“7 mijë e 500 euro për Gani Jakupin” – Reagon Ministria e Punëve të Jashtme

Aktuale

“7 mijë e 500 euro për Gani Jakupin” – Reagon Ministria e Punëve të Jashtme

Më: 24 nëntor 2023 Në ora: 11:06
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla

Ditë më parë është raportuar se jo më pak se 7 mijë e 500 euro është paga me të cilën Gani Jakupi paguhet nga Qeveria e Kosovës për pozitën këshilltar në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, dikaster ky i cili udhëhiqet nga Donika Gërvalla.

Sot MPJD ka dalur me sqarim në lidhje me angazhimin e Jakupit si këshilltar i jashtëm përmes Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bruksel

Në arsyetim thuhet se kontrata 7 mijë e 500 euroshe e Jakupit, është bërë për të ndikuar te shtetet mosnjohëse dhe për të ofruar konsulencë në fushën e diplomacisë kulturore dhe publike.

 “Kontrata e përfolur është lidhur në kuadër të shtimit të kapaciteteve të Republikës së Kosovës për të depërtuar sidomos tek disa shtete të caktuara, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës si dhe për të ofruar konsulencë të mirëfilltë në fushën e diplomacisë publike dhe kulturore”, thuhet në reagim.

Kontrata sipas MPJD-së, është bërë duke i respektuar të gjitha procedurat ligjore dhe se Gani Jakupit i kanë thurrur lavde për veprimtarinë e tij jashtë vendit.

“Kontrata është lidhur duke respektuar të gjitha procedurat e parapara me ligj. Përzgjedhja e konsulentit është bërë duke u bazuar në nevojat specifike të projektit konkret dhe njohuritë specifike të tij. Kontaktet e shumta të konsulentit të përzgjedhur në botën e kulturës dhe të medias, sidomos në një numër shtetesh që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, janë një pasuri e çmuar për kulturën, diplomacinë dhe shtetin tonë. Konsulenti i përzgjedhur është një artist i njohur në qarqet e gjera kulturore dhe artistike të Evropës Perëndimore, e sidomos në Francë, Belgjikë dhe Spanjë, por edhe në një pjesë të madhe të shteteve të Amerikës Latine”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre shuma e kompensimit material nuk përbën një pagë të mirëfilltë por i përfshin shpenzimet që lidhen em përmbushejn e kontratës.

“Është e rëndësishme të theksohet se sa i përket përmbajtjes së kontratës dhe posaçërisht shumës së përmendur në media, të gjitha procedurat e ndjekura i janë përmbajtur me fanatizëm ligjeve të Republikës së Kosovës. Aq më tepër që shuma e kompensimit material nuk përbën një pagë të mirëfilltë, por përfshin të gjitha shpenzimet që lidhen me përmbushjen e kontratës, pra ndër të tjera edhe mbulesën e kostos jetësore dhe të shpenzimeve të tjera për angazhim profesional në Bruksel. Shuma në fjalë nuk i tejkalon në asnjë aspekt standardet e kontratave të ngjashme të konsulencës, të cilat kanë si synim depërtimin diplomatik në grupe shtetesh dhe në fusha të ndryshme dhe nuk e tejkalon ndjeshëm shumën e kostos së një diplomati të lartë të Republikës së Kosovës në Evropën Perëndimore”, thuhet në njoftim.

Sipas MPJD-së, nuk ka pasur konflikt të interesit por faktor kryesor ka qenë profesionalizmi i Gani Jakupit.

“Duhet qartësuar gjithashtu se në angazhimin e konsulentit të jashtëm nuk ka pasur asnjë konflikt të interesit, ndërkohë që gjatë procesit e përzgjedhjes, sikur edhe në të gjitha rastet e tjera, faktor ka qenë ekspertiza dhe kompetenca profesionale dhe dobia për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit tonë. Publiku i gjerë është i ndërgjegjshëm që në të kaluarën ka pasur kontrata 50-fish më të shtrenja, por me rezultate shumë herë më modeste sesa kontrata e përfolur gjatë këtyre ditëve”, thuhet në njoftim.

“Natyra e aktivitetit diplomatik dhe instrumenteve specifike të përdorura për arritjen e objektivave të politikës së jashtme, jo vetëm në Kosovë, është e tillë që publikimi i informacioneve të detajuara është i destinuar të dëmtojë seriozisht diplomacinë dhe interesat e Republikës së Kosovës. Kjo vlen posaçërisht për të gjitha përpjekjet e Kosovës për kontakte dhe vendosje bashkëpunimi me shtetet, të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës si dhe shtetet, në të cilët qasja e diplomacisë sonë zyrtare është e kufizuar”, vijon njoftimi.

Tutje në reagi thuhet se “MPJD edhe në të ardhmen nuk do të reshtë së kërkuari dhe mundësuari kontributin e të gjithë atyre që kanë vullnet dhe mundësi të ndihmojnë në fusha të ndryshme të diplomacisë, për ta vendosur Kosovën në vendin e merituar në arenën ndërkombëtare si Republikë e pavarur, sovrane dhe demokratike”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat