​Projektligji për buxhetin, Tahiri: Është kthyer në një dokument të një partie politike

Aktuale

​Projektligji për buxhetin, Tahiri: Është kthyer në një dokument të një partie politike

Më: 14 dhjetor 2023 Në ora: 12:39
Besnik Tahiri

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës konsideron se Projektligji për ndarjet buxhetore është kthyer në një dokument të një partie politike ose e një kabineti qeverisës që ka mbështetjen e këtyre deputetëve.

Në seancën plenare, shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri tha se ky ligj i ka 64 amendamente dhe se prej tyre asnjë nuk do të miratohet.

Tahiri: Para vetes kemi ligjin i cili është kthyer në një dokument të një partie politike

“Kemi para nesh jo ligjin për buxhetin e konsoliduar të Republikës së Kosovës, por ligjin i cili është kthyer në një dokument të një partie poltiike, të një kabineti qeverisës që ka mbështetjen e këtyre deputetëve e fatkeqësisht këta deputetë nuk i ka vet askush dhe asnjë amandament të vetëm nuk kanë mundur ta fusin në këtë ligj. Është qeveria në emër të votës së tyre përcakton dhe bënë çka të dojë. Ky ligj i ka 64 amendamente dhe prej tyre asnjë nuk do të miratohet. Jemi duke folur për një dokument puro politik që shfrytëzon buxhetin për përfitime partiake në kurriz të këtyre deputetëve, për të shpërndarë ndihma dhe për dështimet e politikave qeverisëse që i kanë pasur gjatë këtyre tri viteve”, tha Tahiri.

Tahiri ka akuzuar qeverinë për ngecje të investimeve kapitale, për çfarë tha se mbi 1 mijë e 700 projekte kapitale të vitit 2023 ende janë të pafilluara.

Tahiri: A jeni të vetëdijshëm që shpenzimi i buxhetit për investime kapitale për këtë vit është 35 për qind

“A jeni të vetëdijshëm që për vitin 2022 shpenzimi i buxhetit për investime kapitale ka qenë vec 60 për qind, ndërsa për vitin 2023 ka qenë vetëm 35 për qind e që po themi se do të arrijë tek 60 për qindëshi... Për dy vite rresht kjo qeveri nuk ka arritur të investojë në projektet kapitale 80 për qind të buxhetit të vet...Mbi 1 mijë e 700 projekte kapitale të vitit 2023 ende janë të pafilluara, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës nuk ka arrit deri në shtator t’i nis 167 projekte, Ministria e Kulturës 165, Ministria e Arsimit 43, Ministria e Financave 35, Ministria e Pushtetit lokal 31, Ministria e Punëve të Brendshme 27, Ministria e Shëndetësisë 18, Ministria e Drejtësisë, 18, e Bujqësisë 14, e Zhvillimit Rajonal 11, Ministria e Ekonomisë 9, Ministria e Punëve te Jashtme të Diasporës 9 e kështu me radhë ”, shtoi Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat