U raportua se Granit Plava u sulmua fizikisht në burg, jep detaje drejtori i SHKK-së

Aktuale

U raportua se Granit Plava u sulmua fizikisht në burg, jep detaje drejtori i SHKK-së

Më: 10 dhjetor 2023 Në ora: 15:00
Granit Plava dhe Naim Murseli

Pas raportimeve se Granit Plava i dyshuari që vrau Liridona Ademajn, është rrahur në Burgun e Sigurisë së Lartë, është deklaruar drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues së Kosovës, Ismail Dibrani.

Dibrani ka thënë se të burgosurit kanë tentuar ta sulmojnë Granit Plavën por stafi ka reaguar menjëherë dhe është parandaluar ballafaqimi i drejtpërdrejt.

Ai mohon të ketë pasur rrahje fizike.

“Jo nuk ka (rrahje). Natyrisht është rast i ndjeshëm edhe e dini tema që ka ndodhur në opinion lidhur me rastin dhe prej presionit e opinionit publik, edhe mund të ketë kërcënime sepse ata mund të kenë kontakte të burgosurit e tjerë. Të burgosurit kanë tentuar për ta sulmuar por stafi ka reaguar menjëherë dhe e kanë shpëtuar nga ballafaqimi direkt. Do të thotë nuk ka pasur rrahje”, ka thënë Dibrani.

Po ashtu, ai shtoi se edhe ky rast do të hetohet sikurse rasti për të cilin është raportuar se i njëjti i dyshuar ka tentuar të vetë-lëndohet.

“Natyrisht edhe ky rast do të hetohet njëjtë sikurse rasti për të cilin është raportuar në media që i njëjti ka tentuar të vetëvaret në asnjë rrethanë, janë raste që po trajtohen me rrezikshmëri shumë të lartë edhe këto raste përcjellja, niveli i sigurisë është shumë i lartë në këto raste”, tha ai për portalin Dukagjini.

Dibrani potencoi se në momentin “kur është vërejtur se i burgosuri ka tentuar ta dëmtojë batanijen, stafi ka reaguar menjëherë”.

“Nuk ka pasur as tentim për vetëlëndim por as tentim për vetëvarje. Rasti është parandaluar qysh në momentin kur ai ka tentuar ta dëmtojë batanijen”.

Ndërkohë, Dibrani njoftoi se tre të paraburgosurit (Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla), nuk po qëndrojnë në të njëjtin burg.

Ndonëse u raportuar se të njëjtit janë lejuar të kenë komunikim mes vete, megjithatë Dibrani thotë se për shkaqe sigurie ata janë shpërndarë në burgje të ndryshme.

“Për shkaqe sigurie i kemi shpërndarë në burgje të ndryshme”, theksoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat