Plani 6 miliardësh i BE-së, Kosova dhe Serbia përfitojnë vetëm nëse zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit e Asociacionin

Aktuale

Plani 6 miliardësh i BE-së, Kosova dhe Serbia përfitojnë vetëm nëse zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit e Asociacionin

Më: 8 dhjetor 2023 Në ora: 13:23
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Plani 6 miliardësh i BE-së, Kosova dhe Serbia përfitojnë vetëm nëse zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit e Asociacionin

Bashkimi Evropian për vite me radhë ka marrë mbi shpinë barrën e zgjidhjes së problemit në mes të Kosovës dhe Serbisë, duke qenë se të dy shtetet aspirojnë integrim në BE. BE i do të dy shtetet brenda saj, por pa problemet që kanë mes vete.

Për t’i zgjidhur problemet, për t’i normalizuar raportet dhe për të përmbushur obligimet që dalin nga dialog, BE tashmë po i kushtëzon të dy vendet me përfitimet financiare nga Unioni. Të dy vendet duhet të bëjnë progres në normalizim nëse duan përfitime financiare nga BE, meqë për Brukselin është shqetësuese paqëndrueshmëria dhe situata e acaruar e sigurisë mes dy shteteve.

Me qëllim të afrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor me BE-në, Komisioni Evropian gjatë nëntorit të këtij viti ka bërë publik planin prej 6 miliardë euro të emëruar si “Growth Plan” apo në gjuhën shqipe “Plani i Rritjes”. Megjithatë qasja dhe mundësia që Kosova dhe Serbia të përfitojnë nga këto fonde ka kushte.

Këtë e kanë konfirmuar Komisioni Evropian. Parakusht i përgjithshëm për të dy shtetet do të jetë që të angazhohen për normalizimin e raporteve, zbatimin e Marrëveshjes në Rrugën drejt Normalizimit, Aneksin e Zbatimit si dhe detyrimet që rrjedhin nga Dialogu i kaluar.

“Në të vërtetë, do të ketë gjithashtu një parakusht të përgjithshëm që Serbia dhe Kosova të angazhohen në mënyrë konstruktive në normalizimin e marrëdhënieve të tyre me synimin për të zbatuar plotësisht të gjitha detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksi i Zbatimit të saj dhe i gjithë Dialogu i kaluar. Marrëveshjet dhe përfshirja në negociata për Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve”, ka thënë një zëdhënës i Komisionit Evropian.

Në përgjigjen nga Komisioni Evropian theksojnë shqetësimin e tyre që kanë nga sa i përket pasigurisë së krijuar në rajon, veçanërisht mes Kosovës dhe Serbisë, duke nënvizuar sulmin e 24 shtatorit në Banjska.

Nga KE thonë se është thelbësore që të adresohen çështjet e hapura mes dy vendeve dhe të gjenden zgjidhje reciprokisht të pranueshme nga palët

“Siç vihet re në komunikatën e këtij viti të paketës së zgjerimit, çështjet dypalëshe, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, po pengojnë jo vetëm integrimin ekonomik rajonal, por edhe po ngadalësojnë rrugët përkatëse të vendeve në BE. Çështjet e pazgjidhura gjenerojnë rrezik për destabilitet dhe madje përshkallëzim, siç dëshmohet nga sulmi i dhunshëm kundër policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjska, në veri të Kosovës. Prandaj është thelbësore që çështjet e hapura të adresohen dhe të gjenden zgjidhje reciprokisht të pranueshme nga palët e interesuara”, ka shtuar tutje ky zëdhënës i Komisionit Evropian.

Në fund, nga KE theksojnë se edhe Kosova edhe Serbia rrezikojnë të humbasin shumë mundësi nëse nuk do të përparojnë në normalizimin e raporteve.

“Normalizimi i marrëdhënieve është një kusht thelbësor në rrugën evropiane të të dyja palëve. Të dy rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të përparimit”, ka potencuar ky zëdhënës i Komisionit Evropian.

Këto kushte për Kosovën dhe Serbinë janë shtesë e kushteve teknike që vendet duhet t’i plotësojnë për të përfituar nga ky fond prej 6 miliardë eurosh i BE-së, shkruan GazetaExpress.

“Plani i Rritjes ofron avantazhet e anëtarësimit në BE përpara anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por edhe potencialin për përshpejtimin e konsiderueshëm të procesit të anëtarësimit me kusht që të ndodhin reformat themelore. Plani do të mbështetet nga një instrument financimi i sapopropozuar i bazuar në performancë, Lehtësia e Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor, do të jetë subjekt i miratimit nga Këshilli dhe Parlamenti. Ky instrument i ri financimi ofron një mjet të ri që kombinon grantet dhe kreditë dhe mundëson kushte të gjera ex ante, që është një risi. Për të përfituar nga Lehtësimi, çdo përfitues do të duhet të përgatisë një Agjendë Reforme, e cila do të konsultohet, vlerësohet dhe miratohet nga Komisioni. Pagesat në kuadër të Lehtësimit do t’i nënshtrohen kushteve strikte. Në kuadër të Lehtësimit kjo do të ketë të bëjë si me reformat thelbësore ashtu edhe me reformat socio-ekonomike. Si i tillë, Lehtësimi ka disa ngjashmëri me instrumentin NextGenerationEU të vendosur pas pandemisë për Shtetet Anëtare dhe duke kombinuar grantet dhe huatë për të mbështetur reformat dhe investimet në Shtetet Anëtare të BE-së”, kanë sqaruar nga Komisioni Evropian.

Bashkimi Evropian në vazhdimësi është duke kërkuar progres në dialog mes dy shteteve. Emisari sllovak, Miroslav Lajcak, gjatë një forumi të mbajtur dje në Bruksel ka thënë se ka përparim mes Kosovës dhe Serbisë dhe ka porositur të dy shtetet që t’i marrin vendimet e rëndësishme para fushatës së zgjedhjeve në BE. Edhe ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, ka thënë se s’do të dëshironte që të pritej 2024-2025 për progres.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat