Bëri vetëvrasje 33-vjeçari në paraburgim, s’kishte vende të lira për ta çuar në Psikiatrinë Forenzike

Aktuale

Bëri vetëvrasje 33-vjeçari në paraburgim, s’kishte vende të lira për ta çuar në Psikiatrinë Forenzike

Më: 9 dhjetor 2023 Në ora: 20:13
Ilustrim

Y.D., 33-vjeç, në gusht 2021, kreu vetëvrasje në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.  Ai ishte arrestuar më 1 korrik pasi dyshohej për dhunë në familje. 

Të nesërmen, Gjykata kishte caktuar masën e paraburgimit për të, por jo që ta mbante në Qendrën e Paraburgimit.

“Unë jam njoftuar nga Oda e Avokatëve të Kosovës për angazhim sipas detyrës zyrtare, ka qenë në korrik të vitit 2021, dhe i njëjti po dyshohej për kryerjen e veprës penale “dhunë në familje”, për këtë arsye është caktuar edhe seanca dëgjimore me të cilën Prokuroria e Shtetit kishte kërkuar që të caktohej masa e paraburgimit, me kërkesë që e njëjta të mbahet në Institutin e Forenzikës Psikiatrike”, ka thënë mbrojtësi i tani të ndjeri, avokati Adrian Islami.

Të riut nga Prishtina iu caktua që paraburgimin ta mbante në Institutin e Psikiatrisë Forenzike, pasi thuhej se sipas raporteve të mëhershme mjekësore i njëjti kishte çrregullime psikike.

“Po ishte caktuar për arsye se i njëjti po vuante nga disa sëmundje psiqike dhe kishte edhe me herët vepra penale dhe për këtë arsye edhe është kërkuar që të bëhet ekzaminimi psikiatrik i cili do të zgjaste 30 ditë”, ka thënë tuje Islami

Por si u bë që 33-vjeçari ishte në Qendrën e Paraburgimit kur i dha fund jetës, e jo në Psikiatrinë Forenzike?

Gjykata Themelore në Prishtinë, me 3 korrik 2023 ia kishte caktuar masën e paraburgimit prej një muaji 33-vjeçarit. Këtë masë, ai do ta vuante në Institutin e Psikiatrisë Forenzike, deri sa t’i bëhej ekzaminimi psikiatrik.

Gjykata kishte kërkuar që të konstatohej nëse i pandehuri në kohën e kryerjes së veprës penale  ishte në gjendje të paaftësisë mendore ose aftësisë së zvogëluar mendore dhe nëse i pandehuri është i aftë për të përballuar gjykimin.

Veç kësaj, duhej të konstatohej nëse droga dhe alkooli e kishin  motivuar atë ta kryente veprën penale dhe kishte gjasa për shërimin e tij.

Po ashtu, gjykata kishte kërkuar edhe konstatimin e gjendjes momentale neuropsikiatrike të  pandehurit.

Ky ekzaminim, do duhej të kryej brenda dy jave dhe t’i dërgohej raport me shkrim për rezultatet gjyqtarit të procedurës paraprake dhe Prokurorit të Shtetit.

Por kjo nuk ndodhi!

“Më duket se ky ekzaminim nuk ka mundur të kryhej fare për arsye se nuk kishte vend të mjaftueshëm në Qendrën e Forenzikës Psikiatrike, duke e ditur që Qendra e Forenzikës Psikiatrike punon me vetëm 44 vende dhe për këtë arsye është njoftuar gjykata se kjo masë nuk mund të ekzekutohet aty dhe me pas Gjykata e kishte dërguar në Qendrën e Paraburgimit”, ka thënë avokati i tani të ndjerit.

Në fakt, vetëm Qendra e Paraburgimit ishte informuar nga Forenzika se në ketë institucion nuk ka vende të lira, dhe se posa të lirohej vendi ai do pranohej për ekzaminim.

Dhjetë ditë pas, Y.D., me kërkesë të psikiatrit ishte dërguar vetëm për një orë në Psikiatrinë Forenzike.

Ndërsa, as pas një muaji, gjykata e Prokuroria nuk kishin pranuar raport për  ekzaminimin e 33-vjeçarit.

Avokati  thotë se kishin kundërshtuar masën e paraburgimit, duke pasur parasysh këto rrethana.

“Po, ne kishim kundërshtuar vetëm për këtë arsye, sepse ishim të njoftuar me ketë dukuri se nuk ka vend zakonisht në shumicën e rasteve nuk ka vend në Qendrën e Forenzikës Psikiatrike dhe për shkak të gjendjes së renduar mendore mund të vjen ngjarje e keqe ashtu edhe siç ndodhi. Për këtë arsye kishim kundërshtuar ketë pjesë por nuk ishim kundër ekzaminimit psikiatrik për tashme të ndjerin”, ka thënë Islami.

Gjykatësi Ngadhnjim Arrni, thotë se si gjykatë janë informuar për mungesën e kapaciteteve për trajtimin e rasteve të tilla.

“Ne jemi të vetëdijshëm, jemi edhe të informuar se ka mungesë të kapaciteteve të tilla mirëpo gjykata nuk mundet të marrë parasysh këto shkaqe. Janë shqetësuese mirëpo nuk janë në domenin e gjykatës”, ka thënë gjykatësi Arrni.

Sipas tij, Gjykata është të zbatojë ligjin, të konstatojë po që se është kryer vepra penale dhe të konstatojë se cili është trajtimi i domosdoshëm për kryerësin e kësaj vepre penale, por nuk mund të marrë parasysh mungesën e shtretërve apo mungesat tjera të cilat do që i kanë institucionet për zbatimin e këtyre masave.

“Po sigurisht, kjo nuk nënkupton por ne ishim të gjenim një zgjidhje tjetër alternative e cila nuk do të rëndonte edhe më tej gjendjen mendore të tashmë të ndjerit, por fatkeqësisht nuk kemi mundur të bëjmë zgjidhje adekuate”, ka thënë avokati Islami.

Një muaj pasi Y.D po mbahej pa u ekzaminuar, prokurorja e rastit, Edina Jupolli, kishte propozuar vazhdimin e masës së paraburgimit. Gjykatësja e procedurës paraprake, Vlora Pacolli- Rexhepi i kishte vazhduar masën e paraburgimit, duke kërkuar prapë raportin ekzaminues brenda 2 jave, duke theksuar se paraburgimi duhet të mbahet në Psikiatrinë Forenzike.

Për vazhdimin e masës së paraburgimit, thotë se nuk ishte i njoftuar avokati Islami.

“Siç iu njoftova, pas vendimit të parë edhe pasi që e kemi bërë ankesën pastaj nuk kam pranuar asnjë vendim tjetër as nga ana e gjykatës, prandaj as nuk kam mundur të bëjë kundërshtimet”, ka thënë ai.

Në mungesë të shtretërve, Y.D., u la sërish në Qendrën e Paraburgimit.

20 ditë pas aktvendimit të dytë të gjykatës dhe 50 ditë pas arrestimit, në orët e hershme të mëngjesit 33-vjeçari i dha fund jetës./Betimiperdrejtesi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat