Peter Stano: Kosova të lejojë serbët të votojnë për zgjedhjet e 17 dhjetorit

Aktuale

Peter Stano: Kosova të lejojë serbët të votojnë për zgjedhjet e 17 dhjetorit

Më: 30 nëntor 2023 Në ora: 19:48
Peter Stano

Bashkimi Evropian po rekomandon që të rifillojë praktika për të lejuar serbët e Kosovës të votojnë brenda vendit gjatë zgjedhjeve parlamentare serbe të 17 dhjetorit.

Nga BE-ja po konsiderojnë se vendimi për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë nuk është në përputhje me frymën e dialogut, parimin e mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve joshumicë dhe ndërtimin e besimit mes Kosovës dhe Serbisë.

Këtë e ka thënë zëdhënësi i Komisionit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.

“Ne e themi me keqardhje se praktika e krijuar e lejimit të serbëve të Kosovës që të votojnë në Kosovë për zgjedhjet parlamentare serbe me lehtësimin e OSBE-së nuk u lejua përsëri nga autoritetet e Kosovës. Si rezultat, votuesit serbë do të duhet të udhëtojnë në qytetet e Serbisë jugore për të votuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 17 dhjetorit. Ky vendim nuk është në përputhje me frymën e dialogut, parimin e mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve joshumicë dhe ndërtimin e besimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. BE-ja rekomandon rifillimin e praktikës së krijuar për të lejuar serbët e Kosovës të votojnë në Kosovë gjatë zgjedhjeve parlamentare serbe të 17 dhjetorit, me lehtësimin e OSBE-së”, ka deklaruar Stano.

Ai, ka thënë se presin që Kosova dhe Serbia të bien dakord për modalitetet për të mundësuar mbajtjen e zgjedhjeve.

“Ne presim që Kosova dhe Serbia të bien dakord për modalitetet për të mundësuar këtë, në mirëbesim dhe frymën e kompromisit. BE-ja mbështet të gjitha përpjekjet që synojnë t’u mundësojnë serbëve të Kosovës të marrin pjesë në proceset demokratike. Si i tillë, është thelbësore që votuesit serbë me të drejtë vote që banojnë në Kosovë të mund të ushtrojnë të drejtat e tyre themelore dhe të hedhin votën e tyre në zgjedhjet e ardhshme”, ka shtuar Stano.

Ndërsa i pyetur se a pritët të ketë ndonjë takim mes palëve në Bruksel qoftë të nivelit teknik, apo edhe të nivelit të lartë, Stano ka pohuar se këtë do ta bëjnë të ditur kur të jetë e përshtatshme.

“Do ta bëjmë të ditur kur të jetë e përshtatshme”, ka thënë shkurt Stano.

Ditë më parë kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se me Serbinë duhet të ketë një marrëveshje të veçantë që t’i mundësohet komunitetit serb në Kosovë të merr pjesë në zgjedhjet e Serbisë.

Në letrën drejtuar shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michale Davenport, Kurti ka thënë se kjo marrëveshje duhet të vijë nga Serbia si palë e interesuar, bazuar në sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës.

Kurse, sot zv. kryeministri Besnik Bislimi ka deklaruar se nuk do të lejohet mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë në territorin e Kosovës për komunitetin serb të Kosovës muajin e ardhshëm, në mungesë të një kërkese zyrtare nga autoritetet serbe për këtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat