Policia me personel shtesë për ta përballuar fluksin e qytetarëve në kufi

Aktuale

Policia me personel shtesë për ta përballuar fluksin e qytetarëve në kufi

Më: 17 dhjetor 2023 Në ora: 15:14
Foto ilustrim

Policia  e Kosovës ka konfirmuar se gjatë ditës së sotme ka ndërmarrë veprimet e duhura për të siguruar rendin dhe qarkullimin e lëvizjes për qytetarët serbë të cilët në formë të organizuar me autobusë, por edhe me vetura private kanë udhëtuar në drejtim të Serbisë për pjesëmarrje në zgjedhjet e atjeshme.

“Policia  e Kosovës bazuar në obligimet që dalin nga ligjet e vendit, është çdo herë e angazhuar në realizimin e detyrave të përgjithshme, për të ofruar rend e qetësi publike, për të siguruar liri të lëvizjes e për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve pa dallim.

Po ashtu policia edhe në pikat e kalimit kufitar ka ndërmarrë hapa konkret përfshirë edhe shtimin e personelit policorë për të përballuar më shumë kalime kufitare se ditëve të tjera. Të gjitha angazhimet policore në terren, përfshirë ato kufitare do të zbatohen sipas procedurave të parapara ligjore, me qëllim të ofrimit të sigurisë, ruajtjes së rendit e qetësisë publike si dhe mundësimit të qarkullimit dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve”, thuhet në komunikatën e policisë.

Tutje theksohet se për shkak të fluksit të qytetarëve dhe procedurave kufitare, janë krijuar disa pritjeve të kalimit kufitar në disa pikë kalime kufitare që lidhin Republikën e Kosovës me Serbinë.

“Për të shmangur këto pritje Policia e Kosovës ka angazhuar personel shtesë, në mënyrë që të kemi një menaxhim sa më efikas të kufijve shtetëror ashtu siç parashihet edhe me MIK, (menaxhimi i integruar i kufirit)”, theksohet tutje në komunikatë.

Policia e Kosovës ka rikujtuar se sipas mandatit të saj ligjor e kushtetues dhe sipas planifikimeve operacionale, do të kujdeset për ruajtjen e rendit kushtetues, ofrimin e sigurisë ndaj qytetarëve të cilët në mënyrë të organizuar apo çfarëdo forme tjetër do të lëvizin brenda Republikës së Kosovës për në drejtim të Serbisë dhe anasjelltas.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat