“Këtë model s’e kam dashur në LDK” – Abdixhiku tregon si e ka ndryshuar partinë

Aktuale

“Këtë model s’e kam dashur në LDK” – Abdixhiku tregon si e ka ndryshuar partinë

Më: 24 nëntor 2023 Në ora: 06:08
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tregoi se nuk e ka dashur modelin se si është ndërtuar ekipi udhëheqës në LDK. Ai tha se njerëzit që janë të pëlqyeshëm në publik do të kenë pozicione të larta në parti.

Sipas tij, ky është modeli i ndërtimit të ekipit dhe është matësi kryesor për dhënien e pozicioneve në parti.

“Kryesia e tanishme që e kam pasur, një pjesë e madhe ka qenë anëtare e kryesisë së kaluar, pra nuk kam udhëhequr me njerëz të tjerë. Më pas hapin e partisë e kam bërë kur kam ofruar njerëz profesionistë dhe një pjesë e madhe do të reflektojnë në kryesinë e tanishme. Nuk ka frymë të një partie tjetër vetëm do ta kuptojmë frymën e qytetarëve, çfarë njerëzit tanë kërkojnë. Unë një gjë se kam dashtë në LDK që të aplikojnë modelin kur me disa njerëz merr vota, me disa njerëz vendosë, me disa njerëz të tjerë udhëheq”, tha Abdixhiku në Pressing në T7.

“Pra e kemi pas një model kur i vendos disa njerëz atraktivë për vota, që mbledhin vota, vendimmarrja merret nga disa njerëz që s’kanë mbështetje popullore, dhe e konsiderojnë vetën që janë me tapi aty. E më pas udhëheqja bëhet me krejt disa të tjerë. Këtë model s’kam dashur ta reflektojë dhe për këtë kam qëndruar shumë qartë, kam thënë njerëzit që janë të pëlqyshëm në publik do të kenë pozicione të larta partiake, ky është modeli i ndërtimit të ekipit dhe është matësi kryesor”, tha ai.

“Çfarë na duhet që në formacion të parë të kemi njerëz që nuk krijojnë mbështetje qytetare?”, pyeti Abdixhiku.

“Unë nuk do të bëj politikë atakuese ndaj asnjë figure të LDK-së”, u shpreh ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat