​Rritet deponimi i mbeturinave në Kosovë

Aktuale

​Rritet deponimi i mbeturinave në Kosovë

Më: 19 dhjetor 2023 Në ora: 15:28
Foto nga vendi i ngjarjes

Gjatë vitit të kaluar ka pasur rritje të deponimit të mbeturinave në Kosovë, mbi 43 mijë tonë më shumë sesa në vitin 2021.

Kështu bëri të ditur ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, gjatë raportimit sot në Komisionin parlamentar për mjedis.

Aliu duke paraqitur raportin mjedisor për 2022, tha se gjendja e mjedisit në Kosovë nuk është e mirë, teksa përmendi ndotjen e ajrit sidomos gjatë dimrit, ndotjen e lumenjve, tokës dhe deponimin e madh të mbeturinave.

Aliu: Ka rritje të deponimit të mbeturinave 9.7 për qind

“Vjen si rezultat i shkarkimeve të ujërave urbane dhe industriale, hedhjes së pakontrolluar në lumenj, përdorimit të pesticideve dhe dëmtimi i shtretërve të lumenjve nga marrja e inerteve dhe ndërtimet ilegale...Deponitë sanitare dhe ilegale të mbeturinave, industritë aktive dhe ato të vjetra janë burim potencial i ndotjes së tokave për shkak të gjenerimit të mbetjeve industriale dhe përdorimit të kimikateve që në disa raste ruhen në vende të pasigurta. Sa i përket menaxhimit të mbeturinave, ato për kokë banori vlerësohen 248 kilogramë për banor në vit dhe aktualisht në nivel nacional grumbullohen 90 për qind të mbeturinave të gjeneruara. Pjesa më e madhe e tyre deponohen në deponi sanitare dhe ende nuk ka sistem të organizuar të ndarjes së mbeturinave. Në vitin 2022 shënohen një rritje e deponimit të mbeturinave në sasi prej 43 mijë tonë apo 9.7 për qind krahasuar me 2021”, tha Aliu.

Shqyrtimin e raportimit mjedisor për 2022 në fund të 2023 e kundërshtoi deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila tha se ky raport duhej të vinte në fillim të vitit për shqyrtim në Kuvend. Ajo u shpreh kritike ndaj ministrit Aliu për gjendjen e mjedisit, derisa nënvizoi se Kosova është shndërruar në një deponi mbeturinash.

Musliu: Kosova është shndërruar në një deponi mbeturinash

“Për mua është e pakuptimit kjo formë dhe në të ardhmen duhet të ndërrohet. Tash është dashur të shqyrtohet raporti i vitit 2023 në mënyrë që ne me i dhënë kontributin tonë për vitin 2024, çka do që kemi, vërejtje, sugjerimi apo rekomandime... Ajo çka më intereson mua me thënë është se po vazhdon të jetë problematike dhe e dukshme çështja e trajtimit të mbeturinave. Ne folëm për deponitë këtu, por fatkeqësisht Kosova e tëra është shndërruar në një deponi mbeturinash. Kudo që shkon rrugëve ke mbeturinave jashtë kontejnerëve, andaj prej asaj vjen një zinxhir problemesh”, theksoi Musliu.

Në anën tjetër, deputetja e AAK-së, Albena Reshitaj, tha se Qeveria Kurti nuk e ka prioritet mbrojtjen e mjedisit.

Reshitaj: Pse nuk po bëhet prioritet mbrojtja e mjedisit

Nuk ka shumë ndryshime aq të mëdha për të diskutuar se kemi bërë përmirësime ose e kemi për prioritet për të ndryshuar situata. Tjetra çka dua të them është se prej vitit 2021 në 2022 këtij dikasteri i është shtuar buxheti për 46 milionë euro në total. Nëse është shtuar për 46 milionë euro pse nuk është prioritet mbrojtja e mjedisit. Pse nuk kemi pas ndryshime në mbrojtjen e mjedisit”, deklaroi Reshitaj.

Edhe deputetë të tjerë adresuan shqetësime për raportin mjedisor për 2022, ku kërkuan ndërmarrjen e masave nga ekzekutivi për mbrojtjen e mjedisit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat