Rrusta: Para kërkesës për dënim maksimal, të kërkojmë drejtësi absolute

Aktuale

Rrusta: Para kërkesës për dënim maksimal, të kërkojmë drejtësi absolute

Më: 5 dhjetor 2023 Në ora: 22:37
Teutë Rrusta

Teutë Rrusta, aktiviste për barazi gjinore dhe anëtare e PSD-së, tha se përpara se shoqëria dhe institucionet të kërkojnë dënim maksimal për kriminelët e vrasjes së Liridona Ademajt dhe rasteve të tilla të femicidit, duhet të kërkohet drejtësi absolute.

Ajo tha se gjykatat duhet të jenë transparente në këto raste në mënyrë që të mësohet e vërteta e këtyre rasteve.

“Nga shoqëria mbarë, por edhe nga institucionet, nga kryeministri e teposhtë, kërkesa kryesore ka qenë dënim maksimal. Unë e mbështes kërkesën për drejtësi absolute më përpara se ndëshkim maksimal, sepse këtu po presupozohet që ti po e din. Drejtësi absolute për secilin rast dhe kërkesë për transparencë nga gjykatat. Nëse gjykatat janë transparente dhe të gjitha seancat janë publike, dhe bëjmë kërkesa për t’i ditur hollësitë e këtyre rasteve dhe transmetimi me qenë direkt, atëherë jam goxha e sigurt se i afrohemi asaj që me u dit e vërteta”, tha Rrusta.

“Mësimin që mund të nxjerrim nga e gjithë kjo është se debati publik po di të jetë goxha gjykues, edhe po e merr vendimin dhe veridiktin edhe para gjykatës. Pastaj nuk po ka rëndësi se kush është fajtor e kush jo”, shtoi ajo.

Rrusta tha se duhet të diskutohet se si të ndalen këto krime. Ajo tha se janë disa pika prej ku mund të niset kjo. “E para është shkollimi, pastaj ekonomia. Edhe diskursi emancipues. Nëse diskursi emancipues është rend edhe ligj, e jo mirëqenie e barazi sociale, atëherë këtu është një huqje e madhe”, tha anëtarja e PSD-së.

Ajo arsyetoi shifrat e vrasjeve mes burrave dhe vrasjes së grave nga burrat, që janë në raportin 9 me 1.

“Kur ka konflikt burrë-grua, shumë rrallë i sheh në këtë relacion gratë duke i vrarë apo sulmuar burrat, e shumë më shumë burrat duke i sulmuar gratë”, deklaroi Teutë Rrusta, teksa shtoi se dënimi i fajtorit është një hallkë e pamjaftueshme dhe do të hasim në përsëritje.

Liridona Ademaj po dyshohet se është vrarë me porosi të bashkëshortit të saj, Naim Murseli. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat