Lansohet fushata për imazhin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional

Aktuale

Lansohet fushata për imazhin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional

Më: 21 nëntor 2023 Në ora: 13:36
Albin Kurti

Me qëllimin kryesor për të investuar për burimin tonë më të vlefshëm, rininë, sot u lansua fushata për imazhin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional, ngjarje në të cilën mori pjesë kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Rritja dhe diversifikimi i ekonomisë sonë, dyfishimi i investimeve të huaja direkte, ulja e inflacionit e rritja e shifrave të punësimit, janë dëshmi e qëndrueshmërisë, punës dhe angazhimit të përbashkët të institucioneve, ndërmarrjeve dhe punëtorëve të Kosovës.

Duke u gjendur para kryqëzimit të ndryshimeve globale dhe rritjes ekonomike në vendin tonë, ku kërkohet një fuqi punëtore e aftë, e adaptueshme dhe inovative, kryeministri Kurti theksoi se Arsimi dhe Aftësimi Profesional është thelbësor për mirëqenien sociale. Kësisoj, bashkëpunimi ynë me Qeverinë gjermane tregon rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në ndërlidhjen e arsimit me tregun e punës.

“Duke mësuar nga modeli gjerman, qeveria jonë synon të integrojë praktikat më të mira me kontekstin tonë unik; një sistem i cili i përgjigjet nevojave të ekonomisë dhe shoqërisë sonë, por edhe potencialeve të vendit tonë. Këtu bashkëpunimi i ngushtë mes kompanive, shoqatave përkatëse, shkollave profesionale, nxënësve por edhe prindërve tonë, është parakusht i çdo përpjekjeje institucionale për ndërtimin e sistemit dual”, tha kryeministri gjatë fjalës së tij.

Përveçse do të plotësohen vendet e lira të punës, duke zhvilluar dhe pilotuar sistemin dual, tashmë në 12 profile, në 21 shkolla e në 14 komuna, njëherit po ndërtojmë themelin për të mësuarit gjatë gjithë jetës.

Përmes kësaj fushate, kryeministri rekomandoi që kompanitë t’i adresojnë propozimet e tyre te Ministria e Arsimit dhe te shkollat përkatëse në komunat e tyre, ndërkaq odat t’iu ndihmojnë kompanive anëtare në mbledhjen e kërkesave që nga viti shkollor 2024/25 të kemi hapësira të mjaftueshme nëpër shkolla profesionale për t’i përgatitur nxënësit.

Në anën tjetër, për nxënësit dhe prindërit kjo fushatë është një thirrje për të njohur mësimin dhe sistemin dual si një rrugë e qëndrueshme dhe e vlefshme drejt suksesit personal e profesional, pasi siç tha kryeministri, sistemi dual do të thotë edhe karrierë, jo vetëm aftësim.

Zbatimi i AAP-së, pra ofrimi i mundësisë për çdo të ri e të re për të ndjekur shkollimin profesional dhe të mësojë zanatin që dëshiron, është një premtim kyç i Qeverisë, i cili premton fuqi punëtore të kualifikuar për industritë tona që rrjedhimisht i shërben rritjes ekonomike dhe sociale në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat