Kryediplomatja gjermane: Do të dërgojmë 150 trupa shtesë në KFOR

Aktuale

Kryediplomatja gjermane: Do të dërgojmë 150 trupa shtesë në KFOR

Më: 28 nëntor 2023 Në ora: 18:43
Ana Baerbock

Gjermania pritet t’i dërgojë edhe 150 trupa shtesë te misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i ka bërë të ditur kryediplomatja gjermane, Ana Baerbock.

Këtë ajo e bëri të ditur pas takimit të Ministrave të Jashtëm të NATO-s, duke theksuar se paqja në Ballkanin Perëndimor “varet nga një fije”

“Paqja shpesh varet nga një fije në Ballkanin Perëndimor. Angazhimet e NATO-s dhe të BE-së janë të koordinuara: të EUFOR, misioni, siguron sstabilitetin në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe KFOR në Kosovë. Gjermania do të kontribuojë deri në 150 trupa shtesë për KFOR-in”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, më herët Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se aleanca do të bëjë çfarëdo që të jetë e mundur për ta siguruar stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Stoltenberg ka përmendur lëndimet e ushtarëve të KFOR-it e, po ashtu, edhe sulmin terrorist në Banjskë.

“Atë që po shohim është rritje të tensioneve. Kemi parë incidente shumë serioze të dhunës në Kosovë, përfshirë edhe sulmin ndaj trupave paqeruajtëse të NATO-s – 93 ushtarë të NATO-s u plagosën, disa u plagosën shumë seriozisht. Dhe po ashtu pamë incidentet në Banjskë, ku tre persona u vranë në shtator në Kosovë. Këto janë incidente shumë serioze dhe ne duhet të qëndrojmë të fokusuar në Ballkanin Perëndimor.

NATO do të bëjë çfarë të jetë e nevojshme për ta ruajtur apo siguruar stabilitetin në rajon, pasi është e rëndësishme jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por edhe gjithë Evropën dhe NATO-n. Ne kemi prani atje. Ne punojmë bashkë me Bashkimin Evropian, forcën EUFOR në Bosnjë-Hercegovinë. Dhe kemi prezencë në Kosovë”, ka thënë ai.

E, Përfaqësuesi i lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, teksa po fliste për situatën në veri të vendit, ka thënë se së bashku me KFOR-in, EUELX-i do të vazhdojë ta ruajë stabilitetin në veri të Kosovës dhe në pjesën e kufirit me Serbinë.

“…Është i rëndësishëm bashkëpunimi me BE-në dhe NATO-n në veri të Kosovës, Misionin i EULEX-it dhe bashkëpunimi i fortë me KFOR-in duke ndihmuar në momentet e vështira. Ne do të vazhdojmë të sigurojmë stabilitet në këtë pjesë të Kosovës (pjesën veriore) dhe kufirit me Serbinë. EULEX ka luajtur një rol të rëndësishëm me vite dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë. Por, i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të rrisin vullnetin për marrëveshje për rrugën e tyre evropiane”, ka thënë Borrell.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat