​Nissinen optimist për heqjen e masave: Kosova dhe Serbia të shfrytëzojnë momentumin për normalizim

Aktuale

​Nissinen optimist për heqjen e masave: Kosova dhe Serbia të shfrytëzojnë momentumin për normalizim

Më: 17 dhjetor 2023 Në ora: 10:07
Matti Nissinen

Kosova ka shënuar progres në përmbushjen e kërkesave të Bashkimit Evropian, thotë ambasadori finlandez në Kosovë, Matti Nissinen teksa shprehet optimist se së shpejti do të kemi lëvizje për heqjen e masave. Pret zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit derisa thotë se është momentumi për normalizim dhe zgjerim.

Në intervistën për Kp, Nissinen flet për hyrjen e Finlandës në NATO, si dhe marrëdhëniet e shkëlqyera me Kosovën, për të cilat thotë se do të thellohen meqë sheh potencial tek rinia e vendit. Thekson mbështetjen e Finlandës ndaj Kosovës në të gjitha aspiratat evropiane dhe euroatlantike, me theks të veçantë anëtarësimin në programin “Partneritet për paqe” dhe në Kartën e Adriatikut.

Mirëpret kosovarët që nga 1 janari të vizitojnë Finlandën.

Nissinen: Është momentumi për zgjerim dhe për progres në dialogun Kosovë-Serbi

“Mendoj se është momenti për të arritur rezultate për shumë çështje të ndryshme, qoftë për zgjerimin apo dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe shpresoj vetëm se palët do ta shfrytëzojnë këtë mundësi. Ne e kemi parë këtë lloj mënyre të menaxhimit të krizave për një kohë të gjatë dhe shpresoj se procesi do të shkojë më shumë për të parë një pamje më të gjerë dhe për të parë të gjitha mundësitë që janë tani në dispozicion dhe mendoj se të gjithë duhet të fokusohen në zbatimin në këtë pikë”, thotë ambasadori finlandez.

Sa i përket aktit të agresionit serb në Banjskë të Zveçanit, Nissinen thotë se Bashkimi Evropian pret që autorët e sulmit të dalin para drejtësisë. Derisa shprehet optimist për heqjen e masave të kthyeshme ndaj Kosovës.

Nissinen: BE-ja pret që autorët e sulmit të Banjskë të dalin para drejtësisë

“Bashkimi Evropian pret që ata autorë që ishin pas sulmit të dalin para drejtësisë. Mendoj se ky është një element shumë i rëndësishëm për të theksuar qartë konkluzionet e këshillit. Dhe, po ashtu kur është fjala për këtë faktin tjetër, i cili tashmë është vendosur më herët se cilat janë masat e kthyeshme të Bashkimit Evropian për Kosovën, në konkluzionet e Këshillit thuhej se në bazë të raportit të përfaqësuesit të lartë, Këshilli do të kthehet në çështje. Dhe në të njëjtën kohë, këshilli mirëpriti se ka pasur progres në përmbushjen e atyre kërkesave që ka pasur Bashkimi Evropian për Kosovën. Pra, shpresojmë se së shpejti do të jemi në një situatë më pozitive për këtë”, thotë ai.

Sipas tij, Kosovës nuk do t’i mungojë mbështetja e Finlandës në politikën e jashtme.

Nissinen: Finlanda do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në aspiratat e saj

“Epo, historikisht, Finlanda ka qenë shumë mbështetëse për çdo politikë të jashtme apo aspirata të tjera që mund të ketë Kosova dhe kjo vazhdon të jetë kështu. Pra, ajo që dua të theksoj është se mbështetja e fuqishme e Finlandës për anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme do të vazhdojë dhe kjo përfshin edhe aspiratat evropiane dhe euroatlantike...  Ambasada ka një orar të plotë gjithmonë ne po mundohemi ta mbajmë veten shumë të zënë. Fokusi ynë kryesor është sigurisht përmirësimi dhe ruajtja e marrëdhënieve të shkëlqyera që kemi midis dy vendeve tona. Tradicionalisht, ne kemi qenë mjaft të fokusuar në mbështetjen e aspektit politik për ngritjen e kapaciteteve në vend. Por me kalimin e kohës vura re se ne kemi një marrëdhënie shumë më të gjerë në ditët e sotme, ajo përfshin edhe këto aspekte politike, por gjithnjë e më shumë investime, mundësi ekonomike, dhe një fakt interesant që ne fokusohemi shumë janë të rinjtë, të rinjtë e Kosovës, të cilët janë liderët e ardhshëm të kombit”, thekson ambasadori.

Diplomati finlandez i vlerëson pozitivisht të arriturat e Kosovës, që siç thotë ai, janë evidentuar edhe në Raportin e Progresit. Thekson se përkushtimi i Kosovës në rrugën evropiane është i qartë.

Nissinen: Përkushtimi i Kosovës në rrugën evropiane është i qartë

“Për mendimin tim, kur po studioja raportin e progresit, pash shumë elemente pozitive duke filluar nga fakti se përkushtimi i Kosovës në rrugën evropiane është i qartë. Kjo është një gjë shumë e vlefshme për të parë dhe lexuar nga raporti. Pra, mendoj se kjo është një pikë e shkëlqyer nga perspektiva e Kosovës. Natyrisht, ka elementë, sektorë të ndryshëm politikë që ende kanë nevojë për punë të mëtejshme, por unë gjithmonë them se procesi i zgjerimit dhe negociatat e anëtarësimit janë më shumë si një maratonë, nuk janë një ‘sprint’. Pra, ky proces afatgjatë është planifikuar edhe për të ndihmuar vendin në fjalë që të përgatitet për anëtarësim, dhe Finlanda gjithashtu në këtë drejtim është gjithmonë në dispozicion për çdo ndihmë të mundshme nëse kjo është diçka që kërkohet”, thotë ai.

Përparim sheh edhe në zhvillimin ekonomik të vendit.

Nissinen: Kosova ka shënuar përparim në zhvillimin ekonomik të vendit

“Unë shoh një përparim. Gjithmonë e kam admiruar natyrën dinamike të ekonomisë dhe të shoqërisë në tërësi këtu në Kosovë. Dhe, mendoj se kjo popullatë e re, një skenë në lulëzim, mentaliteti i orientuar drejt biznesit janë pasuri të mëdha për shoqërinë. Dhe unë shoh shumë potencial në këtë. Natyrisht, kur bëhet fjalë për Bashkimin Evropian dhe veçanërisht qasjen në tregun e vetëm, ka ende pak punë që duhet bërë. Por, siç thashë më herët, mendoj se është në të mirë të kompanive që të jenë plotësisht të përgatitura dhe të gatshme për të hyrë në tregjet evropiane dhe për të mbijetuar dhe për të pasur mundësi të mira biznesi më gjerësisht në Evropë”, vijon Nissinen.

Ndërkohë që liberalizimi i vizave do të ndodhë nga 1 janari, Nissinen fton qytetarët e Kosovës që ta vizitojnë Finlandën.

Nissinen: Shumë i pritur dhe i mirëpritur vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën

“Para së gjithash, mendoj se ishte shumë i pritur dhe i mirëpritur vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, Finlanda e mbështeti fuqimisht. Dhe, jam shumë i lumtur të shoh që ajo do të zhvillohet tani më në fund, në fillim të janarit të vitit të ardhshëm. Dhe mesazhi im do të ishte për të gjithë kosovarët që janë të mirëpritur të vizitojnë Finlandën, vendin tonë të bukur, dhe ne jemi të lumtur të presim të gjithë kosovarët që planifikojnë të na vizitojnë. Mendoj se vendimi për liberalizimin e vizave ishte i rëndësishëm mendërisht, sepse ai nënvizon faktin dhe pikën që dua të them se Kosova është pjesë e familjes evropiane, mendoj se kjo është çështja kyçe kur bëhet fjalë për liberalizimin e vizave, ne jemi të gjithë në të njëjtën familje evropiane”, thotë ai.

Derisa thotë se vitin 2024 e sheh si sfidues për shkak të përshkallëzimeve të shumta në botë, ambasadori finlandez shton se globit i duhet demokraci të tilla siç janë Kosova dhe Finlanda.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat