Kryeministri Kurti në konferencën rajonale me temë “Të bashkuar kundër dhunës- MJAFT!”

Aktuale

Kryeministri Kurti në konferencën rajonale me temë “Të bashkuar kundër dhunës- MJAFT!”

Më: 5 dhjetor 2023 Në ora: 13:43
Albin Kurti

Me një minutë heshtje për vrasjen e Liridona Ademaj, e nisi fjalën e tij Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në konferencën rajonale, bashkë organizim i Ministrisë së Drejtësisë dhe Zyrës së Presidencës, me temë "Të bashkuar kundër dhunës - MJAFT!".

Në fjalën e tij, ai tha se zbardhja e plotë e rastit të Liridonës është drejtësi, e i drejtë presim të jetë dënimi, pra maksimal, teksa shprehu nga aty edhe një herë ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe uroi shëndet për fëmijët e saj.

Theksoi se po punojmë në krijimin e një mjedisi ligjor të fuqishëm kundër dhunës me bazë gjinore, duke plotësuar dhe ndryshuar kodin e procedurës penale, duke ashpërsuar masat për kryesit e veprave penale të dhunimit, dhunimit seksual dhe të dhunës në familje. Në të njëjtën kohë është përmirësuar qasja në shërbime sociale duke i ngritur mbështetjen për këto shërbime dhe duke siguruar qëndrueshmëri financiare për strehimoret e të mbijetuarave të dhunës në familje, përmes rritjes së buxhetit dhe linjës së veçantë buxhetore për to.

Megjithëkëtë, kryeministri shtoi se kemi nevojë që i tërë sistemi i drejtësisë t’i bëjë prioritet trajtimin e rasteve të dhunës ndaj vajzave dhe grave, dhe të jap dënime meritore për dhunuesit, për kriminelët.

“Nuk kemi si ta themi më prerazi që na duhet dënim meritor. Butësia e dënimit po shkakton përsëritjen e krimit. Vënia e drejtësisë është kusht i domosdoshëm për një shoqëri të lirë dhe demokratike, çfarë ne duam të jemi dhe do të aspirojmë të mbetemi përherë”, u shpreh ai.

Si institucione por edhe si shoqëri kemi për detyrë që të angazhohemi në betejën për barazi në të drejta, tha ndër të tjerash kryeministri.  

“Askush, as gruaja e as burri, as vajza e as djali, nuk janë pronë e askujt. Të gjithë njerëzit janë të lirë, me të drejta të barabarta. Ne besojmë në të drejtat e njeriut, dhe të drejtat e njeriut e bëjnë bashkë universalitetin dhe barazinë”, deklaroi kryeministri.

Më tej, nënvizoi se është koha e fundit, që të vetëdijesohemi e të veprojmë së bashku, ne që mendojmë e diskutojmë së bashku, derisa bëri thirrje që shkollat tona publike e private, mediat tona publike e private, artistët e sportistët, personat që kanë ndikim të shtuar në shoqëri, të gjithë t’i evitojnë mesazhet, porositë publike, private që mund të shihen si nxitëse apo justifikuese të dhunës, dhe duhet të bashkohen në fushatën tonë kundër dhunës me bazë gjinore.

“Cinizmi e sarkazmi ju ndihmojnë kriminelëve, janë mbështetje për dhunuesit. Po të veprojmë së bashku, me solidaritet të pakushtëzuar, të pakursyer, e të parezervë, në këtë betejën tonë, jam i sigurt që do ta mposhtim dhunën, diskriminimin dhe pabarazitë”, tha ai, ashtu që secila vajzë e grua, secila, duhet të ndjehet e lirë, e sigurt dhe e pacenuar për të jetuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat