25 vjet nga rënia e Mujë Krasniqit me 40 shokë të UÇK-së

Aktuale

25 vjet nga rënia e Mujë Krasniqit me 40 shokë të UÇK-së

Më: 14 dhjetor 2023 Në ora: 23:17
Mujë Krasniqi

Historia e Mujë Krasniqit nuk fillon me shtegtimin e lirisë nga malet e Shqipërisë me 150 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

As me daljen publike të UÇK-së më 28 nëntor 1997.

Nuk ka figurë të rëndësishme të luftës së lavdishme të UÇK-së që nuk ka pasur shoqëri me “Kapuqin”.

“Mos shiqoni plagët e mija por shiqoni ku i ka kufijtë Shqipërija. Këtë na thojke kur ishte i plagosur, edhe shkojshim në vizitë me e vizitu”, ka thënë Ali Gashi bashkëluftëtar i Mujë Krasniqit.

Këtë porosi Ali Gashi, shoku i pushkës e i luftës e ka marrë shumë herë nga komandanti i “Brigadës 113” në Zonën e Drenicës.

Muja pos që ishte merakli i luftës e donte edhe këngën. Në odë ia kriste çiftelisë e kur ishte nevoja hidhej në aksion.

Ditën që e mban mend mirë dhe e rrëfen në detaje bashkëluftëtari Ali Gashi është 24 marsi i 98-s.

“Tha është duke ndodhur të “Davidi” ishte fjala për Daut Haradinajn. Edhe Muja u qu në këmbë tha duhet me ja shkep dorëzat forcave serbe, mos me i lënë të gjitha me u merr me Gllogjanin”, tha ai.

Pamjet e mediave ndërkombëtare tregojnë panikun e forcave serbe në post-bllokun e Policisë në Kijevë, aty ku kryqëzohen rrugët për në Malishevë dhe në zonën e Dukagjinit.

“Aty filloi sulmi jonë, menjëherë pas tij ne që ishim shokë të tij nisëm të gjuajmë me armë automatike. Muja goditi disa herë me mortajë, me snajperkë, me automatik, sepse Muja ka posedu shumë armë me veti”, vijoi Gashi.

Beteja që e ndihmoi familjen Haradinaj t’i bëjë ballë ushtrisë serbe ishte e zakonshme për nismëtarin e UÇK-së. Edhe me këmbën e plagosur ai merrte pjesë në aksione dhe udhëhiqte ushtarët. Në tetor të 98-s, Gashi e përcolli për shërim në Shqipëri.

Një muaj pas takimit, më 13 dhjetor, Mujë Krasniqi bashkë me rreth 150 ushtarë nisën shtegtimin për t’i sjellë armët e lirisë në Kosovë. Forcat serbe kishin zënë pritën.

Rreth orës 2, në mëngjesin e ftohtë të 14 dhjetorit, tek shkëmbinjtë e mbuluar nga bora, “Te Likenet e Hasit”, në Gorozhup të Pashtrikut, u thye heshtja. Rrethimit i shpëtoi një pjesë, por jo edhe Mujë Krasniqi bashkë me 40 ushtarë tjerë.

Secili prej 41 dëshmorëve mbanë emër e mbiemër e në supe merita për lirinë që e gëzojmë. Por në përvjetorin e 25 të rënies, sikurse në të kaluarën, vëmendje më shumë merr Mujë Krasniqi, jo se ishte komandant brigade, por luftëtar që s’pushoi dhe themelues i celulave të para të ushtrisë me në krye Adem Jasharin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat