Azemi: Kurti ua ndau nga 100 euro pensionistëve e fëmijëve, pak ditë para se t’u shkonin faturat e papërballueshme

Aktuale

Azemi: Kurti ua ndau nga 100 euro pensionistëve e fëmijëve, pak ditë para se t’u shkonin faturat e papërballueshme

Më: 26 dhjetor 2023 Në ora: 17:14
Ilustrim

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi ka reaguar në Facebook lidhur me faturat e larta të energjisë që kanë shqetësuar qytetarët.

Ai ka thënë se Kurti ndau nga 100 euro për pensionistë e fëmijë pak ditë para se familjet e tyre t’i pranojnë faturat e papërballueshme të rrymës.

Më tutje, ai ka thënë se rritjen e parë të tarifave nën qeverisjen e Kurtit e kemi parë në vitin 2022.

Më 30 mars të 2023, rryma u shtrenjtua përsëri në Kosovë.

Ky është postimi i tij:

Albin Kurti i ndau nga 100 euro për pensionistë e fëmijë, pak ditë para se familjet e tyre t’i pranojnë faturat e rrymës që janë të papërballueshme për buxhetin e tyre. Derisa ky pushtet tenton me ble paqe sociale duke i nda disa euro shtesa të njëhershme, shtrenjtimi i rrymës që u bë dy herë gjatë mandatit të kësaj qeverie e thellon krizën nëpër çdo shtëpi, veçmas gjatë dimrit. Po flas për ato shtëpi që nuk i kanë pronarë Martin Berishajn, Nagip Krasniqin e të tjerë si ta.

Rritjen e parë të tarifave në mandatin e Kurtit e kishim në shkurt të vitit 2022, duke prekur gjithë konsumatorët shtëpiakë dhe komercialë që shpenzonin mbi 800 kilovat. Për pak muaj qeveria kishte subvencionuar faturat e konsumatorëve, të cilët kanë kursyer së paku 5 për qind të energjisë së konsumuar në muaj, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak. Kjo u duk si një ndihmë, por realisht ishte parapërgatitje për shtrenjtimin e radhës një vit më vonë.

Më 30 mars të këtij viti, prapë gjatë pushtetit të Kurtit, rryma në Kosovë u shtrenjtua për 15.4 për qind. Me rritjen e tarifave më së shumti pësuan mbi 80% të konsumatorëve që harxhojnë deri në 800 kilovat, të cilat natyrshëm rriten gjatë dimrit dhe rritjen mujoren e kanë dukshëm më të ndjeshme. Sot nuk ka subvencionim për konsumatorët që kursejnë. Por, sot ka varfërim të çdo familje që i rritet përqindja e buxhetit familjar që shkon për pagesë të faturës së rrymës.

Mos u çuditni nëse me këtë pushtet, edhe në pranverën e vitit të ardhshëm ju shtrenjtohet rryma sërish. Sepse një pushtet pa vizion, sidomos për çështjet e energjisë, krizës energjetike tenton t’i ikë duke ia rëndu barrën qytetarit. Pastaj, këtëij të fundit ia ndanë disa euro e centa në formë vitrash. Ky është Albin Kurti e ky është pushteti i tij. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat