Ujkani: Raporti i KE-së tregon që Kosova është në rrugën e duhur drejt integrimit

Aktuale

Ujkani: Raporti i KE-së tregon që Kosova është në rrugën e duhur drejt integrimit

Më: 30 nëntor 2023 Në ora: 11:34
Fjolla Ujkani

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fjolla Ujkani, tha se raporti i progresit që u publikua nga Komisioni Evropian për Kosovën, është raporti më pozitiv, krahasuar me vitet paraprake.

Gjatë debatit parlamentar në Kuvend rreth kësaj çështje, Ujkani tha se publikimi i këtij raporti për vitin 2023, dëshmon progresin që Kosova ka bërë në shumë fusha.

“Komisioni Evropian ka publikuar raportin për Kosovën, i cili nga vlerësimi është raporti më pozitiv për Kosovën, duke u bazuar me raportet e viteve paraprake. Ky raport e adreson progresin që Kosova e ka bërë në shumë fusha, sidomos ato që kanë të bëjnë me ekonominë, tregun e lirë dhe përafrimin me standardet e BE-së. Prandaj, mund të thuhet që Kosova ka përmbushur shumicën e kritereve dhe reformave të kërkuara, është në rrugën e duhur të integrimit, pra në anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, deklaroi Ujkani para deputetëve.

Më tej, Ujkani tha se në kohën kur opozita ishte në pushtet, raportet e progresit për Kosovën karakterizoheshin nga keq menaxhimi ekonomik dhe mundësitë e humbura.

“Progresi që kemi bërë në sektor të ndryshëm, në kundërshtim me narrativën e opozitës, është jo vetëm thelbësor, por edhe transformues. Në kontrast të plotë, nga opozita kur qeveriste me vendin, raportet e progresit karakterizoheshin nga keq menaxhimi ekonomik dhe mundësitë e humbura, kështu duke çuar në stagnim, regres dhe mungesë vizioni”, shtoi tutje Ujkani.

Madje, Ujkani vlerësoi se mandati i Qeverisë Kurti është shënuar me rritje ekonomike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat