Ish i burgosuri për rastin “Panda”: Më torturuan që ta pranoja krimin që s’e kisha kryer

Aktuale

Ish i burgosuri për rastin “Panda”: Më torturuan që ta pranoja krimin që s’e kisha kryer

Më: 14 dhjetor 2023 Në ora: 18:24
Ish-lokali "Panda" ku u vranë gjashtë të rinj serbë, foto RFE. Në sfond, Agron Kollçaku, ish i burgosur për rastin “Panda”.

Agron Kollçaku, një prej të burgosurve për vrasjet në kafenën “Panda” në Pejë para 25 vitesh, ka rrëfyer padrejtësitë dhe torturat që i janë bërë.

Kollçaku tregon se vrasja në “Panda” shihej si akt hakmarrjeje, çka çoi në bastisje dhe arrestime të shqiptarëve në Pejë.

Ai, i shënjestruar në atë kohë, ndodhej midis të arrestuarve dhe tregon sesi ka qëndruar 12 muaj në burg pa ditur asgjë për rastin.

“Sot edhe 25 vite më parë nuk kisha njohuri për këtë rast që kishte ndodhur vrasja. Ishte mëngjes i hershëm ora 4 e mëngjesit nuk isha në dijeni se për çfarë, por deshën dhe e bënë”, ka deklaruar Kollçaku.

Ai vazhdon rrëfimin e tij, duke treguar se përgjatë 12 muajve është torturuar me masa jashtëzakonisht të vështira.

Kollçaku ka thënë se ishte detyruar të pranojë një vrasje që nuk e kishte kryer.

“Në tavolinë na mbulonin një dokument duke na detyruar ta nënshkruajmë atë, se çfarë kishte në atë dokument nuk e kam ditur kurrë”, ka shtuar ai.

Kollçaku ka theksuar se nuk ka pasur ndonjëherë drejtësi dhe se deri më tash asnjë Qeveri apo kryeministër nuk ka marrë përgjegjësi për të zbardhur të vërtetën.

Por, tash thotë se i vjen mirë për iniciativën e Qeverisë Kurti për të zbardhur të vërtetën në këtë rast.

“Ky rast ka ndodhur sot para 25 vitesh, më vjen mirë shumë prej Qeverisë Kurti tash që e ka marrë këtë iniciativë që ta zbardhë të vërtetën”, ka deklaruar Kollçaku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat