Zgjedhjet serbe të 17 dhjetorit, kjo ishte oferta e Kurtit për votim në Kosovë

Aktuale

Zgjedhjet serbe të 17 dhjetorit, kjo ishte oferta e Kurtit për votim në Kosovë

Më: 14 dhjetor 2023 Në ora: 16:14
Albin Kurti

Kryeministri Kurti mbrëmë në tubimin në përkrahje të Shaip Kamberit, ka thënë se ka ofruar mundësi për marrëveshje me Serbinë që “në tri dhomat e zbrazëta që janë në ndërtesën e Bashkimit Evropian të mund të votojnë qytetarët në zgjedhjet që mbahen në Serbi”.

Nëse do të bëhej ajo marrëveshje, Kurti thotë se do të ishte e mundur që të votojnë edhe serbët që janë në Kosovë.

Ai i “inkurajoi” të gjithë pjesëmarrësit që të shkojnë të dielën në Serbi dhe të votojnë për Shaip Kamberin. “Nuk dyshoj që keni shumë kushëri që i ka marrë malli për juve”, shtoi ai.

“E dimë që një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci jetojnë në Prishtinë, jetojnë në Fushë Kosovë, jetojnë në Gjilan por edhe në komuna tjera. Unë kam ofruar një mundësi për marrëveshje me Serbinë që në ato tri dhoma të zbrazëta që janë në ndërtesën e Bashkimit Evropian e cila ndodhet ndërmjet Kuvendit dhe Qeverisë të mund të votojnë qytetarët në zgjedhjet që mbahen në Serbi. Po të bëhej ajo marrëveshje do të kishim mundur edhe serbët që janë në Kosovë të votojnë. Mirëpo nuk u bë kjo marrëveshje, prandaj atyre ju ngelet mundësia që të votojnë duke udhëtuar me autobusë ose me vetura. E unë ju inkurajoj të gjithëve që, meqenëse nuk u bë mundësia të votoni në Prishtinë, të dielën edhe shkoni votoni numrin 13 për Shaip Kamberin, e nuk dyshoj që keni shumë kushëri që i ka marrë malli për juve”.

Më pas, Kurti u bëri thirrje kryetarëve të Prishtinës, Fushë Kosovës dhe Gjilanit që të ndihmojnë në transportin sa më të lirë e më të lehtë.

“Me këtë rast, i bëj thirrje të tre kryetarëve tanë të komunave, të Komunës së Prishtinës, Përparim Ramës, të Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berishës dhe të Komunës së Gjilanit, Alban Hysenit që të ndihmojnë në transportin sa më të lirë e më të lehtë, ashtu që vota të mos jetë e penguar por të jetë e ndihmuar për ata të cilët duan e do të duhej ta shprehin vullnetin e tyre me 17 dhjetor”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat