Përfundon samiti BE-Ballkani Perëndimor, të gjitha vendet e pranojnë deklaratën

Aktuale

Përfundon samiti BE-Ballkani Perëndimor, të gjitha vendet e pranojnë deklaratën

Më: 13 dhjetor 2023 Në ora: 17:28 Përditësuar në ora: 22:12 më 13.12.2023
Liderët e vendeve të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor gjatë samitit BE-Ballkani Perëndimor të mërkurën, më 13 dhjetor, në Bruksel.

Përfundon samiti BE-Ballkani Perëndimor, të gjitha vendet e pranojnë deklaratën

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë pajtuar me deklaratën e samitit BE-Ballkani Perëndimor, i cili u mbajt të mërkurën në Bruksel.

Kështu thuhet në deklaratën e miratuar nga 27 kryetarë shtetesh dhe qeverish të Bashkimit Evropian.

Deklarata, mes tjerash, u bën thirrje të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor të vendosin sanksione ndaj Rusisë dhe të punojnë për të parandaluar shmangien e masave kufizuese që Brukseli vendosi kundër Moskës si përgjigje ndaj agresionit të saj kundër Ukrainës.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Serbia nuk i ka vënë sanksione Rusisë, pas nisjes së luftës në Ukrainë.

Charles Michel: Zgjidhja e konflikteve kusht kyç për integrim

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha pas samitit se porosia kryesore e samitit ishte nevoja për integrim gradual të këtyre vendeve në bllok, si dhe forcimi i bashkëpunimit mes tyre në rajon.

“A duhet t’i integrojmë sa më afër para se të hynë në BE në mënyrë graduale. Kjo është pika e parë. E dyta është rritja ekonomike. Shumë pjesëmarrës folën për bashkëpunimin në fushën e energjisë. U desh të përballemi me shantazhet e Rusisë në furnizim me energji. Kjo pati ndikim edhe në Ballkan“, tha Michell.

Ai theksoi se u bisedua edhe për përshtatje të politikave të jashtme dhe të sigurisë së BE-së.

”Po ashtu, [u bisedua] edhe për bashkëpunimin në fushën e migrimit. Kjo vlen edhe për sistemin e vizave“ tha ai.

Michel përsëriti thirrjen për zgjidhjen e konflikteve dhe mospajtimeve si kusht kyç për integrim në BE.

“Duam ta përshpejtojmë punën tonë që të dyja palët të kenë një udhërrëfyes se çfarë duhet të bëjmë për të qenë të gatshëm për këtë zgjerim“, shtoi ai.

Deklarata përfundimtare e samitit u bëri thirrje të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor të vendosin sanksione ndaj Rusisë dhe të punojnë për të parandaluar anashkalimin e masave kufizuese që Brukseli vendosi kundër Moskës në përgjigje të agresionit kundër Ukrainës.

"Vizioni i përbashkët i së ardhmes përfshin vlerat e përbashkëta dhe përgjegjësinë e përbashkët. Ndërsa thellojmë bashkëpunimin tonë me partnerët, ne u bëjmë thirrje atyre të bëjnë përparim të shpejtë dhe të qëndrueshëm drejt përafrimit të plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke përfshirë masat kufizuese të BE-së, dhe të veprojmë në përputhje me rrethanat”, thuhet deklaratën.

E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE

BE-ja e përsëriti angazhimin e saj "të plotë dhe të qartë" ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe kërkon përshpejtimin e procesit të anëtarësimit, duke u bazuar te reformat e besueshme nga partnerët, te kushtëzimet e drejta dhe të rrepta dhe te parimi i meritës së secilit, gjë që është në interesin tonë të ndërsjellë, thuhet në dokumentin e përbashkët.

"BE- ja përshëndet përparimin e bërë nga partnerët e Ballkanit Perëndimor në rrugëtimin përkatës drejt BE-së që nga Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë".

E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin tonë, thuhet në dokument.

Për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës

Udhëheqësit e BE-së dhe shtetet anëtare thanë se vazhdojnë t'i mbështesin plotësisht përpjekjet e përfaqësuesit të Lartë të BE-së për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, Mirosllav Lajçak, si dhe për çështjet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

"Ne presim angazhim konstruktiv nga të dyja palët në mirëbesim dhe në frymën e kompromisit për të bërë progres të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve të tyre, gjë që është kritike për sigurinë dhe stabilitetin e të gjithë rajonit dhe për të siguruar që palët të mund të përparojnë në rrugëtimet përkatëse evropiane", thuhet në deklaratën e Brukselit.

Kosovë dhe Serbisë iu bë thirrje t'i zbatojnë plotësisht Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve dhe aneksin e saj, si dhe të gjitha Marrëveshjet e mëparshme "pa vonesa ose parakushte të mëtejshme".

Atyre, po ashtu, u është kërkuar t'i vazhdojnë përpjekjet e qëndrueshme për ulje të tensionit sipas kërkesave të BE-së dhe që ato të mos ndërmarrin veprime të njëanshme e të pakoordinuara që mund të shkaktojnë tensione dhe dhunë të mëtejshme si dhe të mos përdorin retorikë që nuk favorizon normalizim të marrëdhënieve.

Të gjitha vendet e rajonit do të ftohen të gjejnë zgjidhje të qëndrueshme dhe përfundimtare për mosmarrëveshjet dhe çështjet dypalëshe të rrënjosura në trashëgiminë e së kaluarës.

Osmani: Serbia po planifikon sulme të reja

Duke folur para samitit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha para gazetarëve në Bruksel se "Serbia po planifikon sulme të reja ndaj Kosovës".

Osmani tha se "do t’i informoj sot liderët evropianë për informatat që kanë mbledhur organet tona të sigurisë së bashku me partnerët ndërkombëtarë në këtë drejtim".

"Këto janë alarme që duhet t’i marrim shumë seriozisht dhe të veprojmë si parandalim, në mënyrë që Serbia të mos lejohet më ta destabilizojë rajonin tonë”, ka thënë ajo.

Sipas saj, situata në botë bën që të gjithë të tregohen të kujdesshëm për sigurinë edhe në rajon.

Ajo po ashtu tha se ka ardhur me kërkesën që menjëherë të hiqen masat ndaj Kosovës, duke i quajtur të padrejta.

“Për fat të keq, Serbia ende udhëhiqet nga njerëz, të cilët dëshirojnë ta kthejnë rajonin tonë në vitet ‘90. Ne nuk duhet të lejojmë që një mentalitet i tillë, një logjikë e tillë të triumfojë. Prandaj, ne po punojmë me partnerët tanë evropianë që të rritet siguria në Kosovë, sidomos aspekti i sigurisë rreth kufirit me Serbinë. E dyta, që të hiqen masat ndaj Kosovës dhe të ketë masa ndaj Serbisë për shkak të agresionit që është kryer më 24 shtator. Për fat të keq deri më tash nuk ka pasur ndonjë veprim, dhe nëse vazhdohet pa asnjë veprim, atëherë Serbia do ta marrë këtë si një nxitje”, ka thënë Osmani duke shtuar se Serbia, sipas saj, po planifikon sulme të reja.

Më 24 shtator, një grup i armatosur i serbëve sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, në veri të Kosovës, dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku. Më pas, në shkëmbimin e zjarrit mbetën të vrarë tre sulmues serbë.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe.

Kosova akuzoi Serbinë se qëndron pas sulmit, gjë që Beogradi zyrtar e mohon.

Takimet BE-Ballkani Perëndimor kanë qenë periodike në dy dekadat e fundit.

Më saktësisht, takime të tilla organizohen prej vitit 2020, me iniciativën e Kroacisë, e cila asokohe kryesonte Bashkimin Evropian.

BE-ja, gjithashtu, fton rregullisht përfaqësues të këtyre vendeve në takime të ndryshme në nivel ministror./REL

Borrell: Investimi në qëndrueshmërinë e Ballkanit Perëndimor

Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë në Bashkimin Evropian, Josep Borrell, ka njoftuar se si një nga rezultatet e Samitit BE-Ballkani Perëndimor, do të ofrohen gati dy milionë euro shtesë për të përmirësuar qëndrueshmërinë e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Malit të Zi.

“Gjatë këtij viti kam udhëtuar shumë në rajon. Kemi mbajtur Këshillin e Asocialit në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. Dhe ne duhet të vazhdojmë të angazhohemi më shumë me ta, veçanërisht në rritjen e qëndrueshmërisë ndaj sulmeve kibernetike dhe formave të reja të luftës, tha Borrell.

Borrell shtoi se procesi i zgjerimit duhet të përshpejtohet, duke e cilësuar atë si garancinë më të rëndësishme të sigurisë dhe mënyrën më të rëndësishme për të bërë partneritet me vende të tjera. Ai bëri thirrje që të mbështetet vazhdimisht vendet nga Ballkani Perëndimor që ndjekin politikat e përbashkëta të jashtme dhe të sigurisë, duke shprehur nevojën e tyre për mbështetje për të rezistuar ndaj sfidave të sigurisë.

“Gjërat po lëvizin ngadalë, por lëvizin. Dhe ne duhet t’i shtyjmë ata të vazhdojnë në këtë rrugë, sepse është e vetmja mënyrë që ata të kenë një perspektivë të qartë evropiane”, tha Borrell.

Charles Michel nga Brukseli: Në 2030 duhet të jemi gati për zgjerimin

Përpara samitit BE-Ballkani Perëndimor që po mbahet në Bruksel Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka deklaruar se BE duhet të jetë gati për zgjerim në 2030.

“Ne duam me shumë reforma nga vendet e Ballkanit. Por edhe ne në Bruksel duhet të bëjmë “detyrat tona të shtëpisë”. Por këtë arsye kemi filluar bisedimet.  Duam më shumë investime dhe rritje ekonomike në rajon. Ndaj edhe kemi ndryshuar strategjinë tonë, me investime konkrete. Projekti i ri është i bazuar në pajtim, zgjidhja e çështjeve të rëndësishme mes vendeve. Ne duhet të jemi gati në 2030 për zgjerimin dhe kjo kërkon angazhim nga të dyja palët”, tha ai.

​Osmani: Draft-statuti për asociacionin duhet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë para takimit të samitit të BE-së me Ballkanin Perëndimor në Bruksel, se Kosova është e përkushtuar për procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, teksa draft-statuti i asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Në një konferencë për media, e para e vendit tonë e quajti të rëndësishme vendosjen e masave ndëshkuese ndaj Beogradit zyrtar dhe forcimin e kontrollit të kufirit me Serbinë, në mënyrë që të pamundësohet futja e armatimit dhe grupeve të ngjashme me ato të sulmeve të 24 shtatorit në Banjska.

Osmani: Po punojmë me NATO-n për forcimin e sigurisë së kufirit

“Masat financiare nga Bashkimi Evropian, kjo është ajo që Vuçiq do ta kuptonte si masë, dhe shpresojmë se kjo do ta pengonte atë të sulmonte përsëri, sepse kështu ai do ta dinte që nuk mund t'i shmanget ndëshkimit. Dhe së dyti, kur bëhet fjalë për NATO-n, sigurisht që po punojmë shumë ngushtë me NATO-n për të vazhduar forcimin e sigurisë së kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të mos ketë më kontrabandë armësh dhe të mos hynin terroristë, burra me uniforma të gjelbra dhe me automjetet e tyre të armatosura përmes të cilave ata kanë rrezikuar, jo vetëm jetën e qytetarëve tanë dhe burrave dhe grave tona në uniformë, por edhe kanë rrezikuar stafin e KFOR-it dhe EULEX-it”, ka thënë Osmani.

Ajo ka folur edhe për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për të cilin tha se Kosova është palë konstruktive.

Osmani: Kosova është e përkushtuar për procesin e normalizimit me Serbinë

“Kosova është absolutisht e përkushtuar për procesin e normalizimit me Serbinë, prandaj më 26 tetor Kosova ka ofruar nënshkrimin e marrëveshjes që është arritur në Bruksel, aneksit që është arritur në Ohër dhe të gjitha dokumentet pasuese. Kosova po tregon gjithë përkushtimin e saj si palë konstruktive në këtë proces të dialogut dhe unë do të tregoj edhe një herë sot përkushtimin e Republikës së Kosovës për zbatimin e plotë të shpejtë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit. Megjithatë, si në çdo proces tjetër dialogu, ky është një proces në të cilin duhen dy për tango. Ne presim që Bashkimi Evropian të ketë një sërë kërkesash edhe nga Serbia, sepse marrëveshja është shumë e qartë. Sigurisht që Serbia kërkon zbatimin e një numri nenesh, në radhë të parë nenin 4 të asaj marrëveshjeje, i cili kërkon që ajo të ndalojë bllokimin e anëtarësimit të Kosovës në ndonjë organizatë ndërkombëtare. Pra, sigurisht që ne nuk po ikim nga detyrimet tona, ne jemi plotësisht të përkushtuar, por është një rrugë e dyanshme, ndaj duhet ta zbatojë edhe pala tjetër,” tha Osmani.

Teksa ka folur për draft-statutin për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, presidentja Osmani tha se ky dokument duhet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuesja dhe duhet siguruar se nuk do të ketë krijim të një Republike Serbe.

Osmani: Draft-statuti për asociacionin të shqyrtohet nga Kushtetuesja

“Natyrisht, ajo marrëveshje, Marrëveshja e Brukselit, përfshin edhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të mëparshme, siç e dini, më 21 tetor të dërguarit specialë kanë propozuar një draft statut për disa komuna me shumicë. Tani ai draft statut duhet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës për të kontrolluar përputhshmërinë me Kushtetutën e Kosovës, dhe sigurisht, nëse është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, nëse nuk krijon një shtresë të re të qeverisjes, nëse nuk paraqet ndonjë rrezik përpara për një Republikë Serbe të ardhshme, sigurisht që do të zbatohet, dhe sigurisht ata që e kanë hartuar besojnë se nuk krijon asnjërën nga këto, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës është organi i vetëm që mund ta japë atë konfirmim”, u shpreh Osmani. 

Osmani para takimit në Bruksel, ka një kërkesë për BE-në

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka arritur në Bruksel për takimin me liderët e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Samitit BE-Ballkan Perëndimor,

Osmani ka thënë se është shumë e lumtur që ndodhet në Bruksel dhe që përfaqëson një shtet që ka harmonizuar politikën e tij 100 % me secilin vendim të BE-së që ndërlidhet me politikë të jashtme dhe se Kosova do të vazhdojë të veprojë në të njëjtën mënyrë.

“Jam shumë e lumtur të jem këtu, që të diskutojmë me liderët e BE-së dhe rajonit se si mund ta lëvizim përpara rajonin. Jam shumë e lumtur që përfaqësoj një vend që është 100 % me secilin vendim të BE-së lidhur me politikën e jashtme dhe sigurisë dhe do të vazhdojmë të veprojmë kështu për t’i mbrojtur vlerat e përbashkëta”, ka thënë Osmani.

Ajo tutje ka thënë se ka udhëtuar drejt Brukselit me një numër mesazhesh, teksa përfaqëson popullin e Kosovës. Shefja e shtetit ka kërkuar që BE-ja t’i heq menjëherë masat ndaj Kosovës duke thënë se janë jo proporcionale dhe të padrejta dhe se ato masa po ndikojnë drejtpërdrejtë në jetët e qytetarëve të Kosovës.

Osmani ka thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për de-eskalim.

“Erdha këtu me një numër mesazhesh, duke përfaqësuar kosovarët, fillimisht për të bërë thirrje tek liderët e BE-së që menjëherë t’i heqin masat joproporcionale dhe jo të drejta, sepse Kosova ka marrë të gjitha masat për de-eskalim situatën dhe besoj se BE-ja duhet t’i heq ato masa sepse po dëmtojnë qytetarët e Kosovës, sepse po flasim për projekte për ujin e pijes, menagjimin e mbeturinave, dhe projekte që ndikojnë direkt në jetën e tyre”, ka thënë presidentja Osmani.

Shqipëria në pritje të vendimit të Këshillit Evropian për negociatat, Rama pak para fillimit të Samitit në Bruksel

Në kryeqytetin e Belgjikës, Bruksel pritet të mbahet Samiti i Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Pak para nisjes së Samitit, kryeministri Edi Rama ka postuar foto në rrjetet sociale, ku ndodhet në sallën ku do të zhvillohet mbledhja, e në tjetrën tregon zyrën e delegacionit shqiptar.

“Bruksel, pak para nisjes së Samitit të BE-së me Ballkanin Perëndimor”, shkruan Rama në Facebook.

Pasditen e kësaj të mërkurë, sytë e qeverisë shqiptare janë në Bruksel.

Atje ku kryeministri Rama po pret vendimin e Këshillit Evropian për hapjen apo jo të kapitujve të parë negociues per anëtarësimin ne BE.

Pavarësisht notave pozitive të dhëna nga Komisioni Evropian për progresin që ka bërë vendi, vetë Unioni po vihet në pikëpyetje ngq aplikimi i të drejtës së vetos nga shtetet anëtare. Në rastin tonë, Greqia ka kërcënuar se nuk do ta japë sot dakordësinë, duke e kushtëzuar Shqipërinë me çështjen Beleri.

Borell: Ditëve të fundit kemi lajme të mira, Kosova dhe Serbia po lëvizin, ngadalë, por po lëvizin

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell, ka folur para nisjes së Samitit të BE-Ballkan Perëndimor. Borell ka thënë se në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë është investuar shumë kohë dhe energji, derisa procesi ka pasur rënie e ngritje, kriza por edhe zgjidhje.

Shefi i diplomacisë së BE-së ka veçuar marrëveshjen e fundit për energjinë, ndërkohë ka thënë se ka përparim edhe sa i përket Marrëveshjes së Ohrit dhe Aneksit të Implementimit. Borell ka thënë se ditëve të fundit ka lajme të mira, meqë Kosova dhe Serbia po lëvizin, ngadalë por që po lëvizin.

Ai ka thënë se BE-ja duhet t’i shtyjë palët në këtë rrugë.

 “Në veçanti është dialogu Kosovë-Serbi. Kemi investuar shumë kohë dhe energji. Ka pasur ngritje dhe rënie, shumë kriza, por edhe zgjidhje, energjia, kartat e identitetit, tabelat e veutrave. Energjia ka qenë një marrëveshje e fundit e mirë. Dhe një përparim me marrëveshjen e Ohrit dhe Aneksin e implementimit. Në ditët e fundit ka pasur lajme të mira, të dy palët po lëvizin, ngadalë, por ato po lëvizin. Dhe duhet t’i shtyjmë që të lëvizin në këtë rrugë. Sepse është e vetmja për ta, për të pasur një perspektivë të qartë evropiane“, ka thënë Borell.

“Të hiqet rregulli i vetos”, Scholz para samitit në Bruksel: Shansi historik për të lidhur përfundimisht rajonin me Evropën

Gjatë një deklarate qeveritare në parlamentin gjerman për samitin e BE-së në Bruksel, kancelari gjerman Olaf Scholz, bëri thirrje, ndër të tjera, për më shumë mbështetje dhe vlerësim për vendet e Ballkanit Perëndimor. 

Scholz kujtoi në prag të samitit BE-Ballkani Perëndimor, i cili fillon punimet të mërkurën në Bruksel, se “prej 20 vjetësh, vende si Shqipëria, Bosnja-Herzegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia janë në pritje për t’u bërë pjesë e BE-së” dhe shtoi se tani “ka ardhur koha që të gjithë të shohin panoramën e përgjithshme, si kandidatët, ashtu edhe vendet anëtare të BE-së”, sipas DW.

Sipas kancelarit gjerman, kjo panoaramë e përgjithshme është “shansi historik për të lidhur përfundimisht rajonin me Europën dhe për t’ia lënë të kaluarës problemet e së kaluarës”.

“Vende që bëjnë reforma duhet të vlerësohen”

Kjo thirrje shkonte si në adresë të vendeve kandidate, por më tepër në adresë të vendeve antare të BE, që sipas Scholzit duhet të mundësojnë reformimin e brendshëm të unoinit. Konkretisht, kancelari gjerman kërkoi që për shumë hapa, në kuadër të procesit të zgjerimit, të hiqet rregulli i vetos.

“Nuk ka pse çdo vendim, si çelja apo mbyllja e kapitujve të negociatave, të varet nga çdo vend anëtar. Nëse vende, si për shembull Shqipëria, kanë bërë reforma të rëndësishme, kjo duhet të vlerësohet. Përndryshe, rrezikohet të dëmtohet i gjithë procesi i anëtarësimit dhe këtë nuk duhet ta lejojmë“, tha kancelari në mes të duartrokitjeve të shumë deputetëve në sallë.

Çështja Beleri: Gjermania e trajton si bilaterale

Thirrjet e kancelarit socialdemokrat shkonin tërthorazi në adresë të Greqisë, e ciila ka kërcënuar se nuk do të lejojë çeljen e kapitullit të parë të negociatave me Shqipërinë, pa u zgjidhur çështja Beleri. Ndërsa për Greqinë, kjo është një çështje që ka të bëjë me shtetin ligjor dhe të drejtat e pakicave, për Gjermaninë është një çështje bilaterale dhe duhet të zgjidhet brenda kuadrit dypalësht. Një qëndrim, të cilin kancelari gjerman Scholz, e theksoi edhe disa javë më parë gjatë vizitës së kryeminstrit grek, Kyriakos Micotakis në Berlin.  Kryebashkiaku i  zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, ndodhet prej shtatë muajsh në paraburgim me akuzën për “korrupsion aktiv” për shit-blerje votash.

Ndihmë opozitës CDU/CSU për Maqedoninë e Veriut

Por kancelari gjerman  e kishte fjalën tërthorazi edhe për bllokimin e prej tashmë disa vitesh që i bën Bullgaria Maqedonisë së Veriut, për shkak të një grindjeje për çështje historike. Kancelari socialdemokrat i kërkoi ndihmë në këtë çështje grupit parlamentar CDU/CSU : “Do t’ju isha mirënjohës, të dashur kolege dhe kolegë të grupit parlamentar të Unionit, nëse do të përdornit ndikimin tuaj te partia simotër që të japë ndihmesë konstruktive për zgjidhje“, tha ai. Kancelari kishte parasysh bllokadën aktuale të partisë opozitare VMRO/DPMNE për ndryshimin e kushtetutës, kusht ky që kërkohet nga Bullgaria.

Negociatat për Ukrainën dhe Moldavinë

Në fjalën e tij në prag të samitit të BE-së, Scholz u shpreh për mbështjetje për Ukrainën, përsa kohë që ajo ka nevojë dhe premtoi se do ta rrisë ndihmën finanicare për Ukrainën, nëse do të jetë nevoja. Ai u shpreh për çeljen e negociatave me Ukrainën dhe Moldavinë, si edhe për t’i dhënë Gjeorgjisë statusin e kandidatit të BE-së. Këtë kërkesë e mbështesin si partitë e pozitës ashtu edhe CDU/CSU në opozitë.

Grupi parlamentar i AFD-së, fraksioni tjetër opozitar që ka mbetur, pas shpërbërjes së grupit parlamentar Die Linke, për shkak të partisë së re të krijuar nga Sahra Wagenknecht, është kundër zgjerimit të BE-së, por për partneritete me këto vende, sikurse edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor, ngjashëm si me Zvicrën dhe Norvegjinë.

Osmani në Bruksel: Serbia po planifikon sulme të reja

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Serbia po planifikon sulme të reja në Kosovë.

Në samitin BE-Ballkani Perëndimor që po zhvillohet në Bruksel, Osmani tha se do t’i njoftojë sot liderët evropianë për informatat që Kosova posedon lidhur me plane të Serbisë.

“Të gjitha informatat që ne i kemi është se Serbia po planifikon sulme të reja, unë do t’i informojë të gjithë liderët evropianë sot për informatat që institucionet tona të sigurisë së bashku me partnerët i kanë mbledhur në këtë drejtim, sepse këto janë alarme të cilat të gjithë ne duhet t’i marrim shumë seriozisht dhe të veprojmë si preventivë në mënyrë që Serbia mos ta destabilizojë më rajonin tonë”, ka thënë Osmani.

Po ashtu, Osmani ka thënë se Kosova po punon vazhdimisht me partnerët dhe BE-në për ta rritur sigurinë në Kosovë, sidomos rreth kufirit me Serbinë.

“Ky samit është duke ndodhur në një kohë të vështirë për Evropën dhe për të gjithë botën për shkak të një sërë konfliktesh që po ndodhin anë e kënd botës dhe natyrisht që edhe natyrisht që vëmendja e të gjithë partnerëve tanë është te të gjitha këto konflikte. Këto konflikte që po ndodhin në botë dëshmojnë se sa e rëndësishme është paqja në Ballkanin Perëndimor. Për fat të keq Serbia akoma udhëhiqet nga njerëz që dëshirojnë ta kthejnë prapa rajonin tonë në vitet e 890-ta, ne nuk duhet të lejojmë që një logjikë e tillë të triumfojë, prandaj po punojmë me partnerët tanë në BE në mënyrë që të rritet siguria në Kosovë dhe sidomos aspekti i sigurisë rreth kufirit me Serbinë dhe e dyta që të hiqen masat ndaj Kosovës, është e domosdoshme që të ketë masa ndaj Serbisë për aktin e agresionit që është kryer më 24 shtator. Për fat të keq deri më tani nuk ka pasur asnjë veprim dhe nëse vazhdohet pa asnjë veprim ose masë ndaj Serbia, ajo do ta marrë këtë si një lloj nxitjeje”, ka thënë ajo.

Kujtojmë se Osmani ka udhëtuar për në Bruksel, për ta përfaqësuar Kosovën në samitin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat