Deklarohet i pafajshëm edhe në rigjykim i akuzuari për moslajmërim të vrasjes

Aktuale

Deklarohet i pafajshëm edhe në rigjykim i akuzuari për moslajmërim të vrasjes

Më: 22 dhjetor 2023 Në ora: 12:56
Foto ilustrim

Në rigjykim, i akuzuari Berat Strelli është deklaruar sërish i pafajshëm për moslajmërim të veprës penale “Vrasje”.

Bashkë me Berat Strellin, akuzohej edhe Albion Strelli i cili sipas aktgjykimit, pas rikualifikimit të veprës penale “Vrasje e rëndë” në veprën penale “Vrasje”, u dënua me 23 vite burgim, kurse për armëmbajtje pa leje, u dënua me 1 vit e gjysmë burgim. Ndaj tij, gjykata shpalli dënim unik prej 24 vite burgim.

Kurse, Gjykata e Apelit më 15 shtator 2023 kishte vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë përkitazi me të akuzuarin Albion Strelli për veprat penale “Vrasje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, kurse për të akuzuarin Berat Strelli për veprën penale “Moslajmërim i veprave apo kryerësve të tyre”, çështja është kthyer në rigjykim dhe vendosje.

Pasi që aktakuza u konsiderua e lexuar, i akuzuari Strelli është deklaruar i pafajshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më pas, prokurori i shtetit Bashkim Zeqaj ka qëndruar pranë fjalës hyrëse të dhënë më 6 korrik 2021 pranë kësaj gjykate, duke shtuar se edhe në këtë shqyrtim gjyqësor do të vërtetohet se i akuzuari Strelli ka kryer veprën penale që i vihet në barrë.

Po ashtu, edhe mbrojtësi i viktimave Arlind Popaj ka qëndruar pranë fjalës hyrëse të dhënë nga përfaqësuesi i autorizuar i palës së dëmtuar.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Strelli, avokati Haxhi Millaku duke mbështetur fjalën hyrëse të dhënë në shqyrtimi e kaluar, ka shtuar se tani konsideron të nevojshme në aspektin krahasues provat që janë pjesë e kësaj lënde, pra krahasimin e dëshmive të dëshmtiarëve.

Në këtë seancë nuk ishte e pranishme e dëmtuara Suzana Seferi e cila sipas kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Naser Foniqi kishte qenë e njoftuar përmes telefonit dhe kishte premtuar se do të paraqitet në seancë, por që sot nuk është paraqitur dhe mungesën nuk e ka arsyetuar.

Në këto rrethana, seanca e sotme u ndërpre, pasi që sipas gjykatës Foniqi e dëmtuara-dëshmitarja Seferi ka të drejtë dhe duhet të jetë e pranishme në këtë shqyrtim që të ndjek personalisht procedurën.

Më 6 prill 2023 Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Albion Strelli dhe Berat Strelli, lidhur me akuzat për vrasjen e A.S. I akuzuari Albion u dënua me dënim unik prej 24 vitesh burgim, kurse i akuzuari Berat, u dënua me 18 muaj burgim.

Kurse, Gjykata e Apelit më 15 shtator 2023 kishte vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë përkitazi me të akuzuarin Albion Strelli për veprat penale “Vrasje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, kurse për të akuzuarin Berat Strelli për veprën penale “Moslajmërim i veprave apo kryrsve të tyre”, çështja është kthyer në rigjykim dhe vendosje.

Në seanën e 3 prillit 2023, në fjalën përfundimtare, prokurorja Fitore Sadikaj ka bërë ndryshimin e një pjese në dispozitivin e parë dhe të dytë të aktakuzës, në këtë rast.

Sipas aktakuzës së ngritur më 29 mars 2021, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Albion Strelli thuhet se më 6 maj 2020, në ora 07:40, në punishten e qendrës së re tregtare, afër rrethit të QMI-së, Komuna e Graçanicës, pas një mosmarrëveshje paraprake në mes të tij dhe tani të ndjerit A.S, për shkak të transportit me veturën kombi, i cili ishte në pronësi të firmës ku ishin duke punuar së bashku, të pandehurit Albion dhe Berat Strelli shkuan në shtëpinë e tyre, ku e kanë marrë armën e tipit “Zoraki M2906-B” dhe janë kthyer përsëri në vendpunishte me veturën e tyre private.

Sipas prokurorisë, pas fjalosjes në mes të të akuzuarit Albion dhe tani të ndjerit A., Albioni me dashje që ta privojë nga jeta, ka shtënë tri herë me armë në drejtim të tani të ndjerit A., duke e vënë në rrezik edhe jetën e shumë personave tjerë, me ç’rast tani i ndjeri A.S është qëlluar tri herë në fytyrë dhe kokë, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në QKUK.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkonte të akuzuarin Albion Strelli se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika nënparagrafi 1.5 të KPRK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat