​Haxhiu kritikon Gjykatën Kushtetuese për vonesa në trajtimin e ligjeve

Aktuale

​Haxhiu kritikon Gjykatën Kushtetuese për vonesa në trajtimin e ligjeve

Më: 21 dhjetor 2023 Në ora: 12:32
Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka kritikuar Gjykatën Kushtetuese për mosrespektim të afatit kohor për t'i trajtuar ligjet që po dërgohen në këtë Gjykatë.

Në takimin e Këshillit për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut, ajo tha se vettingu i cili është ndër reformat kryesore është në pritje qe 10 muaj për mendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Haxhiu: Gjykata Kushtetuese nuk është në ndjeshmërinë e njëjtë siç janë qytetarët e Kosovës të cilët mezi presin jetësimin e këtyre formave

“Sa i përket çështjes së sundimit të ligjit ne kemi ndërmarrë disa veprime, në këtë rast fatkeqësisht vettingu në sistemin e drejtësisë, që është një nga reformat kryesore ende pret për mendim të Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese e ka me ligj dy muaj afatin për t'i trajtuar ligjet që kontestohen nga Kuvendi i Kosovës. Por në ligjet e ndjeshme dhe as një ligj tjetër gjykata nuk e respekton këtë afat kohor. Pra dy muaj e ka me ligj në anën tjetër për vettingun e presim që 10 muaj, për byron për konfiskimin e pasurisë po ashtu presim që 10 muaj, Këshillin Prokurorial e ka shpallur të pa vlefshëm dhe e kemi pritur 9 muaj. Kjo tregon që Gjykata Kushtetuese nuk është në ndjeshmërinë e njëjtë siç janë qytetarët e Kosovës të cilët mezi presin jetësimin e këtyre formave”, tha ajo.

Ndërkaq, Avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se deri më tani vetëm 20 për qind e rekomandimeve nga ky institucion janë zbatuar, ndërsa janë në pritje të zbatimit për 80 për qind të rekomandimeve tjera.

Ai tha se ka një numër të madh të rekomandimeve që presin zbatim nga autoritetet dhe institucionet e vendit.

Qelaj: Kemi një numër të madh të rekomandimeve që presin zbatim nga autoritet dhe institucionet e vendit

"Këtë vit të dhënat nuk janë edhe shumë inkurajuese, megjithatë jemi akoma herët për me ardhë në një përfundim. Deri më tani 20 për qind të rekomandimeve të avokatit të popullit janë zbatuar, 80 për qind e rekomandimeve janë në pritje të zbatimit. Pra, kemi një numër të madh të rekomandimeve që presin zbatim nga autoritet dhe institucionet e vendit. Nëse rekomandimet e Avokatit të Popullit prekin gjitha sferat e drejtave të njeriut dhe pasqyrojnë vet gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë, besoj se është përgjegjësi e gjitha autoriteteve që zbatimin e rekomandimeve të avokatit të popullit ta kenë prioritet", tha Qelaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat