Kurti – ministrave: Koha për t’i përmbushur zotimet po pakohet, liberalizimi i vizave, meritë e qeverisjes sonë

Aktuale

Kurti – ministrave: Koha për t’i përmbushur zotimet po pakohet, liberalizimi i vizave, meritë e qeverisjes sonë

Më: 22 nëntor 2023 Në ora: 11:02
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti foli në fillim të mbledhjes së sotme me ministrat për punët e Qeverisë së udhëhequr prej tij, ndërsa kujtoi se tashmë ka kaluar shumica e mandatit.

Kurti tha se “nesër bëhen 32 muaj” të qeverisjes së tij, apo “2/3 e mandatit 4-vjeçar”, duke iu folur ministrave për reflektim mbi arritjet, por edhe mbi atë “çfarë nuk është bërë”.

“Janë datat si këto që na shërbejnë si moment reflektimi mbi atë se çfarë kemi arritur si ekip, por edhe na kujtojnë se koha për të përmbushur zotimet tona dhe për të respektuar pritjet e qytetarëve tanë brenda mandatit të parë, sa vjen e pakohet”, tha Kurti.

“E meqë çdo ditë na përkujtohet secilit prej nesh se çfarë nuk është bërë e çfarë ka mbetur të bëhet, sot po e shfrtytëzoj rastin të përmend vetëm disa gjëra, jo të gjitha, që i kemi bërë”, tha ai.

Këtu, Kurti përmendi liberalizimin e vizave, duke thënë se pasaporta e Kosovës do të fuqizohet nga 1 janari.

“Kjo arritje, përveçse meritë e kahmotshme e qytetarëve tanë, është edhe rezultat i ligjshmërisë, i reformave, luftimit të korrupsionit dhe praktikave korruptive, e i qeverisjes sonë të mirë me imazh të lartësuar ndërkombëtarisht”, tha ai.

Kryeministri foli edhe për arsimin publik falas, ndërsa tha se “po e lidhim shkollimin profesional me tregun e punës përmes arsimit dual”. Arsimi dhe aftësimi profesional “është njëri nga projektet më të mëdha të transformimit të ekonomisë sonë”, tha ai.

Ushtrinë, Kurti tha se e kanë bërë “më të fortë se kurrë”.

“Krahas rrugëve, po ndërtojmë hekurudha”, tha ndër tjerash Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat