Kurti nga Brukseli: Masat e BE-së të padrejta, Serbia fajtore për eskalimin në veri

Aktuale

Kurti nga Brukseli: Masat e BE-së të padrejta, Serbia fajtore për eskalimin në veri

Më: 14 dhjetor 2023 Në ora: 22:07
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ishte pjesëmarrës në mbledhjen përgatitore të Partisë së Socialistëve Evropianë.

Siç ka njoftuar VV-ja përmes një komunikate, Kurti foli për arritjet e Republikës së Kosovës në luftimin e korrupsionit dhe sipas tyre “për rritjen ekonomike në këto 32 muaj në qeverisje”.

Tutje, Kryeministri Kurti rikujtoi masat e padrejta që i janë vënë Republikës së Kosovës dhe bëri thirrje për heqjen e këtyre gjersa theksoi se “shteti autoritar fqinj është ai që bart fajin për eskalimin e situatës në pjesën veriore të Kosovës”.

Aty Kurti ritheksoi se fajtore për eskalimin e situatës në Veri është Serbia dhe bëri thirrje t’i hiqen masat Kosovës.

“Barrikadat e paramilitarëve u zëvendësuan me sulme paramilitare, sulme terroriste, lideri i të cilëve është i lirë në Serbi dhe merr pjesë në mitingjet e presidentit të Serbisë. Kryeministri Kurti ripohoi përkushtimin e Kosovës për zbatimin e marrëveshjeve të arritura sivjet por duke kërkuar nënshkrimin e dy palëve si një garanci ligjore për një zbatim pa shkelje. Ai ritheksoi synimin e vendit tonë për integrim në Partneritetin për Paqe të NATO-s dhe në Bashkimin Evropian, duke kërkuar dërgimin e pyetësorit”, thuhet në njoftim.

“Në margjina të kësaj mbledhje, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pati rastin të bisedojë me Përfaqësuesin e Lartë për Politikën e Jashtme, z. Josep Borrell, me Kryeministrin e Spanjës, z. Pedro Sánchez, me Kryetaren e Grupit të Socialdemokratëve në Parlamentin Evropian, znj. Iratxe García Pérez, me Komisarin Evropian për Punësim dhe për të Drejtat Sociale, z. Nicolas Schmit, por sigurisht edhe me Kryetarin e PES-it, z. Stefan Löfven dhe me Sekretarin e Përgjithshëm, z. Giacomo Filibeck”, theksohet në njoftim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat