Bislimi: Për zgjedhjet në Medvegjë, votuesit nga Kosova mund të përballen me pengesa administrative në kufi

Aktuale

Bislimi: Për zgjedhjet në Medvegjë, votuesit nga Kosova mund të përballen me pengesa administrative në kufi

Më: 15 dhjetor 2023 Në ora: 20:26
Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në prag të zgjedhjeve në Serbi ka bërë thirrje për unitet në përkrahje të shqiptarëve që ndodhen në Luginën e Preshevës.

Bislimi ka thënë se projekti serb për heshtjen e zërit shqip, duhet të përballet me rezistencë e mosnënshtrim.

Sipas tij, institucionet qendrore e lokale serbe, i kanë targetuar për diskriminim e shtypje shqiptarët në drejtësi e gjyqësor, arsim, shëndetësi e kulturë, qasje në punësim e ndërmarrje publike.

Edhe pasivizimi i adresave është përpjekje e mëtejshme e vazhdueshme për spastrim etnik administrativ e institucional. Zërat e fuqishëm duhet t’i dalin ballë Luginës. Zëri i fuqishëm në parlament, ai i Shaip Kamberit me numër 13, por sidomos dhe ai në nivel lokal, veçanërisht në Medvegjë me numër 2”, ka shkruar Bislimi në Facebook.

Ai më tej është shprehur se zgjedhjet lokale atje, po përballen me shumë shkelje.

Ka shtuar se si pasojë e pasivizimit, shumë votues shqiptarë nuk gjenden në regjistrat e votuesve duke ia mohuar të drejtën e votës.

Gjithashtu, zëvendëskryeministri ka thënë se është shqetësuese që për zgjedhjet lokale në Medvegjë, votuesit nga Kosova që duan të shprehin vullnetin e tyre të lirë, mund të përballen me rrezikun potencial të pengesave administrative në kufi.

“Kam njoftuar në lidhje me këtë situatë dhe emisarin Lajçak, ku kërkova gatishmërinë e BE-së që të ndërhyjë në pikën kufitare në Mutivodë në rast të paraqitjes së shkeljeve të tilla”.

Shqiptarët duhet të mbrojnë dhe avancojnë të drejtat dhe liritë për komunitetin tonë që jeton në atje. Vota e 17 dhjetorit, është votë për rezistencë. Për rezistencë kundër autoritarizmit dhe shtypjes.

Në këtë betejë politike, secila votë është e vlefshme. Ajo duhet të dëshmohet të dielën e 17 dhjetorit, me vendosmëri e guxim”, ka përfunduar Bislimi.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Serbi do të mbahen më 17 dhjetor.

Në listën e Shaip Kamberit bëjnë pjesë këto parti: Partia për Veprim Demokratik, Partia Demokratike Shqiptare, Lëvizja e Progresit Demokratik, Unioni Demokratik Shqiptar dhe Aleanca për Luginën. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat