Hoti thotë se shtyrja e regjistrimit të popullësisë sjell pasoja, i liston ato

Aktuale

Hoti thotë se shtyrja e regjistrimit të popullësisë sjell pasoja, i liston ato

Më: 23 nëntor 2023 Në ora: 16:57
Avdullah Hoti

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë që shtyrja e regjistrimit të popullësisë mund të sjellë shumë pasoja.

“Regjistrimi i popullsisë është bazë për vendimmarrje të sektorit publik sa i përket: përfaqësimit të barabartë, shpërndarjes të drejtë të të mirave dhe shërbimeve publike, planifikimit të duhur të shërbimeve arsimore, shëndetësore, infrastrukturore, të sigurisë etj. Në sektorin privat, të dhënat nga regjistrimi i popullsisë janë jetike për planifikim të biznesit, të investimeve dhe të rrjetit të përgjithshëm të ofertës”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Hoti i ka listuar disa prej pasojave të mundshme në rast të shtyrjes së regjistrimit të popullësisë.

“1. Nuk sigurohet shpërndarje efektive e buxhetit/burimeve për shkolla, spitale, infrastrukturë dhe shërbime të tjera publike pasi numri i popullsisë është bazë për planifikimin sektorial të shpenzimeve buxhetore dhe grantit qeveritar për komuna. Disa komuna nuk marrin mbështetjen e duhur dhe, rrjedhimisht, nuk mund të ofrojnë shërbime në mënyrë efektive”.

“2. Nuk mund të bëhet planifikim i saktë për vendimmarrrje efektive nga ana e bizneseve lidhur me investimet, tregjet dhe strategjitë e biznesit. 3. Është e pamundur të hartohen programe sociale dhe të ofrohet mbështetje adekuate për grupet në nevojë”.

“4. Rrezikohet besueshmëria e të dhënave të tjera, përfshirë edhe Produktin e Brendshëm Bruto për kokë banori. Për më tepër, duke pasur parasysh se të dhënat nga regjistrimi shërbejnë për përcaktimin e mostrave për anketimet e shumta që bën Agjencia e Statistikave gjatë vitit, atëherë mostrat mund të mos jenë përfaqësuese e popullacionit përkatës dhe, rrjedhimisht, të dhënat për buxhetet familjare, për tregun e punës, për konsumin e të tjera, mund të mos jenë të sakta”.

“5. Pamundësohet krahasimi i trendeve në Kosovë dhe vendet e tjera, përfshirë edhe ndikimin negativ në planifikimin e BE-së dhe donatorëve të tjerë për mbështetje për Kosovën”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat