Instituti GAP analizon buxhetin për vitin 2024: Favorizohen komunat që udhëhiqen nga LVV

Aktuale

Instituti GAP analizon buxhetin për vitin 2024: Favorizohen komunat që udhëhiqen nga LVV

Më: 10 dhjetor 2023 Në ora: 12:43
Foto ilustrim

Instituti GAP ka analizuar ndarjet buxhetore për vitin 2024, duke i krahasuar ato me vitin 2023, ku theksohet se shkalla e realizimit të buxhetit të ndarë për investime kapitale mbetet e ulët, në nivel 35% deri në shtator të vitit 2023. Kurse, nga gjithsej 859.2 milionë euro sa janë planifikuar për shpenzime kapitale për vitin 2024, rreth 83% janë vazhdim i projekteve të mëhershme dhe 17% janë planifikuar për projekte të reja kapitale.

Sipas një komunikate të GAP, Në hartimin e projektbuxhetit të vitit 2024, Qeveria është treguar më e matur në planifikimin e të hyrave dhe shpenzimeve. Kjo për shkak që parashikohet një rritje e ngadalësuar e të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore, me 5% dhe 3% respektivisht, duke arritur në shumën 3 miliardë euro dhe 3.3 miliardë euro.

“Shpenzimet kapitale planifikohen të rriten më shumë sesa ato rrjedhëse, megjithatë, rritja e planifikuar e tyre është relativisht e ulët krahasuar me vitin paraprak (15%). Tek kategoritë kryesore të shpenzimeve rrjedhëse, kategoria e pagave dhe shtesave planifikohet të ketë rritje prej 59.9 milionë euro apo 8%, kryesisht për shkak të rritjes së vlerës monetare të koeficientit të pagave të sektorit publik nga 105 në 110 euro. Me Projektbuxhetin 2024 është krijuar hapësirë edhe për 2,308 vende pune shtesë, nga të cilat 1,793 për nivelin qendror (kryesisht në Ministrinë e Punëve të Brendshme (polici) dhe atë të Mbrojtjes (FSK) dhe 515 për nivelin komunal. Nga gjithsej 859.2 milionë euro sa janë planifikuar për shpenzime kapitale për vitin 2024, rreth 83% janë vazhdim i projekteve të mëhershme dhe 17% janë planifikuar për projekte të reja kapitale. Pjesëmarrja e buxhetit të ndarë për investime kapitale në Bruto Produktin Vendor ka një trend rënës nga viti 2017, dhe në vitet 2021 dhe 2022 ka mbetur e pandryshuar, në nivel prej 8%. Për më shumë, shkalla e realizimit të buxhetit të ndarë për investime kapitale mbetet e ulët, në nivel 60% në vitin 2022 dhe në nivel 35% deri në shtator të vitit 2023. Këtë vit, vlera e investimeve kapitale të reja të nivelit qendror të destinuara për projekte specifike në komuna është 21.8 milionë euro. Ngjashëm me vitin e kaluar, edhe këtë vit, qeveria ka ndarë më shumë mjete për komunat e udhëhequra nga Vetëvendosje (VV) ku mbi gjysma e kësaj shume (59.5% apo 13 milionë euro) janë orientuar në katër komunat e udhëhequra nga VV (Gjilan, Kamenicë, Podujevë dhe Shtime). Këto komuna përbëjnë 14.5% të sipërfaqes në Kosovë dhe 11.6% të popullsisë. Në projektbuxhetin e vitit 2024 parashihen 14.5 milionë euro më shumë për sektorin e drejtësisë. Përkundër një rritjeje të buxhetit për shëndetësi prej 42 milionë euro dhe për arsim për mbi 54 milionë euro në vitin 2024, shpenzimet e Kosovës për kokë banori në këta sektorë mbesin të ulëta”, thuhet në komunikatë.

Përndryshe, Qeveria aprovoi projektbuxhetin 2024 më 31 tetor 2023, ndërsa Kuvendi e aprovoi në lexim të parë më 16 nëntor 2023, derisa pritet që të bëhet edhe shqyrtimi dhe miratimi në lexim të dytë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat