Dita e dytë e Samitit III të Diasporës, të pranishëm Rama e Osmani, mungon Kurti/ Ky është mesazhi i presidentëve

Aktuale

Dita e dytë e Samitit III të Diasporës, të pranishëm Rama e Osmani, mungon Kurti/ Ky është mesazhi i presidentëve

Më: 23 nëntor 2023 Në ora: 09:11 Përditësuar në ora: 11:15 më 23.11.2023
Vjosa Osmani

Begaj nga Samiti i Diasporës premton të drejtë vote për mërgatën

Tirana është nikoqire e Samitit të Tretë të Diasporës, aktivitet ky që mbahet si shenjë mirënjohje ndaj bashkatdhetarëve  të cilët ndër vite kanë kontribuar nga vende anekënd botës për Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, gjatë adresimit të tij para të pranishmëve ka thënë se diaspora është promoterja më eminente e kulturës dhe identitetit tonë. Duke theksuar se shqiptarët e diasporës përherë kanë kontribuuar për atdheun e tyre, ai ka bërë thirrje për bashkëpunim të vazhdueshëm me shtetin shqiptar.

“Unë do të vijoj të mbështes punën e nisur nga institucionet shqiptare për shpërndarjen e librave shqip nga autoritetet shtetërore për komunitetet shqiptare në diasporë. Fëmijët duhet të kenë mundësi të mësojnë shqip kudo që të jenë”, ka theksuar Begaj.

Sipas tij, Shqipëria mund të jetë e kompletuar kur shqiptarët e diasporës ndjehen dhe kanë të drejta të plota në vendin e tyre. E një nga format që ai ka përmendur është përfaqësimi politik.  

“Qytetarët shqiptarë jashtë vendit duhet të kenë mundësi ta ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar, pa pasur nevojën të vijnë në Shqipëri. Kjo do të kthejë diasporën në aktore të drejtpërdrejtë të konfigurimit politik e administrativ”, ka theksuar presidenti shqiptar.

Samiti i Diasporës në Tiranë, mungon Kurti! Të pranishëm Rama e Osmani

Ditën e sotme në Tiranë do të mbahet dita e dytë e Samitit III të Diasporës. Të pranishëm do jenë përfaqësues të lartë të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe mbi 2 mijë bashkatdhetarë nga diaspora.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mungon, ndonëse ishte parashikuar që do merrte pjesë. E pranishme do të jetë presidentja Vjosa Osmani.

Pjesë nga agjenda

10:10 – Z. Igli Hasani- Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme
10:20 – Z. Bajram Begaj – President i Republikës së Shqipërisë
10:50 – Znj.Vjosa Osmani-Sadriu – Presidente e Republikës së Kosovës
11:00 – Z Ali Ahmeti – Kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim
11:05 – Z. Nik Gjeloshaj – zv/Kryeministër për Politikat Ekonomike dhe Ministër i Zhvillimit Ekonomik i Malit të Zi
11:10 – Z. Shqiprim Arifi – Kryetar i Komunës Preshevë/Kryetar i partisë Alternativa për Ndryshim
11:15 – Z. Mark Gjonaj – Kryetar i Këshillit Koordinues të Diasporës, SHBA
11:20 – Z. Edi Rama – Kryeministër i Republikës së Shqipërisë

Osmani në Samitin e Diasporës në Tiranë: Për kauzën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës duhet dhe do të jemi një

Presidentja Vjosa Osmani tha se “Mërgata shqiptare është padyshim shtylla e lëvizjes kombëtare për liri e pavarësi të shqiptarëve”.

Në një fjalim në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, ku po mbahet edicioni i tretë i Samitit të Diasporës, Osmani tha se “mërgata jonë është sublimim i përpjekjeve të gjata e të kahershme për liri, pavarësi e shtetndërtim”.

Osmnani e theksoi këtu edhe gjendjen jo të mirë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Tha se në mbështetje të kauzës së tyre “duhet dhe do të jemi një”.

“Përderisa jemi mbledhur sot të gjithë këtu, të mos harrojmë se vëllezërit dhe motrat tona në Preshevë, Medvexhë e Bujanoc akoma përballen me diskriminim sistematik, që rezulton edhe me spastrim etnik nëpërmjet mjeteve administrative. Si gjithmonë, ju themi edhe sot: ju nuk jeni vetëm. Të gjithë jemi bashkë me ju në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvexhë e Bujanoc. Prandaj edhe në këtë kauzë për mbrojtjen e tyre duhet dhe do të jemi një”, tha Osmani.

Presidentja e Kosovës foli për “roli historik i mërtgatës shqiptare”, duke përmendur se si gjatë luftës në Kosovë, “shumë të rinj e të reja nga mërgata iu bashkuan vargonit të lirisë duke u mobilizuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si mbrojtës të vendit tonë”.

Osmani merr pjesë në Samitin III për Diasporë

Presidentja e Republikës së Kosovës, me ftesë të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ka udhëtuar për në Tiranë ku do të marrë pjesë në Samitin III për Diasporë.

Në këtë Samit, pritet të marrin pjesë liderë institucionesh, partish politike, studiues dhe historian nga gjithë hapësira shqiptare, duke përfshirë edhe përfaqësues dhe figura të njohura të komunitetit arbëresh.

Presidentja Osmani në Samitin III për Diasporën, do t`i adresohet të pranishmëve me një fjalim.

Samiti III për Diasporën do t`i zhvillojë punimet më 22-23 nëntor. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat