Ligj i ri për Këshillin e Sigurisë parasheh disa pozita të reja

Aktuale

Ligj i ri për Këshillin e Sigurisë parasheh disa pozita të reja

Më: 2 dhjetor 2023 Në ora: 08:40
Foto ilustrim

Këshilli i Sigurisë së Republikës së Kosovës, së shpejti do të bëhet me ligj të ri. Në të parashihet krijimi i pozitës së drejtorit të përgjithshëm të Këshillit dhe rekrutimi i punonjësve. Në draftin e ligjit, parashihet të krijohen komisione të përhershme që do të mbikqyrin punën e Këshillit.

Rrugës procedurale, është një ligj i ri për Këshillin e Sigurisë së Republikës së Kosovës. Zyra e kryeministrit e ka të gatshëm tashmë një draft, i cili është në konsultime publike.

Aty parashihet qartësimi i disa kompetencave dhe krijimi i disa pozitave të reja.

Këshilli i Sigurisë do të vazhdojë të kryesohet nga kryeministri i vendit, por do e ketë edhe një drejtor të përgjithshëm.

“Drejtori i Përgjithshëm është nëpunës i nivelit të lartë drejtues i Këshillit, që mbështet Këshillin në ushtrimin e kompetencave të tij. Drejtori i Përgjithshëm i përgjigjet drejtpërdrejtë Kryeministrit. Ai emërohet me vendim të përbashkët të Kryeministrit dhe Presidentit, për një mandat pesë vjeçar, me të drejtë të ri- emërimit vetëm një herë bazuar në vlerësimin e performances”, thuhet në draft.

Kjo nuk është pozita e vetme që i shtohet Këshillit të Sigurisë. Ky këshill, do të rekrutojë punonjës përmes konkurseve publike, të cilët si fazë testuese do ta kenë një periudhë një vjeçare. Madje ata mund të edhe delegohen në institucione të tjera të sigurisë.

“Punonjësit e Këshillit mund të delegohen për të ushtruar përgjegjësitë e tyre për një kohë të caktuar, apo të transferohen në kohë të pacaktuar në institucionet dhe agjencitë tjera të sigurisë dhe inteligjencës me marrëveshje në mes të Drejtorit të Përgjithshëm dhe udhëheqësit të institucionit apo agjencisë përkatëse”, thuhet tutje.

Pagat e tyre planifikohen të jenë në harmonizim me pagat në AKI. Për mbikqyrje të punës së Këshillit të Sigurisë, do të themelohen disa komisione të përhershme. E drejtori i përgjithshëm mund të rekomandojë themelimin e Komisioneve tjera të përkohshme varësisht situatës së sigurisë.

“Komisionet e përhershme janë: Komisioni për inteligjencë; Komisioni për planifikimin e mbrojtjes; Komisioni për emergjencat civile, dhe Komisioni për politikën e jashtme të sigurisë. Për fushat tjera të kompetencave të Këshillit, mund të themelohen Komisione sipas rastit. Këto Komisione themelohen me vendim të Kryesuesit të Këshillit, në konsultim me Presidentin e Republikës së Kosovës. Komisionet i përgjigjen dhe i raportojnë Kryesuesit të Këshillit”, thuhet në draft.

Për së paku dy herë në vit, planifikohet që Këshilli i Sigurisë të mbajë takime të rregullta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat