Gashi: Fatin e Shqipërisë në konferencën e Londrës e përcaktuan kompromiset e fuqive të mëdha

Aktuale

Gashi: Fatin e Shqipërisë në konferencën e Londrës e përcaktuan kompromiset e fuqive të mëdha

Më: 28 nëntor 2023 Në ora: 22:12
Historiani Ibrahim Gashi

Historiani Ibrahim Gashi, ka folur mbi reagimet ndërkombëtare pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912.

Sipas Gashit, akti i shpalljes së pavarësisë i lëvizi fuqitë e mëdha konform interesave që ata kishin në rajonin e Ballkanit.

“Kur filloi Lufta e Parë Ballkanike fuqitë e mëdha nuk ishin në favor të prishjes së status quo-s madje me insistim e Austro-Hungarisë iu drejtuan me ultimatum shteteve ballkanike që pavarësisht epilogut që mund të ketë lufta nuk duhet të ketë ndryshime të kufijve, pasoja territoriale, kjo i dëshpëroi shumë serbët, por ky qëndrim i shteteve të mëdha nuk pati konsistencë, ato filluan më vonë të punojnë konform interesave të tyre, Austro-Hungaria bashkë me Gjermaninë dhe Italinë këmbëngulnin që të ketë një Shqipëri të pavarur dhe normalisht në këso rrethanash kësaj që ndodhi me 28 nëntor duhet t’i jepej një përgjigje nga fuqitë e mëdha, dalja e ushtrive ballkanike përtej vilajeteve shqiptare dhe shpallja e pavarësisë së Shqipërisë krijuan një realitet të ri përballë së cilit fuqitë e mëdha nuk mund të rrinin indiferente dhe kemi kështu idenë e thirrjes së një konference”, tha Gashi.

Gashi tha se në konferencën e ambasadorëve të mbajtur në Londër, Austro-Hungaria, Gjermania dhe Italia këmbëngulnin në Pavarësinë e Shqipërisë, ndërsa Rusia dhe Franca insistonin se shtetet e Ballkanit të cilat kishin depërtuar me forca ushtarake në territoret e Shqipërisë duhet t’i mbanin ato territore.

“Siç e dimë në fund të vitit 1912 i fillon punimet konferenca e ambasadorëve, shumë shpejt e shohim se fuqitë e mëdha heqin dorë nga qëndrimi fillestar që të mos ketë prishje të status-quos fillestare, Rusa dhe Franca marrin tani i ndryshojnë deklaratat se nuk mund të privohen shtetet që kanë korrur fitore në terren nga rezultatet e luftës së tyre, ndërkaq Austro-Hungaria del me kërkesën e qartë që të ketë Shqipëri autonome. Çështja para fuqive të mëdha ishte që të caktohej madhësia e shtetit shqiptar, kufijtë e tij dhe konferenca për gati pesë muaj u morr me përcaktimin e kufijve të Shqipërisë”, tha Gashi.

Gashi tha se epilogu i këtyre diskutimeve mes fuqive të mëdha ishte kompromisi.

“Këtu nuk është më shumë determinues faktori shqiptar, tani këtu domethënë përcaktues për fatin e Shqipërisë janë kompromiset midis fuqive të mëdha, dhe shqiptarët madje edhe shtetet ballkanike nuk e kanë pasur të drejtën e përfaqësimit në konferencë, janë përfaqësuar përmes delegacioneve të caktuara, kanë ofruar projektet e tyre, por nuk kanë qenë palë në konferencë”, tha Gashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat