Samiti i liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, Osmani në Bruksel flet për integrimin evropian dhe sigurinë pas sulmit terrorist

Aktuale

Samiti i liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, Osmani në Bruksel flet për integrimin evropian dhe sigurinë pas sulmit terrorist

Më: 13 dhjetor 2023 Në ora: 07:48
Presidentja, Vjosa Osmani

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, ka udhëtuar për në Bruksel, ku do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në samitin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

Në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, presidentja Osmani do të diskutojë nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit në dritë të sfidave të vazhdueshme të sigurisë në rajon dhe më gjerë, duke filluar me mbështetjen për statusin e vendit kandidat për Republikën e Kosovës.

Liderë të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Bruksel ndër të tjera do të diskutojnë për procesin e zgjerimit dhe perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, bashkërendimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si dhe tejkalimin e sfidave të përbashkëta.

Në kuadër të samitit, Presidentja Osmani poashtu do t’i informojë krerët e shteteve dhe të BE-së lidhur me situatën e sigurisë në vend, pas sulmit të agresionit të Serbisë më 24 shtator.

Ndryshe, Samiti BE-Ballkani Perëndimor do të mbahet të mërkurën, më 13 dhjetor në Bruksel.

Samiti do të drejtohet nga Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Samiti është një mundësi për të rikonfirmuar rëndësinë kyçe të partneritetit strategjik midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat