Rrahman Jasharaj: Sa të ketë SBASHK, s’do të ketë test me shkrim për mësimdhënësit

Aktuale

Rrahman Jasharaj: Sa të ketë SBASHK, s’do të ketë test me shkrim për mësimdhënësit

Më: 4 dhjetor 2023 Në ora: 19:46
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, paralajmëron se nuk do të ketë test me shkrim për mësimdhënësit dhe thotë se Ministritë e kanë përmendur duke tentuar t’i frikësojnë mësimdhënësit.

Në një intervistë për median, Jasharaj deklaroi se testimi me shkrim për mësimdhënësit nuk do të bëhet kurrë, ai nuk është i paraparë as me ligj mbi arsimin parauniversitar të Kosovës.

“Testimi nuk do të bëhet kurrë. Ngase testimi nuk është i paraparë as me ligj mbi arsimin parauniversitar të Kosovës, mirëpo aty këtu me qeveritë, sidomos Ministritë e kanë përmendur mbase mos po e frikësojnë ndonjë prej mësimdhënësve”, tha ai.

Ai shtoi se mësimdhënësit nuk frikësohen nga testimi e as ai vetë, por që testi është degradues dhe nënçmues për mësimdhënësit, ngase kanë përfunduar shkollë të mjaftueshme me Master.

“Mësimdhënësit nuk frikësohen nga testi e as unë, por testi është degradues dhe nënçmues, ngase këta mësimdhënës kanë kryer shkollë të mjafueshme deri edhe te masteri dhe janë testuar dhjetëra herë në fakultete, sidomos kohën e fundit në fakultetin e edukimit kanë diplomuar dhe me atë diplomë ata e kanë fituar të drejtën dhe përgatitjen për të filluar sistemin arsimor”, vlerësoi ai.

Jasharaj theksoi se testimi nuk është i paraparë edhe me ligj, por sa të ketë SBASHK, s’do të ketë test me shkrim.

“Ne e kemi thënë dhe e themi, edhe me ligj nuk është i paraparë, por edhe SBASHK-u do të reagojë. Sa të ketë SBASHK nuk do të ketë test me shkrim”, tha Jasharaj.

Tutje, ai shtoi se kanë insistuar që të shtohet numri i inspektorëve profesional që të shkojnë dhe të bëjnë kontrolle nëpër shkolla.

“Ne kemi insistuar që të shtohet numri i inspektorëve profesional të cilët do të shkojnë shkollë më shkollë, klasë më klasë, do t’i vizitojnë kolegët e mi dhe do të shohim ku kanë përparuar dukshëm, por edhe kanë të meta dhe ato të meta pastaj t’ua thonë në mënyrë që ata të përmirësohen dita ditës, dhe të kemi mësimdhënës edhe më të përgatitur”, përfundoi Jasharaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat