së fituar me vështirësi nuk duhet të rrezikohet”, theksoi ai.

Megjithatë, ai tha se NATO nuk është një institucion ligjzbatues dhe se një gjë e tillë i takon Policisë së Kosovës dhe EULEX.

Stoltenberg: NATO-ja nuk është një institucion ligj zbatues

“Kjo është arsyeja që e kishim rritur ndjeshëm praninë me 1000 trupa më shumë, që është forca më e madhe e KFOR-it në Kosovë për të paktën një dekadë dhe kjo pasqyron se sa seriozisht mendojmë për të dyja incidentet, në dhunën e majit dhe të shtatorit. Pastaj, natyrisht, NATO-ja nuk ka një institucion ligj zbatues, kjo është për policinë e Kosovës, është për EULEX-in dhe sigurisht, këto çështje do t'i ngrit edhe në takimet e mia në Serbi nesër. Pra, ne vetëm presim që ata që janë përgjegjës për këtë dhunë absolutisht të papranueshme të merren parasysh dhe ky ka qenë mesazhi i NATO-s, mesazhi im që nga maji dhe më pas përsëritet sigurisht pas dhunës në shtator dhe është e rëndësishme që ajo të ketë pasoja sepse ne kemi nevojë për çdo gjë që mundemi për të siguruar që kjo lloj dhune të mos përsëritet më”, shtoi ai.

Ndërkaq nënvizoi mbështetjen për dialogun Kosovë-Serbi.

Rama: NATO mbështet fuqishëm dialogun e lehtësuar nga BE-ja

“NATO mbështet fuqishëm dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe të dyja palët duhet të angazhohen në mirëbesim. I mirëpres propozimet e fundit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ky do të ishte një hap kyç drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe drejt paqes dhe prosperitetit të qëndrueshëm në rajon.

I pyetur për anëtarësimin e Kosovës në partneritetin për paqe të NATO-s, ai tha se kjo gjë është diskutuar, mirëpo kërkon vendim unanim nga të gjithë aleatët.

Stoltenberg: Anëtarësimi në partneritet për paqe kërkon vendim unanim nga të gjithë aleatët e NATO-s

“Anëtarësimi në partneritet për paqe kërkon vendim unanim nga të gjithë aleatët e NATO-s, kjo çështje është diskutuar dhe të gjitha aspiratat e Kosovës, por siç thatë ju, kjo kërkon një vendim nga të gjithë aleatët e NATO-s”, përfundoi ai

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat