“Viktimat e Z. Mustafa ishin të gjithë shqiptarë të Kosovës”/ Prokurorja e Specializuar mirëpret lënien në fuqi të vendimit për “Calin”

Aktuale

“Viktimat e Z. Mustafa ishin të gjithë shqiptarë të Kosovës”/ Prokurorja e Specializuar mirëpret lënien në fuqi të vendimit për “Calin”

Nga: M.L. Më: 14 dhjetor 2023 Në ora: 13:50
Sali Mustafa

Prokurorja e Specializuar Kimbërli Uest (Kimberly West) mirëpriti aktgjykimin e sotëm në apelin e Salih Mustafës që la në fuqi vendimin e shkallës së parë por modifikoi dënimin e Z. Mustafa, dhe tha se ai përfaqëson një fitore për drejtësinë.

“Mirëpres aktgjykimin e sotëm i cili, me gjithë ndryshimin e vogël të dënimit të Z. Mustafa, përbën një fitore për drejtësinë dhe, në veçanti, për viktimat e Salih Mustafës dhe familjet e tyre,” tha Znj. Uest duke folur pas vendimit nga Paneli i Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara, transmeton “Bota sot”.

Në vendimin e shkallës së parë të 16 dhjetorit 2022, Z. Mustafa u shpall fajtor për tre akuza për krime lufte – ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje – dhe u dënua me 26 vjet burg.

Viktimat e Z. Mustafa ishin të gjithë shqiptarë të Kosovës, disa prej të cilëve kishin dalë vullnetarë për të shërbyer në UÇK sepse ata besonin fuqishëm në luftën për pavarësinë e Kosovës.

Z. Mustafa u arrestua më 24 shtator 2020 në Prishtinë nga ZPS-ja. Gjykimi i tij filloi më 15 shtator 2021; procesi i paraqitjes së dëshmive dhe provave përfundoi më 20 qershor 2022; dhe deklaratat përmbyllëse u mbajtën nga 13 deri në 15 shtator 2022. ZPS-ja paraqiti gjithsej 14 dëshmitarë”, thuhet në komunikatën e zyrës për inoformim të Prokurorit të Specializuar.

Z. Mustafa e apeloi vendimin e shkallës së parë dhe seancat dëgjimore të apelit u zhvilluan më 26 dhe 27 tetor 2023.

“Gjatë seancave dëgjimore të apelit ZPS-ja bëri parashtrimin se dënimi i Z. Mustafa ishte i drejtë, jo vetëm për ndalim arbitrar dhe torturë, por edhe për vrasje, sepse ai dhe bashkë-kryesit e tij e torturuan viktimën e vrasjes deri në gjendje gati të vdekur, i mohuan atij ndihmën mjekësore, dhe e lanë të vdiste.

Sot, Paneli i Gjykatës së Apelit i la në fuqi të gjitha dënimet, theksoi natyrën e rëndë të krimeve dhe e modifikoi periudhën e vuajtjes së dënimit të Z. Mustafa në 22 vjet burg”, theksohet në komunikatë.

Prokurorja e Specializuar ngriti gjithashtu lart kurajën e dëshmitarëve që dhanë dëshmi në gjyqin ndaj Mustafës.

“Gatishmëria e dëshmitarëve për të dëshmuar ishte kritike në këtë çështje gjyqësore dhe unë duartrokas kurajën e tyre, që dhanë dëshmi në sallën e gjyqit,” tha Prokurorja e Specializuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat