Mbrojtja e Pjetër Shalës - ZPS-së: Kemi parë pyetje tendencioze, kjo cenon besueshmërinë e dëshmitares

Aktuale

Mbrojtja e Pjetër Shalës - ZPS-së: Kemi parë pyetje tendencioze, kjo cenon besueshmërinë e dëshmitares

Më: 22 nëntor 2023 Në ora: 17:10
Pjetër Shala

Gjatë marrjes në pyetje të dëshmitares Safete Hadergjonaj nga përfaqësues të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), avokati i Pjetër Shalës, Mohammed Hedi-Aouini pati një kundërshtim, pasi tha se janë duke parë pyetje tendencioze nga ana e prokurores Gaia Pergiolo dhe se kjo është diçka që cenon besueshmërinë e dëshmitares.

“Kam një kundërshtim, besoj që kemi parë disa pyetje tendencioze që kanë 15 e 20 minuta që vazhdojnë tani. Nuk po shohim fare relevancën në gjithë këtë, nuk e shoh, nuk e konsiderojmë asnjë përpjekje për të vënë në dyshim besueshmërinë, nuk po e kuptoj dot, ka dalë përtej kuadrit, thashetheme pas thashethemi çka u dëgjua. Ne nuk e trajtuam këtë temë, nuk buron prej nesh. Kjo është diçka që cenon besueshmërinë e dëshmitares”, tha Heidi-Aouini.

Sipas tij, nëse ka diçka për ta ballafaquar dëshmitaren, le ta bëjnë, por sipas tij nuk po e kuptojnë se ku do të dalin, pasi mendon është zgjatur shumë.

Lidhur me kundërshtimin e avokatit Aouini, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia tha se është ajo që vendos për kohëzgjatjen. Kështu, ajo kërkoi nga prokurorja Pergolo që të përmbyllë këtë listë të pyetjeve.

“E vendos unë sa gjatë ka qenë megjithatë e marrë parasysh kundërshtimin tuaj avokat. Zonja prokurore në fakt unë i lejova pyetjet, por edhe ne mendojmë se ka ardhur momenti që ta përfundojmë këtë listë pyetjesh, nuk pajtohem me mbrojtjen, por nga ana tjetër mendoj se duhet ta përmbyllni këtë pjesë ose ta bëni të qartë se pse duhet të vazhdoni me këtë linjë pyetjesh”, tha gjykatësja

Ndërsa, prokurorja Gaia Pergolo tha se këto pyetje synojnë të testojnë besueshmërinë e dëshmitares, Safete Hadergjonaj.

“Po përpiqeshim të krijojmë një panoramë më të qartë në raport me dëshmitë e tjera që kemi në dosjen gjyqësore”, tha Pergolo.

Përpara këtij kundërshtimi, prokurorja ishte duke e pyetur dëshmitaren lidhur me një grua të quajtur Fitnete Ramosaj, për të cilën ajo tha se e ka pasur nxënëse.

“E kam njoftë, por ajo nuk jeton tash. Lavdi pastë. Ka qenë një aktiviste jashtëzakonisht e mirë, e kam njoftë si nxanëse, por unë kam qenë si profesoreshë”, tha Hadergjonaj duke shtuar se Ramosaj ka qenë nga fshati Carabreg.

E pyetur se pasi ka përfunduar gjimnazin, a ka dëgjuar për Fitnete Ramosaj, Hadegjonaj tha se nuk ka informata.

“Pasi e ka kry gjimnazin ajo unë nuk kam informata lidhur me të”, tha dëshmitarja Hadergjonaj.

Hadergjonaj tha se ka pasur mundësi që ta shohë Fitnete Ramosajn në ndonjë tubim, por që nuk i kujtohet që i ka rastisur që të flas me të.

“Nuk më kujtohet që e kam taku, nuk e di. Ndoshta për ndonjë tubim kur ka mbajtë naj fjalim kam qenë pjesë e tubimit por nuk më kujtohet që jam taku me bisedu me ta. Saktësisht nuk muna me e kujtu se është kohë e gjatë, por ajo më kujtohet që menjëherë pas lufte diku ka mbajtë fjalim, ka lexu fjalim për dëshmoret, e kam pa prej largu dhe nuk kam pas rast me fol me të“, tha dëshmitarja Safete Hadergjonaj.

Prokurorja insistoi në pyetjet e saj, duke e pyetur sërish Hadergjonaj se gjatë luftës a ishte takuar ndonjëherë me Ramosajn.

“S’kam pas ku me e taku unë, kam qenë në Shqipëri”, tha Hadergjonaj duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores.

Kurse, pyetur se a e njeh një person me emrin Muhamet Latifi, Hadergjonaj u përgjigj me “Jo”. Vlen të theksohet se gjatë sesionit të pasdites, u paraqitën probleme me transkriptin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat