Rexhaj: Në Kosovë askush nuk merret me rezultatet e testit PISA

Aktuale

Rexhaj: Në Kosovë askush nuk merret me rezultatet e testit PISA

Më: 9 dhjetor 2023 Në ora: 06:25
Ish-zëvendësministri i Arsimit dhe njohësi i arsimit, Xhavit Rexhaj

Ish-zëvendësministri i Arsimit dhe njohësi i arsimit, Xhavit Rexhaj ka thënë se për rezultatet në testin PISA nuk duhet lënë fajin vetëm pandemisë.

Rexhaj tha se problemi i Kosovës është që askush nuk merret me cilësinë e arsimit, rrjedhimisht as me rezultatet e fundit të testit PISA.

“Ti lirisht ke mujt me e lëshu emisionin e vitit të kaluar, mos me na thirr me na maltretu sepse të njëjtat fjalë si vjet do t’i them edhe tash, në Kosovë nuk lodhen kush, këtu partitë shtyhen me heq dorë nga arsimi kur formojnë qeveri komunale apo nacionale”, thotë Rexhaj në “Kallxo Përnime”.

Ai pati kritika edhe për prindërit për të cilët tha se nuk lodhën për këtë çështje.

“Prindërit është dashur të dalin në protesta për gjendjen e sistemit të arsimit”, është shprehur Rexhaj.

Ai thotë se në Kosovë ka një dorëheqje nga arsimi.

“Na jemi tu i shit fëmijët e tanë shumë lirë, jena tu i çu jashtë punëtorë krahu po i çojmë në Evropë. Nuk po i mbajmë këtu si ekspertë e me punu online për kompani evropiane e me u shit shtrenjtë”, thotë tutje ai.

Testi PISA 2022 është mbajtur nga data 25 prill deri më 20 maj të vitit 2022 dhe janë testuar 6027 nxënës 15-vjeçar, nga 229 shkolla.

Në matematikë Kosova është në vendin e 74 nga 80 shtete pjesëmarrëse, me 355 pikë. Në lexim, Kosova është në vendin e 76 nga 80 shtete pjesëmarrëse, me 342 pikë. Në shkencë, Kosova është në vendin e 77, me 357 pikë. Në matematikë dhe lexim, Kosova ka 11 pikë më pak se në vitin 2018, ndërsa në shkencë i ka 8 pikë më pak.

Në vitin 2018, Kosova është ranguar e treta nga fundi i listës së rezultateve, nga 79 shtete pjesëmarrëse. Me 353 pikë në lexim, 366 pikë në matematikë dhe 365 pikë në shkencë.

Kurse, në vitin 2015, në lexim Kosova kishte 347 pikë, në matematikë 362 dhe në shkencë 378 pikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat